SHPËRNDAJE

Protesta-Maqedoni

Rrjeti televiziv e njohur ndërkombëtarisht ‘’Al Jazeera’’ i ka kushtuar vëmendje vendimeve qeveritare për hapjen e dy universiteteve publike në Maqedoni, një në gjuhën shqipe dhe një në gjuhën maqedone.

Autori Daniel Evrosimoski, e nisë analizën e titulluar ‘’Sa vlen një diplomë në Maqedoni’’ me protestat studentore të iniciativës ‘’Plenumi studentor’’ kundër ndryshimeve ligjore në arsimin e lartë që u konsiderua si ndërhyrje në autonominë e universiteteve.

Më tutje, në analizë shtjellohet themelimi i universitetit ‘’Nënë Tereza’’ dhe ‘’Damjan Gruev’’, që për koalicionin qeveritar konsiderohet si pozitive pasi që më shumë universitete rritin konkurencën dhe cilësinë në arsim, por që një pjesë e opinionit publik dyshon se këto universitete janë marrëveshje partiake e VMRO-së me BDI-në për qëllime politike.

Në lidhje me këto universitete, autori ka siguruar disa intervista. Studenti që ishte në radhët e para të protestave, Konstantin Bitrakov, e konsideron këtë hap qeveritar si dezorientim të Qeverisë në krijimin e politikave arsimore, dhe kjo sjell diploma pa vlerë.

Profesori Trajçe Stojanov vlerëson se nuk ka arsyetim për hapjen e dy universiteteve të reja, duke theksuar se arsimimi kërkon një qasje sistematike dhe jo të pjesërishme dhe se duhet të forcohen universitetet ekzistuese e jo të hapen të tjerë.

Edhe ish-ministri i arsimit, Sulejman Rushiti, ka qëndrim dyshues ndaj universiteteve të reja, duke e konsideruar këtë si një lojë politike e koalicionit qeveritar për zgjedhje. Rushiti thekson se hapja e universitetve të reja është e dëmshme për universitetet ekzistuese. Sipas tij, gjendja është alarmante dhe se sa më shumë studentë dëshirojnë që të largohen nga vendi, ku një nga arsyet është dezorientimi në arsim që paraqet rrezik të madh për shoqërinë.

Autori e përmbyll analizën me të dhënat financiare që për universitetin ‘’Nënë Tereza’’ do të nevojiten 2.3 milion Euro, kurse për universitetin ‘’Damjan Gruev’’ nuk ka të dhëna, ndërkaq për një vit, afër 10 mijë studentë në Maqedoni marrin diploma.