SHPËRNDAJE

Kryetari i FRPD Sali Salihi, bllokimin e llogarisë bankare të komunës së Bujanocit e ka konsideruar si paaftësi menaxheriale të kryetarit të komunës si përgjegjës kryesor i ekzekutimit të buxhetit për t’i kryer obligimet dhe borxhet e komunës.

Salihi në rrjetin e tij social ka postuar një artikull në të cilin thuhet: Kur flisnim për keqmenaxhim e keqpërdorim të parasë publike, pushtetarët komunal në Bujanoc e ngushllonin veten duke thënë se këto deklarata kishin për qëllim poena politik dhe asgjë më tepër; Kur flisnim për lluksin e shfrenuar të pushtetarëve me paratë e qytetarëve, prap i konsideronin vetëm deklarata politike;

Dhe, ja, sot llogaria bankare e komunës së Bujanocit për dy javë rresht është e bllokuar. Është hera e parë në historinë e komunës që llogaria bankare bllokohet kaq gjatë. E gjitha kjo si rezultat i paaftësisë menaxhariale të kryetarit të komunës si përgjegjësi kryesor i ekzekutimit të buxhetit për t’i kryer obligimet dhe borxhet e komunës. Me këtë rast Bujanoci është paralizuar nga kjo gjendje e rëndë financiare.

Po shfaqen probleme në pagesat ndaj kontraktuesve të punëve, ndaj furnitorëve, probleme në sigurimin e rrogave në sektorin publik, probleme në sigurimin e fondeve për subvencionimin e bujqëve dhe sipërmarrësve, probleme për financimin e OJQ-ve, mediave, shkollave, klubeve sportive, etj. Kur jemi te shkollat, personelit arsimor ka dy muaj që nuk iu janë paguar shpenzimet e udhëtimit, e këtë fat po e përjetojnë edhe punëtorët e administratës komunale.

Përveç kryetarit të komunës së Bujanocit si fajtori kryesor për këtë gjendje, nuk mund t’i kursej as partitë tjera që bashkëqeverisin me këtë pushtet, qofshin ato shqiptare, serbe apo rome, të cilat kanë qenë në dijeni për keqpërdorimet e njëpasnjëshme nga ana e komunës, por nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për ta ndaluar një gjë të tillë. Disa nga mosdija, e disa përshkak se e kanë pas mirë për veti, ka shkruar Sali Salihi kryetarë i FRPD-së./presheva.com/