SHPËRNDAJE

Një pasdite të ngjeshur në Brazil, banorët e Sao- Paulos, papritmas u gjetën të lënë në një errësirë të mirëfilltë.

Sipas mediave të huaja, rreth orës 3 të pasdites, sipas kohës lokale, makinat, bizneset dhe shtëpitë u detyruan të ndiznin dritat e tyre, ndërsa dita u bë natë.

Kjo dukuri ishte e ngjashme me një fenomen që është shfaqur edhe në zonat e Siberisë këtë verë.

Si pasojë, kombinimi i tymit të zjarrit, reve të dendura të shiut dhe një front i ftohtë kanë “mbështjellë” përkohësisht qytetin më të madh të Brazilit, duke krijuar një errësirë.

”Tymi nuk erdhi nga zjarret në shtetin e Sao Paulo, por nga zjarre shumë të dendura që kanë ndodhur për disa ditë në Rondônia dhe Bolivi”, ka thënë Josélia Pegorim, një meteorologe në kanalin televiziv brazilian Climatempo në një intervistë për Globo. “Fronti i ftohtë ndryshoi drejtimin dhe erërat e tij transportuan tymin në Sao Paulo”.

Ndërsa meteorologu i AccuWeather, Eric Leister vuri në dukje se zhvendosja në frontin e ftohtë solli edhe stuhi dhe temperatura që ishin shumë më të ulëta se mesatarja. Pamjet video të xhiruara nga Marcus Mendes, një banor i Sao Paulo, treguan shtrirjen e errësirës që kapërceu qytetin në mes të pasdites. Në një email për AccuWeather, Mendes tha se moti atje ndryshoi me shpejtësi gjatë gjithë ditës.