SHPËRNDAJE

Pas 50 ditët e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të Korona virusit, falja e Xhumasë për besimtarët e Luginës së Preshevës, ishte një ditë e madhe dhe e lumtur, meqë u rihapën kultet për kryerjen e riteve fetare.

Nëpër Xhamitë e Luginës së Preshevës dita e xhuma, u zhvillua me një atmosferë gëzimi dhe hareje, nga imamët dhe xhematlinjtë, duke respektuar edhe rekomandimet e njerëzve kompetentë për kujdesje në këtë kohë pandemie.

Lidhur me këtë gëzim të papërmbajtur morëm një prononcim me njeriun e parë të institucionit të lartë fetar Myftiun e Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, i cili njëherit është edhe imam në Xhaminë e Re në Tërnoc:

“Sot, për besimtarët është një ditë gëzimi dhe duhet të shpallet  nga ndërkombëtarët, ditë feste për njerëzimin, ngase fitoj e mira, e bukura, paqja dhe lumturia, ndaj po ju kthehet njerëzve mirësia e Zotit, po ju kthehet njerëzve shpresa  dhe jeta. Kur shtëpitë  e Zotit janë të lira, aty është edhe liria, siguria,  paqja, jeta dhe lumturia. Kjo simbolizon  kthimin e jetës, shpresës  dhe lumturisë njerëzore pa dallim ngjyrash, racash e kombesh”, u shpreh me krenari Myftiu Saqipi.

Ai, në vazhdim, shtoi, duke u lutur që pas Serbisë sa më shpejt këtë kënaqësi dhe këtë ndjenjë ta fitojnë  edhe besimtarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni  të Veriut dhe më mbarë botën. Prandaj,   kjo ditë  do të jete festë, sepse  Zoti  i Madh, i shpëtoj njerëzit nga më e keqja, duke sjell fitoren e të mirës nga e keqja”, u shpreh me plot optimizëm Myftiu i Luginës së Preshevës, Nexhmedin ef. Saqipi, i cili njëherit është edhe zëvendës-reis i Rijasetit të Bashkësisë Islame në Serbi./presheva.com/