SHPËRNDAJE

Ndërkohë që Michael Schumacher po lufton me vdekjen në spitalin e qytetit të Grenoble, të dhëna ende të pakonfirmuara e intrigojnë edhe më shumë momentin e incidentit të tij në kompleksin malor ku u përplas dhunshëm me një masiv shkëmbor. Policia e Albertville që po heton për të zbardhur shkaqet e incidentit, mendohet se ka në dorë telekamerën e montuar në kaskën e gjermanit, e cila ishte vendosur në kokën e tij. Gjithsesi, për momentin nuk ka asnjë konfirmim në lidhje me këtë çështje që ka filluar të ngjallë kureshtjen tek fansat nga mbarë bota, të cilët vazhdojnë të përjetojnë orë ankthi. Mendohet se bëhet fjalë për një aparat rezistent ndaj ujit, por nuk dihet ende nëse ishte e ndezur gjatë momentit tragjik. Kamera është marrë fillimisht nga familja e pilotit dhe pas disa lajmeve kontradiktore rreth fatit të saj, mendohet se është dorëzuar në zyrat e policisë.

Por ndërkohë që çështja e kamerës nuk është sqaruar ende, policia po vazhdon të marrë në pyetje njerëz të ndryshëm, përfshirë këtu edhe djalin 14 vjeçar të ish 7 herë kampionit të botës, i cili ka dhënë versionin e tij të ngjarjes që tronditi botën e sportit gjatë ditëve të fundit të vitit 2013. Qëllimi i policisë është që të ndërtojë një dinamikë të momenteve të incidentit. Përsa i përket gjendjes shëndetësore të 45-vjeçarit, ai ka kaluar një tjetër natë të qetë por gjendja e tij vazhdon të mbetet kritike. Drejtuesit e spitalit të Grenoble nuk japin informacione të detajuara.