SHPËRNDAJE

Michael Schumacher mbushi 45 vjec, që prej së dielës është në koma, në spitalin e Grenoble ku janë stacionuar të dërguarit e shumtë të medieve të ndryshme në pritje për të raportuar të rejat më të fundit në lidhje me gjendjen shëndetësore të 7 herë kampionit të botës. E natyrshme që në një situatë të tillë të ishin më të heshtura dhe larg çdo celebrimi festiv urimet për njeriun më të suksesshëm në Formula 1, por sigurisht jo më pak të ndiera janë homazhet që tifozët e shumtë i dërgojnë kampionit gjerman. Ferrari i dedikon Schumit, faqen kryesore të sajtit të skuadrës së saj ku spikat foto e pilotit që po lufton për jetën me një urim të dyfishtë në brendësi te te cilit lexohet.

“ Sot është ditëlindja e Michael Schumacher, në këto orë i impenjuar në garën më të rëndësishme të jetës , dhe atij duam ti dedikojmë një homazh të vecantë. Janë jashtëzakonisht të shumtë momentet e bukura që kemi përjetuar në shumë vite të kaluara bashkë dhe ne deshëm të zgjedhim 72. Nuk është një numër i rastësishëm, por është ai që identifikon numrin e fitoreve të arritura nga Michael me skuderinë, që nga 1996-ta deri në 2006. 72 Çmime të Mëdha që na kanë bërë të gëzojmë ne dhe miliona tifozë të shpërndarë në gjithë botën. Kanë qenë emocione të paharrueshme që bashkë me pasionin, impenjimin dhe dedikimin e kanë bërë Michael të jetë përgjithmonë pjesë e familjes ferrarista. I Gjithë Ferrari, duke filluar nga Presidenti Luca di Montezemolo, dhe shefi i skuadrës Stafeno Domenicali që janë në kontakte të vazhdueshme me familjen e Michael dhe presonat më të afërt për të , po ndjekin në mënyrë konstante evoluimin e situatës. Urimet që duam ti bëjmë sot janë të dyfishta, natyrisht! Forca Michael !”

E në pritje të lajmeve të reja mbi gjendjen e Schumit informacionet e fundit sipas burimeve mjekësore bëjnë të ditur se kushtet e 7 herë kampionit të botës në Formula Një mbeten stabile edhe pse vazhdojnë të jenë kritike. Schumadher vijon të mbahet në koma klinike, dhe temperatura e tij trupore është ulur në rreth 35 gradë për të reduktuar edemin cerebrale që e goditi pasi përplasi kokën me një shkëmb të dielën e kaluar ndërsa bënte ski jashtë piste në Meribel. Mësohet se edhe pse gjendja e tij e përgjithshme mbetet e rëndë, situata është përmirësuar në krahasim me ditët e para të shtrimit në spital, ndërsa për sa i përket hipotezës për ta transferuar në një tjetër spital sipas burime mjekësore nuk bëhet fjalë për një prioritet pasi Schumacher ka nevojë vetëm për qetësi.