SHPËRNDAJE

Partia konservatore ÖVP me kandidatin e saj Sebastian Kurz është fituese e zgjedhjeve në Austri. Ish – partneri në koalicion FPÖ ka shënuar rënie serioze.

Partia Popullore e Austrisë (ÖVP), e ish-kancelarit Sebastian Kurz ka fituar bindshëm zgjedhjet parlamentare në Austri.

Sipas rezultateve të para jozyrtare, kjo parti ka fituar rreth 37% të votave që do të thotë rreth 5% më shumë se në zgjedhjet e kaluara. Ndërsa partia e dytë në këto zgjedhje është SPÖ, me rreth 22%, që do të thotë se kjo parti ka shënuar rezultatin më të dobët në historinë e zgjedhjeve parlamentare në Austri.

Partia djathtiste FPÖ ka rënë nën 10% të votave, që do të thotë se ka shënuar një rënie prej më shumë se 6%. Ekologjistët kanë fituar më shumë se 14%, që do të thotë një rritje prej 4%. Ndërsa partia liberale Neos ka arritur rreth 7,5% të votave, që është një shtim prej rreth 2,5%.

Negociatat do të zgjasin disa muaj?

Partia ÖVP ka nevojë për një partner të ri në koalicionin qeverisës. Sebastian Kurz deri tani nuk ka bërë të ditur se në cilin krah politik do të kërkojë partnerin e ri – në krahun e djathtë apo të majtë politik. Ai thotë se do të bisedojë me të gjitha partitë.

Vëzhguesit thonë se negociatat për koalicionin e ri mund të zgjasin me muaj të tërë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare kanë qenë të domosdoshme për shkak të „aferës Ibica“, të ish-liderit të FPÖ Heinz-Christian Strache.

Pas publikimit të një video ku ai shihet t’i ketë premtuar oligarkëve rusë favore, nëse ata e ndihmojnë në zgjedhje, Sebastian Kurz ka prishur koalicion me këtë parti.

Qeveria e Kurzit ishte në pushtet 18 muaj.

Prej majit të këtij viti Austrinë e drejton një qeveri kalimtare, e drejtuar nga kancelarja Brigitte Bierlein.

Nesër rezultatet

Rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve mund të ndryshojnë, pasi që të hënën priten edhe votat me postë.

Në Këto zgjedhje kanë konkurruar tetë parti. Të drejtën e votës kanë pasur shtetasit e Austrisë mbi moshën 16 vjet. Për parlamentin e ri do të zgjidhen 183 deputetë, ndërsa mandati i tyre zgjatë pesë vjet. Rezultatet përfundimtare do të dihen të hënën. /dw/