SHPËRNDAJE

Kreu i ASH-së Ziadin Sela e ka quajtur të padenjë për postin që mbanë, kryetarin e Kuvendit Talat Xhaferin për shkak se një natë më parë lejoi që të mos i hiqet imunitetit deputetit Trajko Veljanovski.

Sela tha se ngjarjet e mbrëmshme ishin të koordinuara mes BDI-së dhe VMRO-së për të shpëtuar Veljanovskin. Ai kërkoi dorëheqjen e Qeverisë dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme pasi vlerëson se pushteti ka humbur kredibilitetin.

“Mbrëmë e pa gjithë opinioni që Talat Xhaferi nuk është i denjë për të qenë kryetar i parë shqiptarë i Kuvendit. I padenjë ishte në gjithë teatrin e ofruar mbrëmë dhe një natë më parë. Pra gjithë BDI-ja të kapur nga ana e regjimit të kaluar luajnë role të tillë që pamë të gjithë mbrëmë.

Edhe Qeveria nuk është e denjë për të funksionuar si shumicë sepse ka humbur kredibilitetin. Mbrëmë i dha goditjen e fundit të shtetit të së drejtës dhe u shua cdo shpresë për drejtësi. Qeveria sa më shpejtë të tërhiqet, kryeministrit të jep dorëheqje dhe të ketë zgjedhje të parakohshme”, tha kreu i ASH-së Ziadin Sela.