SHPËRNDAJE

Komunat veriore të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Zveçani, Leposaviqi dhe Zubin Potoku, vazhdojnë të funksionojnë pa stemë, pa simbole dhe pa vula të Kosovës në kundërshtim me Kushtetutën dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, shkruan sot, gazeta Zeri.
Përfaqësuesit e serbëve në institucionet e shtetit të Kosovës vazhdojnë të bëjnë trysni për hartimin e statutit, me të cilin i hapet rrugë formimin të Bashkësisë së Komunave Serbe (Zajednica Srpskih Opstina) pas kthimit të tyre në institucione.

Ata për rreth 6 muaj bojkotuan të gjitha institucionet e shtetit, ndërkohë që siç kanë thënë vetë, janë kthyer për të marrë pjesë në hartimin e statutit dhe formimin e “Zajednicës”, si dhe për ta kundërshtuar transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës.

Sa i përket “Zajednicës” Prishtina kishte kërkuar që paraprakisht përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës të kthehen e pastaj të fillojë hartimi i statutit të saj.

Por, pas kthimit Qeveria ka kushtëzuar AKS-në me miratimin e simboleve të shtetit të Kosovës nga ana e komunave veriore, Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Këto katër komuna serbe që prej zgjedhjeve për pushtetin lokal të 2013-s funksionojnë pa simbole të shtetit, pa stemë dhe pa vula të Kosovës, me të cilat përcaktohet mënyra e funksionimit të komunave.

Shkresat që dërgojnë këto komuna vetëm nënshkruhen nga kryetarët, Goran Rakiq, Vuçina Jankoviq, Dragan Jabllanoviq, përkatësisht Stevan Vllahoviq dhe nënshkrimet e tyre në shkresa në fakt janë edhe vula, edhe gjithçka tjetër që pranohen nga Qeveria dhe institucionet e tjera të Kosovës.

Kryetarët e këtyre komunave kanë deklaruar hapur se nuk e njohin shtetin e Kosovës, por nuk kanë refuzuar asnjëherë buxhetin që ka ndarë Qeveria e Kosovës, ndonëse fillimisht kishin kërkuar buxhet shumë më të madh sesa komunat më të mëdha të Kosovës.