SHPËRNDAJE

Në vazhdën e protestave të organizuara në Serbi kundër presidentit aktual Aleksandar Vuçiq, ku çdo javë në qendër të qytetit të Beogradit mblidhen mijëra qytetarë për të protestuar nën moton “1 nga 5 milionët”, atyre u janë bashkangjitur edhe serbët e komunave të veriut të Kosovës, që kanë paralajmëruar protestën për të shtunën që pritet të fillojë në ora 18:00, shkruan media në gjuhën serbe Kossev.

Sipas Marko Jakshiq, banor lokal në Mitrovicë që njëherit është organizator i protestës së të shtunës që do të mbahet në pjesën veriore të Mitrovicës, kanë mbetur edhe pak gjëra të vogla që të përfundojnë përgatitjet për protestën e paralajmëruar, transmeton Telegrafi. Ai ndër tjera ka thënë se duhet të njoftojnë Policinë e Kosovës për protestën e paralajmëruar, ndërsa marshi do të fillojë nga përmendorja e “Car Llazarit” dhe do të përfundojë në vendin ku është vrarë lideri i SDP-së, Oliver Ivanoviq, ku do të ndezin qirinj.

Por, ky organizim duket se ka hasur në kundërshtim, pasi vetë Jakshiq ka marrë kërcënim në profilin e tij në Tëitter, madje me varje në sheshin e qytetit të Beogradit. “Ty mik duhet të varim në mes të Terazisë (sheshit të qendrës së Beogradit). Turp të kesh, po e përçan popullin edhe ashtu kanë mjaft vuajtje. A po u bën favor shqiptarëve”, thuhet në kërcënimin që është botuar në media serbe në Kosovë.