SHPËRNDAJE

Doktor

Rreth 700 punëtorë shëndetësorë serbë nga Kosova, të cilët në 10 vitet e fundit kanë ikur nga vendi dhe që jetojnë dhe punojnë në Serbi, do të kthehen në vendet e tyre të punës në Kosovë, kanë njoftuar mediet serbe.
Sipas tyre, Qeveria e Serbisë ka zhvilluar një anketë, sipas të cilës ata është dashur të vendosin nëse janë të gatshëm të kthehen në vendet e tyre të punës në Kosovë, ose jo, shkruan “Zëri”.

Por, matelbardhët serbë që jetojnë dhe punojnë në Serbi, nuk e kanë pritur mirë anketën dhe vendimin e Qeverisë së Serbisë, respektivisht të Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Serbisë që të kthehen në Kosovë, në vendet e tyre të punës. Shumica prej tyre kanë thënë se nuk kanë ku të kthehen, “pasi që pasuria e tyre është shkatërruar”.

Sipas medieve serbe, është popullata serbe në jug të Kosovës, e cila ka kërkuar që Serbia t’u ofrojë shërbime shëndetësore nëpër qendrat ku ata jetojnë. Një grua serbe nga Klina, ka thënë se në ambulancën ku ajo jeton nuk ka asnjë infermiere, apo infermier që të ofrojë shërbime shëndetësore më elementare, madje as për të dhënë injeksione dhe për këtë shkak, siç ka thënë ajo “detyrohet të shkojë te shqiptarët”.

“Kemi marrë një fletanketë që të deklarohemi se a jemi për kthimin në vendet tona të punës prej nga kemi ardhur, ose jo. Nuk na është ofruar mundësia që të mbesim aty ku jemi angazhuar në punë që shumë vjet. Problemi është që ne nuk kemi ku të kthehemi, sepse pasuria e jonë është shkatërruar, ndërsa këtu jemi me familjet, nga të cilat, në rast se kthehemi atje, do të ndahemi nga familjet”, thuhet në një letër të cilët përfaqësuesit e punëtorëve shëndetësorë ia kanë drejtuar ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Serbisë, Zllatibor Llonçar. /Zëri/