SHPËRNDAJE

Dy zyrtarë të lartë të Kosovës dhe Serbisë sot ndodhen në Washington me ftesën e Sekretarit Amerikan të Shtetit Mike Pompeo për të marrë ftesë në Konferencën Ministrore për Liritë Fetare. Por, vizita ndodhë në një moment kyç kur pala serbe po tenton ta prezantojë skenarin për ndarjen e Kosovës si zgjidhje.

Daçiq ka shkuar në SHBA bashkë me Kryeministren e Serbisë Ana Brnabic ku në Kongresin amerikan është shnëuar Dita e Serbisë në Amerikë. Atje ai ka takuar Ndihmësin e Sekretarit Amerikan të Shtetit Wes Mitchel. Dacic ka thënë se në takim ka kaluar mirë, derisa është në pritje të takimi tjetër me John Bolton, këshilltarin e Trump me një disponim aspak pozitiv për pavarësinë e Kosovës.

Sipas Dacic, “administrata e re ( e Trump), do të dëgjojë propozimet serbe dhe zgjidhjet kreative e jo të bazohet në atë që tashmë është bërë klishe diçka që e bënte administrata e kaluar”.

Analisti i mirëinformuar për situatën në Ballkan Daniel Serwer duke komentuar prezencën e Kryeministres së Serbisë dhe Daçiq në SHBA ka thënë se ata do të provojnë të shesin idenë e ndarjes së Kosovës gjatë qëndrimit atje.

Ndërkohë në Washington mbrëmë ka mbërritur edhe Ministri i Jashtëm Behgjet Pacolli. Para nisjes në SHBA ai kishte dhënë një intervistë ku kishte deklaruar se askush që udhëheq dialogun në Kosovë nuk guxon të flas për territore.

Për qëndrimin në Washington Pacolli ka njoftuar nëpërmjet Facebook’ut.

“Sapo mbërrita në Uashington DC me ftesë të Sekretarit të Shtetit Mike Pompeo për të marrë pjesë në Konferencën e Parë Ministrore për Liritë Fetare. Kjo është një nismë e rendesishme e Presidentit Trump për të promovuar liritë fetare dhe Kosova do të mbështesë përpjekjet amerikane në nivel global.

Do të ndaj traditën e Kosovës dhe trashëgiminë e harmonisë dhe bashkëjetesës ndërfetare dhe do të promovoj përpjekjet tona për t’i bërë të gjithë njerëzit të ndjehen të barabartë dhe të lirë në shoqërinë tonë për besimin e tyre.

Unë do të shfrytezoj praninë time në Uashington për të takuar edhe homologët e tjerë dhe vendimmarrësit amerikanë” ka shkruar ai.