SHPËRNDAJE

Barnat ilegale, të cilat vijnë kryesisht nga Serbia, edhe gjatë këtij viti janë hasur në barnatoret në Kosovë. Nga Inspektorati Farmaceutik kanë thënë se kanë shqiptuar mbi 105 gjoba për shitjen e barnave ilegale dhe për shitjen e disa barnave pa recetë.

Në Kosovë vazhdojnë edhe më tej të qarkullojnë barna ilegale, të cilat sipas ligjeve të Kosovës janë të ndaluara të shiten.

Qytetarët edhe më tej blejnë barna, të cilat kanë prejardhje nga Serbia e nga shtete tjera, të cilat nuk lejohen në vend, sepse rreziku i përdorimit të këtyre barnave është i lartë.

Drejtor i Inspektoratit Farmaceutik i Kosovës. Shaban Osmanaj, ka thënë për “Zërin” se kanë zhvilluar inspektime në të gjitha komunat e Kosovës, ku kanë kontrolluar nëse barnatoret janë duke shitur barna ilegale.

Ai ka bërë të ditur se barnat, të cilave nuk u dihet natyra e transportit, janë të rrezikshme për qytetarët, pasi që nuk dihet se në çfarë temperature kanë qenë ato gjatë transportimit.

“Fundi i muajit korrik, muaji gusht dhe ky muaj kanë qenë muaj të aksionit, sepse kemi pasur informacione se në disa barnatore qarkullojnë produkte mjekësore jokonform legjislacionit në fuqi. Disa kanë qenë si rezultat i bashkëpunimit me Policinë e Krimeve Ekonomike dhe informatave që kemi marrë edhe nga qytetarët dhe mediet. Inspektimet janë zhvilluar në komunën e Pejës, të Gjakovës, në Prizren, në Prishtinë, në Ferizaj, në Gjilan dhe në Skenderaj”, ka thënë ai