SHPËRNDAJE

Teuta Fazliu, zyrtare në Ministrinë e Pushtetit Lokal në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se është viktima e radhës për pasivizimin e adresës në komunën e Bujanocit.

Fazliu ka thënë se asaj i është pasivizuar adresa e banimit me arsyetimin se punon në Qeverinë e Kosovës.

“Edhe unë viktima e radhës për pasivizimin e adresës në komunën e Bujanocit (Serbi). Postieri solli një letër që vinte nga SUP-i (policia) e Bujanocit, ku në të shkruan ” pas informatave operative nga tereni Teuta Fazliut i pasivizohet adresa e banimit me arsyetimin se punon në Qeverinë e Kosovës dhe është e martuar me kosovar”, është shprehur ajo.

Ajo ka thënë se policia e komunës nuk ka të drejtë ligjore në pasivizimin e adresave, pa pasur urdhër nga gjykata komunale.

“Policia e komunës nuk ka të drejtën ligjore në pasivizimin e adresave pa pasur urdhër nga gjykata komunale për thirrje nga gjykata për ndonjë dënim, mos pagesa të taksave ndaj shtetit, etj, në shtëpinë time asnjëherë nuk ka pasur ndonjë police paraprakisht nga SUP-i në me urdhër të gjykatës për verifikim të banimit në adresën time”, thekson ajo.

Në reagimin e bërë në Facebook, Fazliu ka pohuar se po vazhdojnë t’i pasivizohen adresat e shqiptarëve në Bujanoc e Preshevë.

“Tash e një kohë të gjatë jemi dëshmitar që adresat kanë filluar ti pasivizohen për shqiptarët e Medvegjës, tani kur atje u boshatis thuajse plotësisht, procesi po vazhdon në Bujanoc e Preshevë, ky është një diskriminim etnik ndaj shqiptarve të Luginës”, shton më tej ajo.

Gjithashtu, Fazliu ka treguar se çfarë ndodhë pas pasivizimit të adresës.

“Pas pasivizimit të adresës, në momentin e skadimit të dokumenteve ti më nuk ke të drejtë aplikimi dhe humb të drejtën e votimit, letërnjoftimit, patent shoferit, librezën e shëndetit, pasaportën, etj edhe pse ti je e lindur e rritur e shkolluar në atë vend. Në asnjë vend në botë nuk ndodhe një veprim i tillë institucional. Serbia ka garantuar në mos shkeljen e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, vijon reagimi.

Në fund të reagimit, Fazliu ka thënë se “politikanët shqiptar të Luginës së Preshevës, Prishtinës dhe Tiranës duhet të merren më seriozisht me pasivizimin e adresave sepse nëse vazhdohet me këtë avaz do të vije dita që nuk do të kemi më shqiptar në këto troje”.