SHPËRNDAJE

Dekalogu-01

DIGITALB ka bashkuar disa nga aktorët më të mirë të humorit të Shqipërisë dhe Kosovës, për të luajtur në një serial komik – DEKALOGU KUQEZI – në vetëm 10 episode me tematika të ndryshme nga njëra-tjetra dhe aktorë të transformuar nga episodi në episod, që do të na bëjnë të qeshim bashkë, të gjithë shqiptarët, andej e këndej kufirit, për të metat tona të përbashkëta.
Për ta prezantuar këtë projekt, në hotelin Swiss Diamond në Prishtinë, të enjten mbrëma kishin ardhur edhe Regjisori Altin Basha, Administratori i Përgjithshëm i DIGITALB Alban Jaho, bashkë me aktorët e serialit: Besart Kallaku, Gazmend Paja, Vedat Bajrami, Osman Azemi, Florian Binaj, Mensur Safçiu. Ndonëse në këtë serial marrin pjesë edhe aktorë dhe aktore të tjera të njohur për publikun nga “Portokalli”.

Drejtuesit e këtij projekti treguan vizionin e DIGITALB për të bashkuar shqiptarët edhe në fushën e humorit, e provuar si e suksesshme, pasur parasysh edhe projektin tjetër O’SA MIRË si dhe bashkëpunimet e aktorëve kosovarë me PORTOKALLINË. Ata treguan për tentativat e vazhdueshme të DIGITALB’IT për të pasur prezent artistë të Kosovës në projektet e tyre.

Alban Jaho, Administratori i Përgjithshëm i DIGITALB, në fjalën hyrëse në konferencë foli për vizionin e e DIGITALB dhe serialin në fjalë.

“Siç e keni vënë re prej vitesh, Digitalb e ka në logjikën e tij , të themi në fokus, bashkëprodhimet me pjesëtarët, me autorë, aktorë, regjisorë, e producentë të të gjitha trevave shqiptare.

Zhvillimet e reja kanë sjellë një situatë të re ne të cilën ne duhet tashmë ta konsiderojmë. Ajo që do të cilësoja është se të dyja të themi jetët që ne kemi shoqërore si në Shqipëri e në Kosovë, që do të thotë ju dhe ne, ju në Prishtinë dhe ne në Tiranë, jemi prezentë në jetën shoqërore. Ne jemi bashkë nëpër shkolla, stadiume, biznese, pushime verore, jemi bashkë kudo. Ky është një fakt që duhet të identifikohet por duhet edhe të konsiderohet dhe duhet ta shtyjmë përpara. Ne qe merremi me televizion dhe prodhime artistike duhet ta konsiderojmë këtë fakt”, tha Alban Jaho, Administrator i Përgjithshëm i DIGITALB.

Dekalogu-02

Sipas tij, këto prodhime, nuk duhet t’i ndalë as çfarëdo lloj kostoje duke u munduar kështu që integrimi i shqiptarëve ndërmjet veti të bëhet edhe përmes kësaj e po ashtu që të unifikohen edhe vlerat më të mira artistike dhe kombëtare.

Një frymë të tillë unifikuese, të përfshirjes së gjithë shqiptarëve, ata nuk harrojnë t’ia dedikojnë Dritan Hoxhës, themeluesit të TOP-CHANNEL.

Në lidhje me sfidat gjatë xhirimeve folën edhe aktorët dhe posaçërisht regjisori Altin Basha, i cili ndër të tjera, pas pyetjeve të gazetarëve, tregoi për të vetmin problem, që ishte unifikimi i skenarëve të shkruar nga Florian Binaj i cili shkruante në gjuhë letrare me skenarët e Vedatit të cilët ishin në të folmen e Kosovës. Por sa i përket humorit, aktorët janë transformuar në gjithsej 60 personazhe, gjatë 10 episodeve të këtij seriali. Çdo episod do të trajtojë nga një temë, si muzikën, futbollin, politikën, ushtrinë e të tjera, dhe kështu aktorët kanë role të ndryshme nga episodi në episod.

“Jemi përpjekur të shohim realitetet e bashkëjetesës mes nesh dhe njohjes tonë, të bashkimit tonë. Sigurisht në filtrin e komedisë dhe duke parodizuar disa fenomene ku i gjen në të dyja anët e kufirit të cilat shtrihen nga qeverisja deri tek njerëzit e rrugës. Nga gjithsecili prej nesh ka pak nga eksperienca e jonë e përditshme në çdo episod të Dekalogut. Gjithsecili nga ne kemi qenë pak turist në Shqipëri apo Kosovë, apo elemente të tjera se si ushtritë tona shkrihen në njëra tjetrën…etj”, tha Basha.

Ky serial do të shfaqet më 26 mars të këtij viti në DIGITALB, në kanalin T.