SHPËRNDAJE

ShaipBeqiri

Mbrëmë në ambientet e Universitetit Popullor Shqiptar të Gjenevës,në praninë e shumë artdashësve të fjalës së shkruar artistike është bërë promovimi i përmbledhjes me poezi “Hidra e Mllefit” të Shaip Beqirit.
Fillimisht mysafirët e kësaj mbrëmje letrare i ka përshëndetur zonja Albana Krasniqi – Malaj ,drejtoreshë e UPSH-së. Duke shpalosur përmbajtjen e programit zonja Krasniqi – Malaj ka folur në pika të shkurtra për jetën dhe veprën e poetit dhe publicistit Shaip Beqiri.
Pastaj vlerësime kritike mbi përmbledhjen me poezi “Hidra e Mllefit” kanë dhënë krijuesit Francesko Micieli dhe Gani Bytyçi.
Në pamundësi për të qenë i pranishëm në këtë mbrëmje letrare Xhemail Ahmeti, tani Jon Leka, njëri nga njohësit më të mirë të veprës së Beqirit dhe Arbër Ahmetaj po ashtu autor i denjë dhe për respekt i shumë veprave dhe publikimeve letrare vlerësimet e tyre rreth librit në fjalë të Z. Beqiri i kanë dërguar në formë të shkruar. Kurse ato së bashku me disa poezi të shkëputura nga libri i Beqirit i ka lexuar zonja Nerxhivane Ferati.

Krijuesi me origjinë arbëreshe Francesko Micieli e cilëson vëllimin me poezi Hidra e Mllefit si arritje të madhe të letërsisë sonë bashkëkohore ndërsa autorin Beqiri e quan mjeshtër të vërtetë të fjalës së shkruar. Micieli si njohës i shkëlqyeshëm i gjuhëve romane përmbledhjen me poezi Hidra e Mllefit të përkthyer edhe në gjuhën gjermane nga studiuesi i njohur Hans- Joachim Lanksch e konsideron edhe si libër shkencor ngase në te thotë ai i gjejmë të ndërtuara për mrekulli pothuajse të gjitha shprehjet dhe figurat stilistike si: krahasimin,epitetin,metaforën, simbolikën, alegorinë etj.

Ndërkaq Gani Bytyçi i njohur në opinion si piktor dhe krijues i vargjeve vlerësoj lartë idetë dhe porositë që dalin nga muza poetike e Shaip Beqirit.
Poezitë e Beqirit thotë Bytyçi kanë formë të organizuar mirë dhe si të tilla lidhen kuptimisht njëra me tjetrën. Në krijimet e Beqirit gjejmë plot fjalë e shprehje të reja që hasen rrallë në të folmen e përditshme dhe në libra.
Beqiri përveçse na dhuron poezi të bukura e me domethënie ai si njohës i mirë i Morfologjisë dhe i Sintaksës së Gjuhës Shqipe ndreq dhe arnon gjuhën që shkatërrohet dhe shembet pa pushim nga qerret e rënda të prozës dhe gojëtarisë ,të cilat shtypi, e televizioni i nisin çdo mëngjes në të katër anët e trojeve tona shqipfolëse. Bytyçi punën krijuese të Shaip Beqirit ,s’e sheh vetëm si pronë të kulturës sonë por atë e përcakton edhe si vlerë të kulturës gjermane, frënge,angleze,rumune, kroate e sllovene.
Fjalë rasti ka mbajtur edhe autori i kësaj përmbledhje Shaip Beqiri, i cili ka falënderuar me fjalë të përzgjedhura organizatorin e kësaj mbrëmje letrare.
Beqiri gjithashtu ka shprehur falënderim të sinqertë ndaj përkthyesit të veprës së tij Z. Hans-Joachim Lanksch, të cilin e quajti më mik se askush tjetër të shqiptarëve dhe të kulturës së tyre. Më pastaj poeti Beqiri për të pranishmit ka veçuar poezinë”Mermeri i Zbardhur” kushtuar të atit Rexhepit. Në këtë poezi autori shpreh ndenjën e fuqishme të respektit ndaj babait të tij. Natyrisht gjatë leximit të kësaj poezie hetohej dhembja e madhe dhe e arsyeshme e poetit dhe publicistit Shaip Beqiri, i cili si i përndjekur politik nuk pati mundësi që trupin e pajetë të bacës Rexhë ta lëshojë në dheun e përzier me gjak të Vendenisit të lashtë.
Pas leximit edhe të dy- tri poezive të tjera nga vet autori Grupi folklorik” Rapsodët” nga Gjeneva,pjesëmarrës të Festivalit Mbarëkombëtar”Gjirokastra 2015” ekzekutuan disa valle të bukura burimore me çfarë këtij manifestimi letrar i dhanë epitetin e njëmendtë të një mbrëmje të këndshme dhe të paharruar. /ARIF EJUPI/