SHPËRNDAJE

Ambasada amerikane në Beograd ka mësuar nga mediat rreth kërkesave për pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara në dialogun mes Kosovës e Serbisë në Bruksel.

Kështu thuhet në një përgjigje të kësaj përfaqësie diplomatike dhënë të përditshmes serbe “Danas”.

“Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të mbështesin procesin e dialogut të udhëhequr nga BE. Shpresa jonë dhe pritshmëria është që përmes këtij procesi Serbia dhe Kosova të vazhdojë normalizimin e marrëdhënieve, normalizimi do të përmirësojë jetën e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe se e gjithë kjo të ndikojë në forcimin e stabilitetit rajonal” thuhet mes tjerash në përgjigjen e kësaj ambasade.

Ditë më parë kryediplomati serb, Ivica Daçiq ka thënë se pjesëmarrja e Amerikës në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës nuk është propozim.

“Të gjitha ato që i thonë Thaçi dhe Haradinaj u demantuan absolutisht nga administrata amerikane, madje edhe ato rreth bisedimeve për Federica Mogerinin. Kjo do të thotë se ata i thanë Federica Mogerinit, se nuk qëndrojnë prapa deklaratave shqiptare. Asambleja e Përgjithshme e ka transferuar dialogun në nivel evropian, dhe çdo formë e re e ndryshimit të formatit do të nënkuptonte edhe për bisedime rreth këtij formati , atëherë edhe Serbia do të duhej të propozonte ndonjë vend tjetër që nuk është anëtare e BE-së “, ka thënë kryediplomati serb.

Kujtojmë, se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi në një intervistë për mediat serbe kishte thënë se nga zëvendëpresidenti amerikan, Mike Pence ka marrë konfirmimin se Amerika do të përfshihet më aktivisht në dialogun midis Kosovës e Serbisë.