SHPËRNDAJE

Tritoli që hedh në erë shtetarë shqiptarë, kryekomunarë, biznesmenë, banesa, komisariate, makina, qytetarë të thjeshtë dhe që provokon destabilizimin e vendit, përpunohet dhe përgatitet në Serbi.
Pas humbjes së influencës dhe interesave në Shqipëri për shkak të dominancës dhe prezencës së fuqishme truke, qarqet serbe janë hedhur në sulm, të mbështetura edhe nga politikanë me peshë në Shqipëri. Kështu, gjurmët dhe fijet e padukshme të çerdhes kryesore të tritolit, mafies së C4 dhe terrorit kombëtar me atentate me telekomandë, shtrihen drejt Serbisë dhe qarqeve antishqiptare në Beograd. Shumë dilema, teori konspirative, variante dhe teza kanë qarkulluar këto ditë për bandën e tritolit dhe mafien e C4, por vetëm njëra po konfirmohet dita-ditës, sipas të cilës tritoli vjen nga Serbia. Shërbime sekrete serbe dhe qarqe të ngatërruara interesash, të lidhura me qarqe të caktuara të politikës shqiptare, kanë riaktivizuar valën e shpërthimeve me tritol, me qëllim destabilizimin e Shqipërisë dhe lëkundjen e pozitave të qeverisë së re. Ndryshe nga sa dyshohej në fillim, Mali i Zi nuk rezulton si baza e tritolit, por thjeshtë një trampolinë e tritolit të Serbisë drejt Shqipërisë. Mali i Zi, i cili dyshohej në fillim nga organet ligjzbatuese si çerdhe e tritolit që po terrorizon Shqipërinë, është thjeshtë një rrugë kalimi për tritolin e Serbisë. Zbulimi i një bazë tritoli në Malësinë e Madhe, duket se është thjeshtë një hallkë e një zinxhiri misterioz, fundi i të cilit gjendet në serbi. Po kush qëndron pas rikthimit të shpërthimeve me tritol? Gjithçka duket se lidhet me përmbysjen e Sali Berishës nga pushteti në 23 Qershor dhe me kërcënimin e interesave të errëta serbe në Shqipëri, pas konstituimit të qeverisë së re. Rikthimi i shpërthimeve masive me tritol vjen në një kohë kur interesat dhe influencat serbe në Shqipëri janë të minuara, për shkak të rotacionit politik dhe fuqizimit të marrëdhënieve me Turqinë.

Interesat serbe dhe tritoli

Siç dihet, gjatë tetë viteve të sundimit të Sali Berishës, ekonomia shqiptare kontrollohej nga dora serbe. Energjia, punët publike, veprat publike dhe tregjet kaluan në duart e serbëve. Çdo vendim qeverie diktohej nga shërbimet serbe. Madje, sekseri i madh serbo-boshnjak, Damir Fazlliç, miku i madh i familjes “Berisha”, merrte pjesë edhe në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit në Shqipëri. Pra, Damir Fazlliç, i kërkuar ndërkombëtarisht për trafiqe dhe mashtrime, i njohur si Fazlliç është nipi i Jovica Stanishiçit, ish-shef i shërbimit sekret serb (1990-1998) gjatë sundimit të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç, merrte pjesë në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shqipërisë. Sot interesat serbe në Shqipëri janë në rrezik, ndërsa Damir Fazlliç ka menduar të shesë tokat dhe pasuritë që i dha Sali Berisha.

Ndryshon taktika

Sa herë Sali Berisha dhe shpura e tij largohet nga pushteti, vala e shpërthimeve me tritol, me suport nga Serbia, terrorizon Shqipërinë. Por, nëse pas rrëzimit të parë nga pushteti, pra gjatë viteve ’98-97, vala e tritolit ishte fokusuar tek shtyllat e tensionit dhe tek veprat publike, tashmë në shënjestër janë autoritetet shtetërore, komisariatet dhe biznesmenët. Po ashtu, nëse pas ’98, mafia dhe shërbimet serbe, kishin gisht në ekzekutimet e bujshme si dhe në nxitjen e konfrontimit mes bandave, tashmë shërbimet serbe, kanë vënë në shënjestër autoritete të larta shtetërore, duke minuar sigurinë në Shqipëri.

Idajet Beqiri: Tritoli vjen nga Beogradi

Kreu i PUK, Idajet Beqiri, ka deklaruar se tritoli në Shqipëri vjen nga Beogradi. Sipas tij, çdo lloj vepre kriminale, e ka frymëzimin te Beogradi, duke akuzuar në këtë kuadër dhe Sali Berishën për marrëdhëniet me ta. “Natyrshëm që tritoli vjen nga Beogradi. Çdo lloj vepre atje e ka frymëzimin. Situata e tritolit është e veshur me politikë. Kjo pasi tritoli vendoset dhe te shtyllat e tensionit, te drejtues të policisë së shtetit. Kjo, vjen nga politika e Berishës, i cili është i përgatitur për situata të tilla”, deklaroi Beqiri. Kreu i PUK, e ka cilësuar Berishën si UDB e vjetër dhe të re. Sipas tij, tritoli komandohet nga Berisha. “Sali Berisha është UDB-ja e vjetër dhe e re. Nëse nesër Berisha do të vinte sërish në qeveri, tritoli do të ndalonte. Sot që është në opozitë është shfaqur tritoli në masë. Duhet të kapen falangat e pushtetit të Sali Berishës”, tha Beqiri.

Fatos Klosi: Tritoli mund të importohet nga vendet fqinje

Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi, ka komentuar lidhur me valën e shpërthimeve me tritol të shfaqur në masë javët e fundit. Klosi pohoi se tritoli mundtë importohet nga vendet fqinje, ndërsa ka shtuar se ka gjithashtu, magazina në Shqipëri, të cilat posedojnë tritol. “Unë nuk besoj se tritoli mund të vijë nga Beogradi. Ne nuk mund t’ia vendosim gishtin Beogradit për çdo gjë negative që ndodh në vendin tonë. Di të them se dhe në Shqipëri ka plot magazina, miniera të cilat kanë tritol. Edhe pse është e padiskutueshme që tritoli gjithashtu, mund të importohet nga vendet fqinje”, u shpreh Klosi. Ish-kreu i SHISH ka shprehur shqetësimin për shtimin në masë të shpërthimeve me tritol. Sipas tij, Policia e Shtetit duhet të punojë për kapjen e autorëve. “Policia e Shtetit duhet të gjejë se nga vjen tritoli. Janë shtuar në masë shpërthimet dhe kjo është për tu shqetësuar”, u shpreh Klosi.