SHPËRNDAJE

Isa Mustafa e ka kuptuar se politika nuk bëhet me përbetim dhe me përjashtime. Tash, ai e ka rrëzuar gjithë platformën me të cilën erdhi në krye të LDK’së duke e sharë PDK’në dhe Thaçin. Lideri i PDK’së e kishte planifikuar me kohë vendin e punës për Mustafën. Thaçi veproi si Milo Gjokanoviçi në Mal të Zi, duke u larguar për një kohë nga vija e parë. Reagimi i Rexhep Qosjes ndaj Kryeministrit të ri ishte stalinist dhe jo human. Opozita VV, AAK dhe NISMA është e lënduar pas tentativave për të marrë qeverisjen e vendit, ku tregoi se mund të bënte lëshime edhe parimore për hir të pushtetit.
Express: Isa Mustafa, edhe si Kryeministër, po vazhdon të komentojë, pothuajse çdo akuzë publike që po i bëhet. Pati reaguar edhe ndaj deklaratës tuaj, se ishte bërë problem vendi i punës për liderin e LDK’së. Në fakt, tash Mustafa është Kryeministër. Çfarë mund të presin qytetarët nga kryeministri i ri?

A. Shkullaku: Deri diku reagimet e Isa Mustafës, edhe pasi është bërë kryeministër, janë të kuptueshme. Ai nuk erdhi në këtë detyrë si fitues i zgjedhjeve, por si zgjidhje për krizën politike që po kalonte Kosova. Në fillim Mustafa premtoi se pavarësisht se nuk mundi të dalë parti e parë, ai do ta detyronte Hashim Thaçin dhe PDK të dilnin në opozitë. Mirëpo gjërat rrodhën ndryshe dhe besoj që të paktën Isa Mustafa ta ketë kuptuar se politika nuk bëhet me përbetime dhe me përjashtime. Nga dikush që nuk pranonte as të ulej në tryezën e bisedimeve me Thaçin, tashmë është dikush që u bë kryeministër me votat e Thaçit.

Kjo situatë sigurisht që i krijon një frustrim jo të vogël, kryeministrit të ri të Kosovës. Ai është detyruar të rrëzojë gjithë platformën e tij që e solli në krye të LDK dhe të bëjë atë që bëri dhe Fatmir Sejdiu, të përqafohet me Hashim Thaçin. Por jo vetëm kaq. Mustafa ndihet në pozitë të vështirë edhe me ish partnerët e Bllokut, që tashmë e konsiderojnë një besëprerë. Ndoshta edhe ata deputetë të LDK që nuk votuan për të në Kuvend, Isa Mustafa e ka vështirë t’i shohë në sy, pasi po u kërkon të hanë një gjellë që ai vetë e ka pështyrë për katër vite me radhë. Pra kjo është një situatë që padyshim ndikon në gjendjen e kryeministrit, e për pasojë, janë të kuptueshme reagimet e tij, shpeshherë edhe emocionale. Të tillë e kam kuptuar edhe reagimin ndaj meje. Unë nuk merrem me gjetjen e vendeve të punës në Kosovë, punësimi ka qenë detyrë e kryeministrit Thaçi. Dhe ishte ai që e kishte planifikuar me kohë se ku dhe kur do të punësohej edhe kryetari i LDK.

Express: Akademik Rexhep Qosja ka nisur një polemikë me Mustafën, për të kaluarën e këtij të fundit në sistemin komunist. Në fakt, sa mund të jetë barrë e rëndë për Kryeministrin e ri bagazhi prej një politikani që po i ndërron regjimet dhe tashmë është ngjitur në pozitën më të rëndësishme në Kosovë?

A. Shkullaku: E lexova reagimin e Qosjes dhe them se fletë-rrufe të tilla nuk më lënë shije të mirë. Stili i demaskimit të dikujt, me të njëjtën frymë si dikur armikun e klasës, është stalinist dhe jo human. Isa Mustafën e njohin të gjithë në Kosovë dhe nuk ka nevojë që t’ia bëjë biografinë Rexhep Qosja, pavarësisht se mund ta ketë zanat këtë punë. Isa Mustafa është votuar nga gati 30 për qind e kosovarëve dhe kjo është e mjaftueshme për kredibilitetin e tij si politikan.

Nuk mendoj se e kaluara përbën një barrë për kryeministrin e ri të Kosovës. Barrë për të do të jetë qeverisja e mirë e vendit. Isa Mustafa do të gjykohet nga votuesit për rezultatet që do të ketë si kryeministër dhe jo për të kaluarën. Për këtë të fundit ata e kanë dhënë vendimin e tyre me kohë duke e pranuar si lider të partisë së dytë më të madhe në vend.

Express: Bazuar edhe në koalicionin e parë PDK- LDK, sa mund të ketë jetëgjatësinë rimartesa mes këtyre dy partive?

A. Shkullaku: Besoj se do ketë të plotë, pra gjithë katërvjeçarin, por nuk mund të ve bast. Hashim Thaçi është i paparashikueshëm, madje edhe për ju të Expressit që e njihni mirë, apo jo?

Express: A ka bërë llogari të gabueshme z. Thaçi, i cili shpreson se më 2016 do të bëhet President. Sa vlerësoni se janë gjasat që ish-Kryeministri të bëhet Shef i Shtetit?

A. Shkullaku: Besoj se gjasat janë reale, për sa kohë koalicioni i ri i ka votat e mjaftueshme. Nuk e di nëse Thaçi e dëshiron vërtet postin e kryetarit të Shtetit, por zgjedhja e presidentit do të jetë në një moment kur dy partnerët, PDK dhe LDK, do ta kenë testuar njëri- tjetrin. Në varësi të këtij rezultateve të këtij testimi do jenë edhe llogaritë e Thaçit, nëse do t’i interesojë presidenca ose jo.

Express: Le Monde shkroi se po përfundon epoka e Hashim Thaçit. Si e shihni të ardhmen politike të Liderit të PDK’së?

A. Shkullaku: Hashim Thaçi ka bërë epokë, kjo është e vërtetë. Por është e vërtetë gjithashtu që ai është kujdesur të ndajë pushtet dhe të mos jetë përjashtues. E ka bërë këtë për bindje apo për taktikë, kjo është diçka tjetër.

Në një farë mënyre këtë e ka bërë edhe këtë herë, por duke u tërhequr nga pozita e kryeministrit. Kjo për mua nuk shënon fundin e ndonjë epoke, por është vijimësi e një politike të zgjuar të Hashim Thaçit. Ai nuk është lideri tradicional i Ballkanit që është gati t’i vërë zjarrin gjithçkaje për të mbajtur pushtetin, ai është politikani që di edhe të tërhiqet. Thaçi e kuptoi se këtë herë vetëm tërheqja mund ta mbante në lojë, u tregua i gatshëm të negocionte me këdo edhe duke pranuar të mos ishte kryeministër, kaloi pa komplekse në pozitën e numrit dy dhe sigurisht që pret kohë e tij për t’u rikthyer.

Pas dy mandateve, kjo tërheqje është edhe një lloj katharsisi i Thaçit, që i shërben atij dhe PDK për zgjedhjet e ardhshme. E kemi parë një taktikë të tillë edhe tek Milo Gjokanoviçi në Mal të Zi. Largimi nga vija e parë për disa kohë, si e vetmja mundësi për t’u rikthyer sërish pa u bërë i mërzitshëm për votuesit.

Express: Po, e ardhmja politike e Isa Mustafës? Mund të bëhet edhe një herë Kryetar i LDK’së?

A.Shkullaku: Tashmë që është kryeministër nuk do të ketë pengesë për t’u rizgjedhur edhe në krye të LDK. Por pas një mandati katër vjeçar qeverisje, nuk e di se çfarë mund të shpiki për të fituar zgjedhjet e ardhshme. Teza e vetme që e mbante në këmbë si politikan, ajo e anti thaçizmit, ka rënë dhe për rrjedhojë ndoshta edhe arsyeja e ekzistencës së lidershipit të Mustafës.

Express: Thaçi dhe PDK kanë marrë Ministritë që lidhen me politikën e Jashtme dhe me dialogun, kurse, LDK ka marrë ato ekonomike. Ishte ky taktizim i Thaçit që pas përfundimit të koalicionit të tregojë sukseset e tij dhe dështimet e LDK’së në ekonomi?

A. Shkullaku: Nuk e përjashtoj mundësinë që Thaçi ka ditur të zgjedhë. Nëse gjatë drejtimit të politikës së jashtme prej tij, qytetarëve të Kosovës u hiqen vizat me BE dhe avancohen proceset integruese, Hashim Thaçi do të ketë me çfarë të bëjë fushatë në zgjedhjet e ardhshme.
Express: Sa mund të bëjnë opozitë AAK, VV dhe NISMA përballë një Qeverie me më shumë se 80 vota në Kuvend?

A. Shkullaku: Për mua nuk kanë rëndësi numrat por cilësia e opozitës. Kjo opozitë nuk do ta ketë problemin në raportin e forcave me mazhorancën, por me krijimin e besimit tek vetja. Ajo vjen e lënduar pas tentativave për të marrë qeverisjen e vendit, ku tregoi se mund të bënte lëshime edhe parimore për hir të pushtetit. Opozita ka nevojë për një strategji të re dhe jo më të orbitojë rreth figurës së Hashim Thaçit. Tërheqja e Thaçit ka krijuar një vakuum që opozita ende nuk është e qartë se me çfarë do ta mbushë. Isa Mustafa sa është një shënjestër po aq është edhe një mundësi për ndonjë koalicion të nesërm, gjë që e vështirëson opozitën e fortë ndaj qeverisjes. Por nëse opozita, veçanërisht VV arrijnë ta kthejnë besimin e njerëzve, kanë një mundësi për t’u shndërruar në forcën e dytë më të madhe politike.