SHPËRNDAJE

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prishtinës, Shpend Ahemti, është shprehur i bindur për fitore në zgjedhjet e 22 tetorit, duke thënë se në mandatin e dytë do të fitojnë edhe në kuvendin komunal.

Gjatë një tubimi me qytetarë të “Kodrës së Trimave” në Prishtinë, Ahmeti tha se Vetëvendosje po rritet hovshëm dhe se fitorja është e padiskutueshme.

“Kjo rritje është shenjë e mirë për Kosovën në përgjithësi dhe për Prishtinën në veçanti. Mandatin e dytë do ta kemi mandat të plotë, me fitore të thellë dhe me Kuvend Komunal. Do të punojmë në vazhdimësi bashkë me të gjithë qytetarët për ta zhvilluar qytetin dhe për t’i shtrirë shërbimet tona njësoj në çdo lagje”, tha Ahmeti.

Deputeti Glauk Konjufca tha se qeverisja e Vetëvendosjes në Prishtinë, i ka dhënë fund spekulimeve të kundërshtarëve për mënyrën se si qeverisin.

“Ata shpifnin për ne, sepse i frikësoheshin qeverisjes sonë. I frikësoheshin, sepse e dini shumë mirë që në momentin kur Vetëvendosjes i jepet rasti ta tregojë veten, do të pamundësohet kthimi prapa dhe nuk do të mund të na ndalin më”, tha Konjufca.