SHPËRNDAJE

Pas rrëzimit të komunizmit, janë me dhjetëra e qindra fraza që nuk përdoren më. Ato kanë mbetur fosile të atij regjimi që shoqëria jonë u mësua t’i përdorë në komunikim. Por në rrethanat e sotme, nuk kanë vlerë. Ja shprehjet më tipike, të cilat nga viti 1990 e deri më sot, ose janë rralluar në përdorim ,ose nuk përdoren fare.

T’u bëftë gjak e dhjamë!

Kishte kuptimin që, ushqimin që po haje, të shërbente për t’u shëndoshur. Dhe kjo frazë përdorej kur uroje dikë që hante. Një problem që sot është kaq shqetësues për masën e shoqërisë. Ndryshe ishte dikur. Popullsia që në përgjithësi ishte e dobët, kishte nevojë ndoshta edhe për kolesterol.

Të merr gjak në vetull!

Përdorej për dikë që ishte i zoti dhe bënte gjithçka. Sot, nëse dikujt do t’i drejtoheshim me këto fjalë, do na merrte për kanibal. Në fakt, nëse e mendon si veprim fjalë për fjalë, është shprehje e tmerrshme, por në atë kohë, përdorej shpesh, por madje edhe në letërsi dhe këngë.

Si veshka në mes të dhjamit

Përdorej për njerëzit që jetonin shumë mirë. Dikush që jetonte mes të mirave dhe për ta treguar këtë, artikulohej veshka, që në këtë rast është e rrethuar me dhjamë.

Banja e të dielës

Deri në vitin 1990, çdo shqiptar lahej vetëm një herë në javë. Kjo ishte e diela. Sot është turp ta dëgjosh, por në atë kohë ishte rregull i pashkruar. Ironia është se, kontrolli i pastërtisë bëhej nëpër shkolla çdo ditë të hënë dhe, në përgjithësi, shkolla dilte e larë.

Më jep pak farë kosi

Sot nuk e beson kush që dikur ishte më se normale që të shkoje te fqinja dhe të kërkoje një filxhan me kos, për ta përdorur si farë për të zënë qumështin për kos.

Më dërgoi mamaja për mullirin e kafesë

Deri në vitin 1990, ishte më se e nevojshme të kishe në shtëpi kafe dhe ta piqje, por nuk ishte e domosdoshme që të kishe mullirin që e bluante atë. Mund të shkoje te fqinja dhe ta kërkoje dhe kjo ishte e zakonshme. Prindërit urdhëronin fëmijët dhe ata i binin ziles.

Nuk kam çupë për të martuar

Ishte një shprehje që përdorej nga babai i një vajze, të cilit dikush i kishte propozuar për t’u martuar me të. Për t’u treguar kategorik, babai i vajzës në vend të fjalës jo, thoshte nuk kam vajzë për të martuar.

Është aq i urtë, sa do e martojë lagjja

Djalin e sjellshëm dhe të tërhequr, nuk para e preferonin gjatë komunizmit. Duhej ai djali i lëvizur, çapkën, i hedhur, mundësisht me muskuj dhe boksier. Por ai i urti ishte jashtë mode. Aq sa doli shprehja se do ta martonte lagjja. D.m.th. do mblidhej këshilli i lagjes dhe do t’i caktonte një nuse.

Dhjetë vajza të kem, nuk ia jap nuse atij!

Babai ishte ai që vendoste për vajzën. Por kur ai nuk e kishte me sy të mirë kandidatin, ai kishte në majë të gjuhës shprehjen: Dhjetë vajza të kem, nuk ia jap atij nuse.