SHPËRNDAJE

Jose Carlos Noronha, kirurgu që operoi sulmuesin e Monacos, Radamel Falcao beson se ylli kolumbian mund të rikuperohet për Kampionatin botëror në Brazil. Fillimisht dyshohej se golgeteri i Monacos ka humbur gjasat të udhëtojë me Kolumbinë në Brazil pasi lëndoi ligamentet kruciale të gjurit në një ballafaqim të Kupës së Francës në janar. 

Mirëpo, Noronha ka thënë se Falcao është rrugës së mirë për t’u rikthyer në fushë para qershorit. “Secili rast është i ndryshëm, por ai është në rrugën e duhur”, deklaroi Noronha për të përditshmen sportive franceze ‘L’Equipe’. “Ai është duke u rikuperuar shumë mirë. Ende besoj se mund të luan në Kampionatin botëror, nuk ka asnjë arsye pse të mos ndodh kjo”. 

Falcao ka shënuar 21 gola në 51 paraqitje për Kolumbinë që do të luajë në Grupin C së bashku me Greqinë, Bregun e Fildishtë dhe Japoninë. Dhe, shpresat e Kolumbisë për t’u kualifikuar tutje dhe të lë gjurmë në Botërorin në Brazil varen shumë nga Falcao i cili është pa dyshim futbollisti kryesor i ekipit.