SHPËRNDAJE

Policia e Elbasanit ka filluar që ditën e djeshme të marrë masat e ndeshjes që luhet sot, duke vendosur barriera te rrugët që do të bllokohen, në mënyrë që të mos lejohet edhe lëvizja e makinave që të çojnë në stadium. Duke filluar nga ora 07:00 e mëngjesit të sotëm nuk lejohet parkimi i makinave në bulevardin kryesor, pasi e gjithë rruga do të jetë e bllokuar. 

Edhe në ambientet pranë stadiumit po krijohen zonat në të cilat do të bëhet lëvizja e kontrolluar e njerëzve që e kanë një biletë dhe do të hyjnë në stadium për të parë ndeshjen. 

Policia e Elbasanit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, kanë garantuar rendin dhe qetësinë ditën e sotme, ku do të ketë forca të shumta të efektivëve blu. 

Ndërkohë, dita e sotme në Elbasan duhet të konsiderohet si një ditë pa makina, të paktën pas thirrjes që bëri një ditë më parë Drejtori i Policisë së Qarkut, Neritan Nallbati. 

Ndërkohë, sa u përket parkingjeve, mësohet se në sheshin prej 400 vendesh te stadiumi, nuk do të lejohen makinat për tifozët e thjeshtë, por vetëm për VIP-at dhe median, si edhe personat e tjerë zyrtarë të institucioneve të ndryshme. 

Në orën 16:00 do të nisë kontrolli i të gjithë stadiumit dhe rreth tij nga policia e Elbasanit, garda dhe specialistët antieksploziv. Në oren 17:00 do të nisë hyrja e tifozëve.