SHPËRNDAJE

Serbi-Shqiperi

Tifozët nga Kosova mund të mbesin pa biletë për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë, e cila do të luhet më 4 tetor në stadiumin “Elbasan Arena”.
Shkak për këtë është vendimi që FSHF-ja mori, në bazë të cilit nuk do lejohet shitja e biletave pa kartë identiteti, për të shmangur personat që mund të shkaktojnë incidente. Por, ky vendim prek shqiptarët në Kosovë, të cilët nuk disponojnë kartë identiteti shqiptare.

Ndërkohë që, ende nuk është sqaruar situata për tifozët e zjarrtë nga Kosova, nuk dihet nëse do të lejohen ose jo të ndjekin ndeshjen në stadium.

Nëse për blerjen e një bilete nevojitet karta e identitetit shqiptare, pritet që FSHF-ja të sqarojë se si do të shiten biletat për tifozët shqiptarë nga Kosova dhe ata të Maqedonisë, të cilët do kenë mundësi t’i blejnë biletat vetëm pak orë para ndeshjes, kohë kjo e panevojshme për të verifikuar se cilët persona përbëjnë rrezikshmëri e cilët jo.

Nëse do të lejohet blerja e biletave përveçse prezantimit me kartë shqiptare, kjo do të hapte një problematikë tjetër për FSHF-në, e cila do t’i duhet të kërkojë informacion të detajuar nga autoritetet kosovare, maqedonase e malazeze, lidhur me tifozët shqiptarë që do të përkrahin Kombëtaren. /Shekulli/