SHPËRNDAJE

Mbajtja e maskës mbrojtëse nga kjo e enjte është kthyer në detyrim për qytetarët në Shqipëri.

Në zbatim të këtij vendimi janë angazhuar 2000 punonjës policie, megjithatë në ditën e parë të këtij rregulli të ri nuk kanë munguar “rebelët”.

Rreth 2000 efektivë të policisë së shtetit kanë zbritur në terren në zbatim të aktit normative që detyron qytetarët të mbajnë maskë mbrojtëse në ambientet jashtë banesës.

Në këtë ditë të parë të hyrjes në fuqi të aktit normative, efektivët janë udhëzuar më së shumti për të këshilluar qytetarët sesa për ti gjobitur. Masa administrative e parashikuar është 3 mijë lekë ndërsa në rast përsëritje shkon në 5 mijë lekë.

Në pjesën më të madhe ky rregull është zbatuar nga qytetarët të cilët e kanë mirëpritur vendosjen e maskës por nuk kanë munguar as të “pabindurit”.

“Kam 3 copë, që i qarkulloj, nëse lëviz dy herë nga shtëpia marr tjetrën. Pse nuk e keni vendosur sipër hundës? Tani duhet ta kisha vendosur, kurse kur jam vetëm nuk ka nevojë, duhet të thith ajër sa më shumë,” – u shpreh një qytetar.

“Njeriu duhet të ruhet vetë, nuk ka nevojë të bëj propagandë” – tha një tjetër.

“Ta ngre maskën më bëhen syzet me avull, prandaj nuk e mbaj tek hunda. Sa kushtoi maska? 100 lekë dhe lahet,” – tregoi një qytetar tjetër.

“Nuk e mbaj dot,” – u shpreh një tjetër, ndërsa “kam probleme me frymëmarrjen kur eci shumë. Me rregullat e reja, duhet një rekomandim mjeku? Atëherë do e marr në konsideratë” – u përgjigj një tjetër qytetar.

Të angazhuar për zbatimin e këtij rregulli janë efektivët e policisë së rendit, rrugores dhe specialistët e zonës. Monitorimi I qytetarëve në rrugë apo në zona të banuara kryhet nga efektivët e policisë së rendit dhe specialistët e zonës.

Për kontrollin e automjeteve janë angazhuar punonjësit e policisë rrugore , me qytetarët të cilët në rast se udhëtojnë të vetëm nuk e kanë detyrim mbajtjen e maskës, ndërsa barriera mbrojtëse duhet përdorur në rast se në makinë qarkullojnë më shumë se 2 persona.

Në rastet kur qytetarët konstatohen pa maskë dhe me vete nuk disponojnë kartën e ID, efektivi do të ndërmarrë shoqërimin e tij në komisariat për të bërë identifikimin e tij e më pas vendosjen e masës administrative të parashikuar.