SHPËRNDAJE

Në nivel global, në lindje, meshkujt janë më të shumtë në numër se femrat.

Ky raport fiksohet në 1.05 meshkuj për 1 femër, dhe pak a shumë ky është një standard mbarë global, që është rrjedhojë e natyrës, duke qenë se meshkujt përballen më shumë gjatë jetës me vdekje aksidentale dhe të parakohshme.

Shqipëria ndërkohë është jashtë këtij standardi, jo sepse raporti është në favor të femrave, por se, thellohet më shumë në favor të meshkujve.

Madje, vendi ynë është një ndër 12 vendet me “inflacionin” më të lartë të meshkujve në lindje në botë.

Këtë e thotë një studim i sapo publikuar shkencor i Akademisë së Shkencave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Shqipëria evidentohet si një ndër 12 shtetet me problematikën më të madhe në këtë drejtim, dhe ku ka 1.08 meshkuj për 1 femër në lindje, çka do të thotë se për çdo 100 femra, lindin 108 meshkuj.

Në krahasim me 11 shtetet e tjera, rezulton se, jemi në vend të 6-të, çka do të thotë se, në nivel global vetëm 5 shtete kanë një raport më të çrregullt se vendi ynë, raporton SCAN.

Të dhënat i referohen vitit 2017 dhe tregojnë se në periudha të caktuara dhe në zona të caktuara ky raport ngjitet deri në 1.12.

Sipas studimit shkencor, inflacioni i meshkujve në Shqipëri vlerësohet të ketë filluar në vitin 1988.

Rekordi maksimal, pra në 1.12 meshkuj për 1 femër është vendosur në vitin 2006.

Ndër të tjera, mes rreshtave thuhet se arsyeja kryesore e këtij raporti jo normal mes meshkujve dhe femrave në lindje është aborti selektiv, një fenomen ende i përhapur në shumë vende, e sidomos në Shqipëri, po të kemi parasysh këto të dhëna.

Mentaliteti ende primitiv në shumë rajone nxit këtë “inflacion” meshkujsh, duke qenë se prindërit preferojnë fëmijë meshkuj, dhe jo femra.

Studimi zbulon se, që prej vitit 1970, në këto 12 shtete të evidentuara, aborti selektiv ka çuar në 23 milionë femra të munguara.