SHPËRNDAJE

Drejtues të Delegacionit Evropian japin mbështetje të fuqishme drejtuesve institucional të Preshevës në realizimin e të drejtave të shqiptarëve në kuadër të Republikës së Serbisë, këtë e ka konfirmuar në deklaratën për media pas takimit që kishte me delegacionin evropian, kryetari i komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.

Arifi ka potencuar se ky delegacion ka vlerësuar lartë qasjen e pushtetit lokal tek ne si një qasje e re politike dhe me energji të re e cila është konform politikave të Bashkimit Evropian. Kryetari i komunës së Preshevës gjatë takimit të djeshëm ka kritikuar raportin e Bashkimit Evropian karshi Serbisë që ka të bëjë me të drejtat e shqiptarëve në Luginë sepse sipas tijë në këtë raport Lugina përmendet vetëm se me një fjali.

Pozicioni i shqiptarëve të Luginës duhet të sensibilizohet më tepër në raportet evropiane në mënyrë që Serbia të shtyhet për të marrë hapat e duhur kundrejt kërkesave të shqiptarëve ka thënë ndër të tjera i pari i Preshevës. Në takimin e djeshëm Delegacioni Evropian me kryetarin e Preshevës kanë pohuar sërish përkrahjen në realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me vendin tonë.

Vlen të përmendet se donacionet evropiane kanë ndihmuar realizimin e projektit që kishte të bëjë me ndërtesën e ndihmës së shpejtë në Preshevë. Për proceset politike nëpër të cilat po kalon Lugina ka folur me Delegacionin Evropian edhe zëvendës kryetari i komunës, Armend Aliu duke paraqitur faktet e proceseve në periudha të caktuara./presheva.com/