SHPËRNDAJE

Përfaqësuesit e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, nuk janë optimistë se do të mund të bëhen pjesë e qeverisë së re të Serbisë. Ata thonë se shqiptarët gjithmonë kanë qenë të gatshëm të punojnë për të drejtat e tyre në këtë pjesë të Serbisë.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, i cili vjen nga Partia Demokratike, tha për Radion Evropa e Lirë, se shqiptarët e luginës kanë shprehur vullnet që të jenë pjesë e qeverisë së re me kusht që të avancohen të drejtat politike dhe individuale të shqiptarëve në Luginë e Preshevës.

“Sipas asaj që përmenden shqiptarët në opinion në aspektin negativ nga ana qeveritare e Republikës së Serbisë, nuk kemi ndonjë shpresë se shqiptarët do të jenë pjesë përbërëse e qeverisë së ardhshme”, tha Arifi.

Pas zgjedhjeve të 21 qershorit, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka takuar përfaqësuesit politikë të shqiptarëve. Në ketë takim është thënë se shqiptarët kanë parashtruar kërkesat e tyre për mundësinë e të qenurit pjesë e qeverisë. Vuçiq nuk u ka dhënë ndonjë përgjigje në takim, derisa pala shqiptare është në pritje të një ftese tjetër para formimit të qeverisë se re.

Shqiptarët kanë shprehur interesim për të marrë pjesë në qeveri dhe kanë kërkuar Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale, postin e ndihmësministrit të Ekonomisë, atë të Sekretarit të Shtetit në Ministrinë e Arsimit dhe pozicionin e presidentit të Trupit Koordinues.
Edhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Ragmi Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë, se është shumë e vështirë që shqiptarët të jenë pjesë e qeverisë së re të Serbisë.

“Në këtë drejtim shoh mundësi të vogla minimale. Megjithatë, konsideroj se shqiptarët do të duhej të kenë një qasje pragmatike në drejtim të zgjidhjes së problemeve jetike. Për ne është e rëndësishme kjo që përfaqësuesit tanë të përfaqësojnë interesat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tha Mustafa.

Mustafa theksoi se nëse Partia Përparimtare e udhëhequr nga presidenti aktual në Serbi, Aleksandar Vuçiq, do të ndryshojë diskursin e deritanishëm me shqiptarët në Serbi, duhet që ata të përfshihen në qeveri.

Edhe Kujtim Sadriu, drejtor i Qendrës për Kërkime dhe Monitorim në Preshevë, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk pritet që shqiptarët të jenë pjesë e Qeverisë së Serbisë, e as të marrin poste ministrore.

Megjithatë, ai thotë se njeri nga deputetët e zgjedhur shqiptar për parlamentin e Serbisë [Shaip Kamberi], mund të bëhet pjesë e qeverisë.

“Serbia nuk është në atë gjendje t’i ofrojë shqiptarëve ndonjë pozitë çfarëdo qoftë në qeverinë e ardhshme. Mund të ketë ndonjë pozitë ose që ndonjë nga shqiptarët të jenë pjesë e Këshillit të Arsimimit siç kanë qenë çdo herë, deri aty, a më lartë ndonjë pozicion nuk e besoj që Qeveria e Serbisë të jap. Partia për veprim Demokratike i pranon këto pozita të vogla që janë për arsye partiake dhe farefisnore e jo për interesa të shqiptarëve të Luginës së Preshevës”, tha Sadriu.

Deklarimet se Partia për Veprim Demokratik, mund të marrë ndonjë pozitë edhe nëse partitë e tjera nuk hynë në koalicionin qeverisës në Serbi, janë hedhur poshtë nga vet kryetari i kësaj partia Shaip Kamberi.

“Kërkesa jonë primare ka të bëjë me planin shtatë pikësh. Nëse nuk kemi përgjigje konkrete, jo partia jonë, nuk e besoj që as deputetët e partive të tjera do të pranojnë të jenë pjesë e asaj qeveria”, tha Kamberi.

A do të jenë shqiptarët pjesë e Qeverisë serbe?

Plani shtatëpikësh ka të bëjë me marrjen e masave urgjente për të përmirësuar kushtet dhe pozicionin e komunitetit shqiptar në Luginën e Preshevës, realizimin e të drejtave kolektive dhe integrimin e mëtutjeshëm në institucionet e sistemit – policia, gjyqësori dhe arsimi.

Pesë parti politike shqiptare në komunat në jug të Serbisë, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc – që njihet edhe si Lugina e Preshevës – në zgjedhjet e 21 qershorit kanë marrë pjesë në zgjedhjet e Serbisë duke garuar me një listë të unifikuar zgjedhore. Si rezultat i këtij uniteti, shqiptarët kanë siguruar tri ulëse në Kuvendin e Serbisë.(Evropa e lirë)