SHPËRNDAJE

Shtabi i Krizave për luftën kundër koronavirusit në Serbi ka marrë një vendim që të gjithë shtetasit e Serbisë, të cilët po qëndrojnë jashtë vendit, duhet të kthehen deri të Premten në orën 6 pasdite.

“Ne u bëjmë apel të gjithë qytetarëve që të kthehen në vendin e tyre deri në fund të kësaj jave, sepse pas kësaj do të kemi një regjim të ndryshëm për këdo që hyn në vendin tonë,” tha Dr. Darija Kisiq Tepavçeviq.

Zëvndës drejtoresha e Institutit “Batut” tha se numri më i madh i vendeve në Evropë regjistroi një rritje rekord në numrin e rasteve.

Sipas saj, në ditët në vijim, masat shtesë do të specifikohen dhe do të njoftohen për publikun.

Ajo gjithashtu tha se rekomandimet e reja të të gjitha organizatave kryesore shëndetësore janë një rekomandim prej 10 ditësh karantinë pas kthimit nga një vend ku situata epidemiologjike është e pafavorshme.

“Nuk do të bëhet fjalë për karantinë dhe vetëizolim, por për mbikëqyrje që do të përfshijë disa masa dhe aktivitete në mënyrë që të zvogëlohet transmetimi i virusit dhe importi i rasteve nga jashtë,” tha ajo.

Pritet që në seancën e sotme të merret një vendim nëse qytetarët e Serbisë, të cilët janë kthyer ose po kthehen nga pushimet verore në Malin e Zi dhe Kroaci, do të duhet të shkojnë në vetëizolim dhjetëditor.