SHPËRNDAJE

Web faqet e ndryshme që hapen në kuadër të institucioneve të ndryshme, qoftë private apo shoqërore hapen për qëllim që të kenë komunikim më kualitativ si dhe të paraqesin informacione shtesë për të interesuarit dhe qytetarët.

Shtëpia e shëndetit në Bujanoc, posedon një web faqe, e cila sipas vështrimit dhe surfimit të parë, përditësohet shpesh, dhe ka informacione të ndryshme që kanë të bëjnë me akutalitete, lajme, shërbime të pacientëve dhe informacione shtesë që janë të nevojshme për pacientë.

Siç ka hulumtuar presheva.com, në bazë të të dhënave që jep domaini ku është e regjistruar për mirëmbajtjen e faqes, përditësimi i fundit ka qenë në maj të vitit 2013 ku edhe është ndërruar edhe dizajni.

Sipas të dhënave që ka presheva.com, kjo web faqe nuk ka pasë koncept të tillë, edhe pse ka pasë pak informacione në gjuhën shqipe, më vonë, me ardhjen e drejtoreshës së re, web faqja ka ndryshuar edhe konceptin e faqes, duke e shëndrruar në web faqe vetëm në gjuhën serbe edhe atë me shkronja të alfabetit qirilik.

Kërkuam në meny “gjuhën shqipe”, siç duhet të jenë edhe web faqet e zakonshme në disa gjuhë, për të kërkuar informacionet e njejta që janë të vendosura në gjuhën serbe, përveç në titullin “Dom Zdravlja” ku është e shënuar “Shtëpia e shëndetit”, tjetër informacion në gjuhën shqipe nuk mund të gjesh as edhe një kontakt të vetëm.

Edhe në menynë e shërbimit të pacientëve, asnjë edhe informacion më i vogël nuk mund të gjendet në gjuhën shqipe, që mund të jetë i rëndësishëm për pacientët shqiptar në Komunën e Bujanocit.

Detyrën e drejtorit në Shtëpinë e shëndetit  në Bujanoc e kryen pedijatri Lela Jovanoviq, të cilën e ka emëruar Kuvendi Komunal në Bujanoc, pas zgjedhjeve lokale të vitit 2012, duke zëvendësuar ushtruesin e detyrës, internistin Nebojsha Stojanoviqin./presheva.com/