SHPËRNDAJE

Ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë po kundërshtohet nga i gjithë spektri politik në Kosovë.
Kundërshtari më i madh i kësaj iniciative, e cila vlerësohet si e rrezikshme, është kryeministri Ramush Haradinaj.
Me këtë konstatim pajtohet edhe Gjermania, Britania, por jo edhe Austria.

Prejse ka nisur faza përmbyllëse e dialogut Kosovë – Serbi në publik kanë nisur të shpërfaqen ide të ndryshme lidhur me atë se si do të duket marrëveshja finale mes dy vendeve.
Një ndër to është edhe opsioni i korrigjimit të kufirit me Serbinë, të cilin tash e disa muaj është duke e proklamuar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.
Por sikurse skena politike në vend, e cila nuk është e njëzëshme sa i përket korrigjimit ose shkëmbimit të territoreve, ashtu e ndarë rreth kësaj çështjeje po rezulton të jetë edhe skena ndërkombëtare.
Derisa Austria ka bërë të ditur troç se e mbështet një marrëveshje e cila në vete përmban shkëmbim të territoreve, SHBA-ja ka pohuar se dyja palët negociuese duhet ta përpilojnë vetë përmbajtjen e çdo marrëveshjeje.
Po ashtu edhe zyrtarë të Ambasadës së Francës në Kosovë i kanë thënë gazetës “Zëri” se Franca mbështet çfarëdo marrëveshje që arrihet mes dy vendeve.
Por kundër opsionit të korrigjimit e shkëmbimit është pozicionuar kategorikisht Gjermania, zyrtarë të së cilës në vazhdimësi kanë thënë se lëvizja e kufijve mund të sjellë vetëm konflikt në Ballkan.
Pos Gjermanisë, edhe Britania e Madhe është deklaruar kundër një skenari, i cili do të mundë të përfshinte shkëmbim të territoreve.