SHPËRNDAJE

Në Maqedoni vazhdojnë të përdoren diplomat e falsifikuara që janë lëshuar në përdorim pa u vënë re nga institucionet.

Rrjeti Ballkanik për Raportime Investiguese BIRN (Balkan Investigative Reporting Netëork), përshkruan në detaje këtë dukuri, ku si shembull trajtohet një hulumtim mbi USHT.

Diplomat e falsifikuara të Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT) mësohet të jenë shitur me shumicë në fshatin Sellcë të Tetovës. Në nëntor të vitit të kaluar, Ministria e Punëve të Brendshme në një nga shtëpitë e këtij fshati zbuloi një mini-punëtori, në të cilën janë përgatitur diplomat falso.

Një banor i fshatit, i moshës 30-vjeçe, në podrumin e objektit ka përgatitur vërtetimet e fakulteteve dhe të njëjtat ua ka shitur shtetasve italianë. Pjesa më e madhe e diplomave kanë mbajtur logon e Fakultetit të shkencave mjekësore pranë Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Pas përgatitjes së diplomave, firmosje dhe vulosjes së tyre, falsifikuesi i ka çuar të njëjtat në zyra përkthimi të autorizuara, ndërsa përkthimet i ka vërtetuar në noter. Në këtë mënyrë ai ka arritur të lëshojë në përdorim gjashtë vërtetime. Problemet e këtij personi lindën me 16 vërtetimet e radhës. Noteri përkatës ka dyshuar në origjinalitetin e dokumenteve dhe ka denoncuar rastin në polici.
Në punëtorinë e falsifikuesit policia arriti të gjej fotografi të personave të ndryshëm me banim në Itali, dokumente të parapara për t’u dërguar në Kroaci dhe dy fletore me emrat e “akademikëve”, “të diplomuarve” dhe “mjekëve potencial”.

Hetimet e këtij rasti duhet të vërtetojnë nëse banori i fshatit Sellcë ka zhvilluar vetë biznesin ose në skemën e falsifikimit janë përfshirë edhe individë të tjerë.

“Hetimet e rastit janë duke vazhduar. Zbulimi i rastit bëri të mundur arrestimin e disa personave dhe marrjen e masave dhe veprimeve plotësuese për të siguruar provat e nevojshme lidhur me të gjitha diplomat dhe dokumentet që janë përgatitur ilegalisht dhe falsifikuar, por edhe me gjetjen e të gjithë personave që kanë keqpërdorur dokumentet e falsifikuara”, tha për BIRN zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ivo Kotevski.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski, megjithëse paralajmëroi kontrolle më të rrepta në institucionet e arsimit sipëror, nuk është shqetësuar shumë me rastin e fundit që u zbulua në fshatin Sellcë sepse sipas tij nuk bëhet fjalë për krim të organizuar, ndërsa cilësia e dokumenteve të falsifikuara ka qenë shumë e dobët.

“Rastin e fundit do ta kisha cilësuar si një budallallëk të personit që ka tentuar të përgatis dokumentet falso. Në rastin konkret u falsifikuan diploma të Fakultetit të shkencave mjekësore, fakultet ky i cili asnjëherë nuk ka lëshuar diploma sepse studimet e mjekësisë janë aktive rreth 3 vjet, që tregon qartë naivitetin e personit në fjalë. Gjithashtu, falsifikimi i dokumenteve mund të vërehej shumë lehtë sepse për përgatitjen e tyre ishte përdorur një vulë e vjetër”, tha Ristovski për BIRN.

BIRN kërkoi përgjigje nga Universiteti Shtetëror i Tetovës për të gjitha rastet e falsifikimit të dokumenteve që janë zbuluar deri më tani, për mënyrën me të cilën universiteti ballafaqohet me këtë lloj krimi dhe për hetimet e rastit të fundit që u zbulua në fshatin Sellcë, por nuk fituam përgjigje.

Ndërkohë, Ministria e Punëve të Brendshme verifikon nëse formularët në të cilët janë shtypur diplomat janë origjinalë ose bëhet fjalë për dokumente të falsifikuara nga ana e banorit të fshatit Sellcë. Vërtetimi i supozimit të parë do të thotë që në biznesin ilegal janë involvuar strukturat e Universitetit Shtetëror të Tetovës.

Njëkohësisht, ky rast është duke u hetuar edhe nga ana e policisë italiane, e cila përpiqet të zbulojë personat që kanë blerë diploma të falsifikuara të përgatitura në fshatin Sellcë dhe të pengojë legalizimin e këtyre diplomave në sistemin italian.

Maqedonia për herë të parë u ballafaqua seriozisht me problemin e diplomave të falsifikuara gjatë periudhës së viteve 2000-2001. Gjatë këtyre viteve u zbuluan shumë diploma të falsifikuara nga Bullgaria, por edhe nga Kosova. Pjesa më e madhe e këtyre diplomave u zbuluan në Fakultetin Ekonomik në Shkup, në të cilin dokumentet e falsifikuara pritën nostrifikimin. Më vonë u vërtetua se “studentët e diplomuar” në Bullgari jo vetëm që nuk kishin mbaruar fakultetin përkatës, por ato as që kanë qenë të regjistruar në fakultet. Katërmbëdhjetë vjet më vonë, nga kjo distancë kohore, profesori Nenad Novkovski, ish ministër i arsimit, thotë se edhe sot e kësaj dite ekzistojnë shumë situata të paqarta lidhur me skandalin e diplomave të falsifikuara.

“Sipas statistikës së Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë periudhës së viteve 2008-2013 janë ngritur më shumë padi penale. Gjatë kësaj periudhe janë zbuluar 18 diploma të falsifikuara dhe 49 dëftesa të falsifikuara”, tha Kotevski.

Rasti i fundit me Universitetin Shtetëror të Tetovës nxiti përsëri dyshimet dhe spekulimet, ngriti mosbesimin në institucionet e arsimit sipëror dhe konfirmoi ekzistimin e boshllëqeve të sistemit. Ky rast zbuloi se kemi të bëjmë me individë që transmetojnë njohuritë, të cilët në fakt kanë blerë statusin e tyre me para. (BIRN)