SHPËRNDAJE

Rezultatet e zgjedhjeve për Këshillin Nacional, tashmë janë bërë publike, por nuk dihet se kur do të konstituohet ky institucion i lartë reprezentatues i shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Fitorja e ngushtë e koalicioneve dhe mospajtimet midis partnerëve, nuk japin shenja pozitive se së shpejti mund ta kemi Këshillin me përbërje të re Nacionale.

Këto mospajtime partiake, nuk janë të sodit, ato datojnë shumë më herët e të cilat po përsëriten nga një palë e zgjedhjeve në tjetrën.

Sindromi i blloqeve politike kosovare, po bartet edhe në Luginë të Preshevës. Partitë politike shqiptare, të cilat nuk janë të pakta, kanë një përvojë të hidhur sa i përket zgjedhjeve të të gjitha niveleve.

Ky mosunitet shpesh ka shkaktuar jo vetëm ngërç politik, por edhe përçarje dhe bllokim të proceseve demokratike, të cilat më së shumti i kanë kushtuar qytetarëve të këtij rajoni. 

Shpallja e zgjedhjeve për Këshill Nacional, lëre që grupizoi spektrin politik në disa koalicione, por edhe krijoi një huti tek qytetarët me konstatimet: të dilet apo të bojkotohen zgjedhjet për shkak diskriminimit sistematik të Beogradit ndaj shqiptarëve në Luginë.

Ky konfuzitet po krijohet edhe pas zgjedhjeve, duke krijuar një vakum artificial rreth konstituimit të Këshillit Nacional, ngjashëm si në Kosovë. 

Takimi i dy koalicioneve partiake: LPD-PDSH-RD dhe PD-BDL te Restorant “Rozafa”, pa koalicionin PVD-UDSH, tregon se përbërjen e re të Këshillit Nacional, vështirë se do ta kemi e do ta gëzojmë këtë vit, të paktën gjatë festive të Flamurit Kombëtare, apo të festave të motmotit!

Si do që të jetë, konstituimi eventual i Këshillit Nacional, nëse nuk përfshinë të gjitha partitë politike në përbërjen e re, këtij institucioni përsëri do t’i bie erë partiake, bile më kundërmuese se sa ajo e mandatit të kaluar.

Në këtë drejtim vetëm ndërrohen rolet: shkon Kurta, vjen Murta e problemet e shqiptarëve nuk lëvizin nga pika zero, bile ato shtohen e shumohen nga mandati në mandat.

Kujt i ka rënë në sy një tabelë e rezultateve të zgjedhjeve të reja të Këshill Nacional, s’ka se si të mos i lind dyshimi në legjitimitetin e këtij institucioni, për shkak numrit të vogël të qytetarëve në këto zgjedhje. 

Nëse ne për katër vjet rresht kemi propaganduar se ish Këshilli Nacional, ka qenë jolegal, jolegjitim, për shkak votave të vjedhura e të fryra pa fund, si do ta quajmë atëherë Këshillin e ri, në zgjedhjen e të cilit kanë dalë pak votues!

Ditët po kalojnë e Këshilli i ri Nacional, nuk po bëhet e bashkë me të po na shtohen gajlet dhe dilemat se a të festojmë a protestojmë për Ditën e Flamurit, përdorimi i të cilit nuk është i rregulluar me ligjet e Beogradit.

 

Shoqëria Civile “Perspektiva”, në Bujanoc