SHPËRNDAJE

Vatra

Lëvizja qytetare Vatra thotë se spastrimi i trojeve etnike shqiptare nuk ka të ndalur. Ata thonë se politika shqiptare po bën pak që të mbrojë interesat kombëtare.
Ko lëvizje kërkon që urgjentisht të ndërmerren hapa konkret nga deputetët shqiptarë në Kuvendin e Serbisë, kryetarët e komunave, kryetarët e kuvendeve komunale, Këshilli Nacional, partitë e përfaqësuara dhe jo të përfaqësuara në kuvende komunale, shoqëria civile, mediat etj., që të fillojnë t’i përdorin të gjitha mekanizmat, të ngrenë zërin më me guxim dhe të alarmojnë bashkësinë ndërkombëtare, Ambasadën e SHBA-ve dhe ambasadat tjera, në mënyrë që t’i bëhet presion Serbisë në parandalimin e spastrimit të trojeve shqiptare të Bujanocit, Preshevës e Medvegjës.
“Ndër shekuj është vërtetuar se politika shqiptare në ecejaket e saj nuk kanë qenë e nuk janë ende të denjë të bëjnë politikë, e aq më pak kur duhet t`i mbrojnë interesat kombëtare. Për këtë kemi shembuj të shumtë, por tani do të ndalemi me fenomenin më të ri në Kosovën Lindore. Fjala është për pastrimin etnik të shqiptarëve në vazhdimësi, por që tani ka marrë përmasa shqetësuese, në gjithë komunën e Bujanocit, e më alarmante në Malësinë e kësaj komune, pastaj në Medvegjë e gjithsesi edhe në komunën e Preshevës. Për këtë nuk qanë kokën askush e sidomos të thirrurit për këtë punë, përkatësisht politikanët e këtyre komunave. Vërtetë nuk e kuptojmë që, këta njerëz kanë hyrë në politikë për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve, apo postet që ua ka dhënë qytetari i konsiderojnë vetëm si vende pune?”, thotë kjo lëvizje në një reagim të vet.

Thonë se po ndodh spastrim i dhimbshëm dhe i turpshëm.
Ky diskriminim i pushtetit serb, sipas tyre, bëhet para syve të politikanëve të Kosovës Lindore dhe më gjerë, edhe pse e dinë se kjo është një shkelje flagrante e të drejtave të njeriut, dhe se kjo nuk tolerohet në asnjë shtet, madje është shkelje e kushtetutës së Serbisë. Vlerësojnë se të drejtën e qytetarëve për dy nënshtetësi askush nuk ka të drejt tua mohojë. Prandaj duhet ndërmarr masa nga organet që janë të thirrura për të parandaluar dhe ngritur zërin në instancat më të larta Evropiane dhe Ndërkombëtare.
“Turpi tjetër, është mos kthimi i Lapidarit në vendin prej nga është vjedhur natën, moslejimin e qarkullimit të automjeteve nga Kosova, e shumë e shumë padrejtësi tjera që bëhen në kurriz të qytetarëve tanë. Lëvizja Qytetare Vatra do të angazhohet, në vazhdimësi, sikurse deri më tani, që këtë spastrim etnik, si dhe mos zhvillimin ekonomik të Kosovës Lindore si dhe problemet tjera jetësore të qytetarë shqiptarë ta sensibilizojë edhe më shumë kudo që është mundur me të gjitha mjetet demokratike”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Vatra.