SHPËRNDAJE

 
shumë. Shumë do të kisha dashur që autori i dy artikujve të mëposhtëm, para se t’ ia dorëzonte Kosovë Rexhës për botim, të gjente pak kohë dhe të konsultohej edhe me mua sepse – n’ atë mënyrë – artikujt e tij do të dilnin më të plotë dhe më sugjestivë. Kjo s’ do të thotë se ai bëri ndonjë lëshim qenësor, ate jo se jo, por duke marrë parasysh se erdhi në Suedi nja njëzet vjet më vonë dhe s’ kishte mundësi të gjurmonte sa kishim unë, Kosovë Rexhë – Bala e Ulmar Kviku, do mundeshim ta’njoftonim edhe me ca burime tjera që hedhin dritë mbi miqësinë suedezo – shqiptare.
Vlen të ceket se Suedia, pa marrë parasysh “varfërinë” e shumëtrumbetuar të saj, njësoj si Franca, Gjermania e Britania e Madhe, ka disponuar me një shtresë shkrimtarësh, poetësh, dramaturgësh e ushtarakësh aventurierë, që – në kërkim të dijes, informatave dhe ngazëllimit – vizituan jo vetëm trevat ku jetonin shqiptarët, podhe trevat tjera të Perandorisë Osmane. Ca prej tyre, rëndomt ushtarakë danezë e suedezë, edhe u punësuan në ushtrinë turke dhe, duke shkruar mbi peripecitë e tyre, përmendin edhe njerëzit që kanë takuar gjatë shërbimit të tyre, doket dhe zakonet e tyre, si dhe simpatitë e tyre për popullin shqiptar.
Kjo – sa i përket palës suedeze – që kishte lekë dhe kontakte me qarqet e kulturës gjermane apo angleze. Pas vitit 1912, kur Shqipëria bëhet e lirë dhe e pavarur, një numër i madh gjuhtarësh shqiptarë e arbëreshë, ndonëse më të varfër e patakatë, vazhdojnë ta kultivojnë miqësinë e shtruar nga Faik Konica e Holger Pederseni dhe e furnizojnë njëri tjetrin me revistat që botoheshin në Shqipëri, Suedi e Danimarkë.Kështu vjen edhe deri te vizitat e herëpashershme që ia bëjnë njëri tjetrit. Njëri prej atyre që e vizitoi Suedinë para se të shpërthente Lufta e Dytë Botërore ishte dhe shkrimtari i mirënjohur shqiptar,Vedat Kokona.
Mjerisht, jazi që u hap midis Lindjes dhe Perendimit pas Luftës së Dytë Botërore e lëndoi keq miqësinë tonë me suedezët. E kam cekur edhe në një vend tjetër se poetët, lingvistët dhe shkrimtarët suedezë që takoja në Stokholm gjatë viteve të 60-tamë thoshin hapur se Shqipëria ishte një letër e bardhë, një faqe e pashënuar, në hartën e Evropës. Ata e dinin mirë, madje ishin shumë të sigurtë se me qindra poetë, shkrimtarë e intelektualë kalbeshin në burgjet e Enver Hoxhës, por duke qenë se askush nuk hynte në Shqipëri, s’ kishin si dilnin para opinionit botëror duarzbrazët, me spekullime. Ndërkaq, përpjekjet e mia që të mësoj diçka për Vedat Kokonën, Etëhem Haxhiademin,Fatos Kongollin, etj.Etj. nuk dhanë asnjë rezultat të hajrit. Të gjitha përpjekjet e mia e të Kosovë Rexhë Balës për të mësuar diçka nga miqët e përbashkët mbetën të kota.
U desht një majtist i flaktë, një krijues i palodhur suedez, si shkrimtari Jan Myrdal dhe bashkshortja e tij Gun Kessle, të cilët shpesh herë i mernin në mbrojtje popujt e vegjël, që miqësia e vdekur shqiptaro – suedeze të ringjallej përsëri. Kjo ndodhi në vitin 1969, pas daljes së një seriali të gjatë mbi shqiptarët dhe Shqipërinë, dhe pas botimit të librit “Albansk utmaning” ( Sfida shqiptare). Fotografitë e zonjës Kessle, një kavalkadë e fuqishme staliniste, me motive që mund t’ i gjeje vetëm në shtetet e Afrikës Veriore,prezantonin një popull që kishte çuar dorë nga fejadhe atdhedashuria, por ishte i gatshëm ta mbronte vendin nga imperializmi rus dhe amerikan.Për atë arsye, të gjithë shqiptarët, me përjashtim të atyre që kalbeshin nëpër burgje, mblidheshin në “zbor” dhe përgaditeshin për luftë. Atë çast që do të hynte armiku, i tërë vendi do shndërrohej në ferr për armikun.
Ishte ky një libër qind për qind politik, i mbushur me fshatare të armatosura me kallashë, pionerë që bënin roje nderi, qyetarë që studjonin gazetat e murit e ushtarë që vigjëlonin drejt Detit Adriatik… Tamam siç kishin qejf ta prezantonin dropullitët, gollobërdasit dhe sllavo-bizantinët që kishin zaptuar Komitetin Qendror.
Shumica dërmuese e të rinjëve suedezë, në mesin e tyre edhe nja katër pesë kosovarë, e morën librin e zotit Myrdal si mbrojtje të shqiptarëve dhe Shqipërisë, por shumë shpejt do ta kuptonin se ishin gabim. Ai libër e mbronte Enver Hoxhën dhe dyzet e tetëmijë kasapët e tij, që e rrifnin, keqtrajtonin dhe e ripnin një popull të tërë. Ndërkohë, “Sfida shqiptare” u bë shkas që studentët, arsimtarët dhe profesorët e tyre suedezë themeluan një shoqatë miqësie, ku do të angazhoheshin miqët e mi Bo Jansson, Ulmar Kvik dhe Tomas Nydahl. Me shpresa se n’ atë mënyrë po e përkrahnin një popull të ndershëm, që ishte duke ndërtuar një shoqëri pa klasa e pa eksploatim të njeriut nga njeriu, ata filluan të organizonin edhe vizita turistike, sepse donin ta shihnin “parajsën e klasës punëtore” me sytë e tyre.
Mjerisht, me të zbritur në Rinas, ata s’ e shihnin asnjë fshatar apo punëtor të lumtur. Kot se kishin marrë ngjyrna, kamera, manjetofone e gazetarë me vedi.Nikoqirët s’ u jipnin leje as të flisnin me shqiptarët. Ata pak “shqiptarë” që guxonin t’iu afroheshin ishin ja shoferë autobusësh, ja funkcionarë të Partisë,ja nëpunës të Sigurimit. Të gjithë duhej ta bënin natën ditë duke i ruajtur hotelet ku flenin mysafirët.
S’ do mend që vëllezërit suedezë mbetën gojëhapur. Miku nuk ve kushte. Miku nuk i ndanë shqiptarët në “shqiptarë” dhe në “jugosllavë”. Miku nuk vjen nga Shqipëria dhe të dikton se siduhet të punosh dhe me kend të pish kafe.Paçka se atotipare kishin alifmatrakët e Enver Hoxhës. Ata, sapo vinin në Stockholm, s’ kishin tjetër punë veçse t’ i mësonin miqët suedezë qëshqiptarët e Kosovës ishin jugosllavë, fundamentalistë dhe armiq të përbetuar të Diktaturës së Proletariatit. Ashtu si dhe shqiptarët e mjerë në vendlindje, edhe miqët tanë suedezë duhej t’ iu bindeshin ca dropullitëve e grekofilëve që më vonë, kur do të bëhej Berisha president, do ta bënin Shqipërinë çorbë derri.
Shi për këto arsye, gjakftohtësia dhe durimi i një Ulmar Kviku meriton respekt të madh, pasiqë ai, edhe n’ato kushte të pamundshme, bëri çmos për ta dhënë kontributin e tij. Me ecjen e kohës ai e kuptoi se kush ishin miqët e tij të vërtetë dhe me kend duhej të mbahej. Pa marrë parasysh se si na quanin, Ulmar Kviku, Kosovë Rexhë Bala, Bo Janssoni, Tomas Nydahl, unë e shumë miq tjerë shqiptarë nuk e ulëm kokën.Ne e dinim se miqësia ndërtohet me sinqeritet, mirëkuptim, solidaritet dhe respekt për njeri tjetrin.
Unë e kam njohur Ulmar Kvikun që nga behari i vitit 1969, pra afro pesëdhjetë e pesë vjet dhe gjithmonë e kam ndjerë veten krenar që mund ta quaj mik e shok të ditëve të para.
Tani që shkrova këto fjalë, bëjmë mirë të shohim se ç’ kishte për të thënë Ismail Rugova për tedhe për gjuhëtarin Johan Erik Thunman.

Suedia dhe shqiptarët (3)

Në serialin e parë e të dytë të kësaj rubrike jam përpjekur të bëj prezantimin e kontakteve të para midis shqiptarëve dhe Suedisë. Me atë rast nuk jam ndalur fare në kontaktet e suedezëve me kulturën dhe çeshtjet shqiptare. Duke patur parasysh se ishin suedezet ata që i kërkuan këto kontakte, redaksia e “Qëndresës” e sheh të udhës që t’ u kushtojë pak kohë edhe kërkuesve të lidhjeve suedezo – shqiptare vemendjen e merituar.
Që tani duhet cekur se suedezët më të merituar për këto lidhje janë Ulmar Kvik ( Ullmar Qvick) dhe Johan Erik Thunman ( 1746 – 1778), që të dy albanologë dhe njohës të pasionuar të çeshtjeve shqiptare. Për shqiptarët që jetojnë në Suedi, ky i fundit është fare pak i njohur, ndërsa Ulmar Kviku, shqipfolësi i shkëlqyeshëm dhe miku më i sinqertë i shqiptarëve, është i njohur si këtu, ashtu dhe në Kosovë, Shqipëri dhe trevat tjera të atdheut tone të përbashkët.

Johan Erik Thunman ( 1746 – 1778 )
Duke qenë se Johan Erik Thunman i takon një periudhe shumë më të hershme, do filloj sëpari me të. Lingvisti Thunman vazhdon të jetë I panjohur si ndër shqiptarë, ashtu dhe suedezë. Kjo çeshtje ka ndodhur për arsyen e thjeshtë se në të shumtën e rasteveky albanolog e historian prezantohet si “gjerman”. Kjo ka shkaqet e veta, por ato më kryesoret janë se Thunmani jetoi në Gjermani dhe veprën e tij për gjuhën dhe historinë e gjuhës shqipe e shkroi në gjuhën gjermanishte.
Kështu, për shembull, në tekstin universitar ”Historia e Letërsisë shqipe I e II, Prishtinë 1975, Thunmani prezantohet si profesor i njohur gjerman, kurse kurse studjuesi i njohur shqiptar, Nelson Ҫabej, në librin e tij ”Autoktonia e Shqiptarëve në Studimet Gjermane”, Thunmanin e prezantin si historian me prejardhje suedeze.
Tani – te qëllimi im. Qëllimi im me këtë artikull nuk është të merrem me kritikë të veprës së autorit të lartshënuar, sepse nuk jam i thirur për këtë çeshtje, por dua t’ ia prezantoj lexuesit të “Qendresës”si suedez pasi që ai u lind dhe u rrit në Suedi. Mu për ate, para se të kalojmë te vepra e tij, që i dedikohet çeshtjeve shqiptare, po e jap një biografi të shkurtër.
Hans Erik Tunman, i njohur në letrat shqipe si Johan Erik Thunman, lindi me 23 gusht të vitit 1746 në fshatin Toresund, afër Mariefeldit. Ai ishte bir i nje prifti të varfër suedez. Qysh në moshën njëmbëdhjetë vjeçare ai, sëbashku me njëmbëdhjete motra e vëllezër, mbetet pa baba dhe ajo që e merr nën mbikqyrje është nëna. Varfëria me të cilën ballafaqohet familjanuk i garantonte as Erikut, as vëllezërve e motrave ndonjë shannsë shkollimi. Fati deshti që Eriku, qysh si fëmijë, ra në sy përzgjuarsinë e tij, gjë që një kushëri i të jëmës, i cili atëbotë punonte si konzull në qytetin Smyrna ( Izmiri i soçëm në Turqi), e merr nën mbikqyrje.
Udhëtimi i papritur do t’ i hapë Erikut të vogël horizonte të reja jetësore. Gjatë qëndrimit të tij ai mëson gjuhën arabishte dhe bie në kontakt të drejtpërdrejtë me kulturën orientale. S’ka të dhëna se sa kohë qëndroi në Turqi, por pas kthimit ngas Turqia, ai vazhdon studimet në Universitetin e njohur të Uppsalës.
Në fillim studjoi gjuhët latine dhe greke. Pastaj ndoqi studimet e historisë dhe teologjisë. Pas studimeve, ai zuri vend si informator në përfaqsinë suedeze në Ulësinë pranë Baltike ( Poloninë Veriore) që atëbotë qeverisej nga Suedia. Ai qëndron shumë pak në përfaqsinë suedeze dhe q’ atej dyndet në Halle, qytet ky i njohur si qendër e njohur univerzitare në Gjermaninë e atëhershme. Atje ai vazhdon studimet dhe në moshën 23 vjeçare merr gradën e magjistrit të shkencave historike. Tre vite më vonë Johan Erik Thunman emërtohet si profesor në Universitetin e Halles. Aty punon dhe krijon deri në fund të jetës tij. Si pasojë e vuajtjeve rinore, ai vdes shumëi ri, në vitin 1778.
Siç u cek më lartë, Thunmani vdiq i ri, mu në moshën kur prej tij pritej t’i kurorëzonte dituritë e tij shkencore. Edhepse vdekja e mori shumë të ri, ai arriti të lë pas vetenjë vepër të rëndësishme për historiografinë evropiane; ndërsa vepra e tij për historiografinë dhe gjuhësinë shqiptareka rëndësi të veçantë. Vepra e tij e vetme mban titullin “ Untersuchungen der die geschichte der östlichen europeischen Völker” ( Kërkime për historiografinë e popujve të Evvropës Lindore). Leipzig 1774.
Pjesa kryesore e kësaj vepre i dedikohet historisë dhe gjuhëve shqipe e vllahishte. Kjo vepër, e cila nga faqja 171 – 336 flet mbi shqiptarët dhe vllehëtu,është vepra e parë ellojit të vet që bën fjalë për gjuhën dhe historinë e dy popujve më të vjetër të Evropës. Ky punim shkencor prej 159 faqesh është hapi më serioz i rrymës iluministe evropiane në lidhje me lashtësinë dhe prejardhjen e shqiptareve dhe gjuhës shqipe. Në fakt edhe para Thunmanit, një varg studiuesish gjermanë, janë marrë me këtë çeshtje, por konkluzionet e tyre nuk patur mbështetje shkencore.
Rëndësia e veprës së lartpërmendur për historiografinë e gjuhës shqipeështë e madhe, edhe ate, jo vetëm se i ka qëndruar kohës deri më sot, por sepse autori i saj është i pari studjues evropian që çeshtjen shqiptare e trajton si çeshtje të pandarë të familjes së popujve evropian dhe se ai, në konkluzionet e tij, bën kapërcimin e metodës narrative të hulumtimeve shkencore; metodë kjo që ishte e pranishme tek e tërë plejada e iluministëve të asaj kohe. Erik Thunman ishte gjithashtu i pari historian i asaj kohe që për studimin e lashtësisë së popujve fut në shërbim elementin gjuhësor si element kryesor të çdo populli. Duke u marrë me hulumtimine lashtësisë së gjuhës shqipe dhe shqiptarëve Thunmani bëhet i pari lingvist që vjen në konkluzion se ” maqedonët, epirotët dhe ilirët flisnin të njejtën gjuhë.” Siç dihet, këtë konkluzion e mbështeti edhe më bindshëm 30 vjet me vonë studiusi gjerman Jochan Georg vob Hahn në veprën e tij të mirënjohur ”Albanichen Studien” ( Studime Shqiptare ).
Thunmani, duke ndjekur me vemendje të posaçme zhvillimin historik të trojeve shqiptare arrin në përfundim se ” në historinë e tyre, unë nuk kam gjetur gjurmë mërgimi të mëvonshëm dhe gjuha e tyre ka dhënë deshmi të atilla për fatet e popullit, saqë unë e kam të pamundur të mos njoh në ta fqinjët e lashtë të grekëve dhe qytetarët e Romës antike.Për të dyja këto më tregojnë ilirët.”
Siç po shihet, Thunmani është e pari që vërtetoi saktësinë e pamohueshme shkencore se shqiptaret janë pasardhës të stërgjyshërve të tyre të lashtë – ilirëve. S’ ka mëdyshje se Thunmani do ta kompletonte edhe me shumë veprën e tij, sikur të shërbehej edhe me të dhëna arkeologjike e etnografike. Mirëpo këto të dhëna ishin objektivisht ishin të pamundura të shfrytëzoheshin prej tij. Ai dispononte tjetër pos studimeve më të hershme të historianëve tjerë evropianë e që ishin vetëm tre katër dokumente të shkruar shqip, të cilët do t’ i përmendim me vonë.
Duke përkujtuar fytyrën e tij prej shkencëtari të spikatur, medoemos lind pyetja: Ҫ’ e nxitit atë suedez të merrej me popullin shqiptar?
Në bazë të dhënave që ka lënë vetë Thunmani në veprën e tij, dy ishin shkaqet themelore: ai, si përfaqsues i iluminizmit evropian, i besonte zhvillimit progresiv tëçdo populli. Këtë më së miri e ilustron me konstatimin e tij për popullin shqiptar dhe vllah: ” Asnjë popull tjetër i botës ku jetojmë nuk është aq i panjohur për neve, evropianet, për sa i përket prejardhjes historike dhe gjuhës – se sa shqiptarët dhe vllehët. Megjithate, ata janë dy popuj kryesorë, dy popuj të lashtë e të rëndësishëm, që çdo historian do të donte t’ i njihte. Histroria e tyre do të plotësonte zbrazti të mëdha në historinë e lashtë e të re të Evropës. Mjerisht, ata sot nuk luajnë ndonjë rol, se janë popuj të nënshtruar, janë fatkeqinj, dhe histioriani është shpesh herë poaq i padrejtë sa dhe njeriu i zakonshëm; ai nuk i përfill ata që s’ u ka punuar fati.* Thunmani, pra, i beson ardhmërisë. Ai i beson edhe të kaluarës, andaj duke hedhur dritë mbi historinë dhe gjuhën e dy popujve të lënë në harresë, dëshiron t’ u jap ndihmesën e tij sado te vogël për progresin e tyre.
Shkaku tjetër me rëndësi që e nxiti të merret të merret me çeshtjen shqiptare dhe vllehe duhet doemos të ketë qenë vetë Univerziteti i Halles. N’ atë kohë ky Universitet ishte qendra më e rëndësishme kulturore me karakter evropian.Universiteti i Halles mblidhte rreth vetes dijetarë e studentë të të gjitha vendeve evropiane. Andaj edhe kontakti me përfaqsues të popujve tjerë do të ketë luajtur rol te rëndësishëm për Thunmanin që ta shkruante veprën e tij. Nga vetë të dhënat që ka shenuar ne veprën e tij shohim se ai, gjatë shkrimit të veprës së tij, mbante kontakte edhe me dijetarin shqiptar Konstandin Xhihanin. Ky student shqiptar kishte ardhur në Universitetin e Halles me një njohuri mjaft të begatshme, sepse më parë kishte ndjekur mësimet në Akademinë e Voskopojës dhe në një gjimnaz të Hungarisë. Pra, nuk ishte aq e vështirë për Thunmanin të mblidhte material të nevojshëm. Siç duket Konstandin Xhihani ia kishte siguruar Thunmanit gati se të gjitha shkrimet shqipe të asaj kohe, siç ishte ”Fajlori Latinisht – Shqip” i Frank Bardhit, Romë 1635; përkthiumi shqip i Katekizmit të Balerminit, nga Pjetër Budi, si dhe ”Fjalorin Shqip – Vllahisht – Greqisht” i Teodor Kavaliotit.
Thunmani, edhe vetë e potencon ndihmën e Xhihanit. Ai në veprën e tij shprehet me këto fjalë: ” Është burrë me shumë njohuri, veçanërisht në filozofi e matematikë, me një mendje të ndritur, që do të meritonte një fat më të mirë. Pasi qëndroi dy herë, gjithsejt tre vite, në Universitetin e Halles, dhe pasi vizitoi Leidenin e Keimbrixhin, pasi pa Francën dhe Italinë, ai tani po kthehet në atdheun e tij për t’ u shërbyer bashkatdhetarëve me njohuritë që ka fituar.”
Për ne shqiptaret, sidomos për shqiptarët e Suedisë, është një kënaqësi e veçantë të përkujtojmë me admirim albanologun e parë evropian, i cili, si pjestar i popullit suedez, paraqet urën më të sigurtë të lidhjeve miqësore midis popullit suedez e shqiptar.Kurse për historinë dhe gjuhësinë shqiptare, vepra e Thunnmanit gjithnjë do të sherbejë si gurë themeli i studimeve të lashtësisë së historisë dhe gjuhës shqipe.

*
Pas vdekjes së eksploatorit të parë të Evropës shkencore në historinë e shqiptarëve, pra suedezit Johan Erik Thunman, lidhjet suedezo –shqiptare do të vazhdojnë.
Vetëm 14 vjet pas botimit të veprës së Thunmanit në Lajpzig, botohet në suedisht libri i parë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Fjala është për librin e shumënjohur historik të historianit kroat Stefan Zanoviçit me titullin ”Den Store Castriotto av Albanien kallad Scanderbeg” (Kastrioti i Madh i Shqipërisë i quajtur Skenderbeg) botuar me 1788 në Stockholm. Mjerisht përkthyesi i atij libri nuk dihet as në ditën e sotme.
Ndikimi i këtij libri në lidhje me njohjen e historisë së shqiptarëve ishte i madh. Shi për këte, nën ndikimin e Zanoviçit, shkrimtari suedez T.G. Rydbek në vitin 1835 boton dramën e tij me titull “SkanderBegu.” Edhe pse kjo dramë s’ka kurrëfarë rëndësie historike apo letrare, ajo me vetë egzistencën e saj pasqyron interesimin e intelektualëve suedezë për t’ u njohur me çeshtjen shqiptare.
Pas këtyre dy librave të botuar në Suedi, shtypi i përditshëm dhe ai revial, herë pas here, shkruanin për Shqipërinë dhe shqiptarët. Mirëpo një lidhje me e ngushtë midis suedezeve dhe shqiptareve, përpos lidhjeve konsulare dhe dy a tri vizitave të personaliteteve suedeze që i bëjnë Shqipërisë pas shpalljes së pavarsisë, nuk na janë të njohura. Interesimi i suedezëve për Shqipërinë dhe shqiptarët fillon të ringjallet gati menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore dhe kjo ringjallje do bëhet krejt rastësisht nga gjimnazisti i ri suedez, Ullmar Qvick. Se si erdhi deri te kjo ringjallje do ndalemi me poshtë pasi ta japim një biografi të shkurtër të jetës së tij.

Ullmar Qvick ( 1934 – )
Ulmar Kvik lindi më 13 qershor të vitit 1934 në Kristinehamn, qytet midis Stockhomit dhe Oslos. I jati,pasi e le punën si punëtor i zakonshëm i një fabrike, pas Luftës së Dytë Boterore fillon të merret me art dhe jeton nga përfitimet që i sjell ai.Përkundër kushteve të vështrira ekonomike, Ulmari nuk i ndahet shkollës.Mësimet e para dhe gjimnazin i mbaroi në Kristine hamn. Ai pas shërbimit ushtarak vijon studimet ne Karlstad, ku fiton kompetencën për mësues të ciklit të klasava të larta. Edhe pse siguron bukën si mësues, ai vazhdon studimet në Universitetin e Uppsalës dhe mbaron me sukses Fakultetin mbi Njohuritë e Shteteve Lindore.Një vit më vonë ai e mbaron edhe Shkollën e Lartë Pedagogjike, degën e anglishtës në Eskilstuna dhe Västerås.
Nuk është e tepërt të përmenden edhe njohuritë e tij të gjuhëve frengjishte, gjermanishte e finlandishte dhe posaçërisht të gjuhës shqipe, të cilën e flet dhe e shkruan si një shqiptar. Përpos prirjeve filologjike, ai tek opinioni suedez është i njohur edhe si insektist, pra njohës i mirë i insekteve. Për zbulimet qe ka arritur në familjen e insekteve është shpërblyer me çmim te veçantë nga Ministria e Arsimit. Aktualisht ai jeton dhe punon në Eskilstuna. Përpos punës së tij si mësues i njohurive të shoqërisë, ai që nga vitit 1969 merret në mënyrë aktive edhe me probleme të gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Kantakti me kulturën shqiptare
Kontakti i Ulmar Kvikut me Shqipërinë dhe kulturën shqiptaredaton kah fundi i viteve të dyzeta. Ai fillimisht ishte spontan dhe i rastit, por me vonë do bëhej pjesë e pandarë e jetës se tij.
Si arriti të bëhet ndjekës i pasionuar i çeshtjeve shqiptare? Si gjimnazist ai kishte qejf t’ i dëgjonte radiot e huaja. Një natë të vitit të ri 1948, krejt rastësisht, atij ia pushtojnë zemrën tingujt e ëmbël të një melodie të panjohur. Në fund të programit mëson nga spikeri se tingujt e saj vinin nga një vend krejtësisht i largët për te, nga Shqipëria e shliruar tre vjet më parë.
Siç u cek më lart, Ulmar Kviku njihet me Shqipërinë përmejt muzikës. Ai me këmbëngulje dëshiron të mësojë diçka me shumë për Shqipërinë dhe popullin shqipërtar, që prodhonte tinguj aq të embël. Hapin e parë të njohjes e bëri duke lexuar nëpër biblioteka ato që ishin botuar deri atëherë mbi Shqipërinë…Por nga librat që ishin shkruar për Shqipërinë, ai ndahet i pakënaqur. Shkrimet hidhnin vetëm hije te zezë mbi Shqipërinë. Para tij çfaqen dy tabllo kundërthënëse: shkrimet negative dhe dhe tingujt e muzikës shkodrane. Ndoshta ndërdija duhet ta ketë shtyrë të kërkonte të vërtetën për atë vend.
Pasi arriti në konstatim se shkrimet që kishte lexuar ishin tendencioze, ai vendosi të marrë kontakt të drejtpërdrejtë me Shqipërinë. Në vitin 1949 nga Tirana i arrijnë rreshtat e parë që i japin një pasqyrë krejt të kundërt me ate që kishte lexuar. Me vonë arrin edhe tek literatura objektive që egzistonte në shtetet nordike për Shqipërinë dhe shqiptarët.
Në fillim Ulmari mbajti kontakt me kryeredaktorin e atëhershëm të Radio Tiranës, Dashnor Mamaqin. Mirëpo ato kontakte i ndërpreu Tirana Zyrtare e cila n’ ate kohë kishte filluar procesin e ndjekjeve kundër tij dhe familjes.
Në vitin 1969 Ulmari vendos ta mësojë gjuhën shqipe. Një vit më vonë, pra më vitin 1970, ai për herë të parë e viziton Shqipërinë. Edhe pse nuk kishte kaluar plot një vit që merrej me mësimin e gjuhës shqipe, gjatë kontakteve me shqiptarë komunikonte në gjuhën tonë. Kontakti i drejtpërdrejtë me Shqipërinë dhe shqiptaret i lanë mbresa të pashlyera. Me t’ u kthyer në vendlindje ai i përkushtohet me pasion gjuhës dhe kukturës shqiptare. Menjëherë pas vizitës së parë ai fillon të komunikojë me shtypin shqiptar në gjuhën shqipe. Në seminarin që mbajti Instituti Albanologjik i Prishtinësnë vitin 1977 e fton edhe Ulmarin të marrë pjesë në punimet e albanologëve të botës. Me këtë rast ai qëndron tri javë në Kosovë dhe, praktikisht, erdhi në kontakt me gjysmën e kombit shqiptar jasht kufijve të Shqipërisë. Në vitin 1978 dhe 1979 ai e viziton përsëri Shqipërinë. Që nga ajo kohë ai nuk e ka vizituar Shqipërinë nga shkaku që do shihet më poshtë; ndërsa Kosovën nuk mundej ta vizitonte për shkak të gjendjes se krijuar politike, pas Demonstratave të vitit 1981.
Mirëpo gjatë kësaj periudhe ate herë pas here do ta vizitojnë shqiptarët që gjendeshin në egzil. Ata do vijnë në kontakt me te dhe do ta përkrahin me gjithë shpirt; kurse pas reformave demokratike në Shqipëri ate e vizitojnë edhe miq nga Shqipëria. Kontaktin me familjen Mamaqi nuk arriti ta vente përsëri sepse Dashnori kish vite që kishte ndërruar jetë, ndërsa me famljarët e tij gjithnjë mbanë kontakte të përzemërta. Ai, si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë, ka miq të dashur, ndër ta dhe disa personalitete të njohur të kulturës shqiptare.

Ulmar Kviku si albanolog
Veprimtaria e Ulmar Kvikut si albanolog fillon menjëherë pas vizitës që i bëri Shqipërisë. Shkrimet e tij të para i hasim qysh në fillim të viteve të shtatëdhjeta. Fillimisht ai shkruan artikuj në gazetën ”Drita”, pastaj në revistën kulturore ”Nëntori”. Përpos shkrimeve në shtypin shqiptar, ai shkruan me pseudonimin Vestigia Terrent në revistën e përkohshme “Koha Jonë” që botohej në Paris. Pastaj shkroi disa vjet me radhë në revistën ”Stinet e Jetës” që gjatë viteve të tetëdhjeta botohej në Suedi nga Kosovë Rexha – Balaj. Gjeneratave më të vjetra të kolonisë shqiptare në Suedi Ulmari u është prezantuar edhe me porosinë që botoi në vitin 1974 në revistën kulturore ”Dija”, organ i Shoqatës Kulturore – Artistike ”Vëllazërimi” të cilën e përgaditi dhe redaktoi Ramadan Rexhepi
Pos shkrimeve në shtypin shqiptar brenda dhe jasht atdheut, Ulmar Kviku vazhdimisht publikon artikuj dhe punime shkencore në shtypin suedez për çeshtjet shqiptare. Deri më tani ai ka publikuar një antologji të përkthyer me autorë shqiptarë dhe ka bërë përkthimin e dhjetra tregimeve nga shqipja në suedishte. Këto të fundit ai i ka publikuar kryesisht në organin ”Albanien och Vi” ( Shqipëria dhe ne),organ i Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Suedi. Në shtypin e vendit ka botuar një varg artikujsh me karakter etimologjik, ku përpos problemeve të prejardhjes së fjalëve të suedishtes dhe gjuhëve tjera ka trajtuar edhe prejardhjen e fjalëve të gjuhës shqipe.
Vepra e tij më e rëndësishme për kuturën shqiptare është padyshim antologjia e poezisë me titull ”Örnarna och bergen” ( Shqiponjat dhe malet). Kjo antologji e përkthyer dhe e zgjedhur nga vetë autori përfshin gjashtë poetë të Rilindjes e Pavarsisë, nëntëmbëdhjetë poetë të ish Shqipërisë Socialiste, tre poetë modern arbëresh, katër poetë nga Kosova dhe një poet që ka krijuar në Suedi. Antologjia është mirëpritur si nga lexuesi, ashtu dhe nga kritika letrare. Në përpilimin e Enciklopedisë Nacionale Suedeze që u botua në vitin 1990, ky libër dhe autori i saj është shfrytezuar si material burimor mbi të dhënat rreth përshkrimit të fakteve mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.
Pos shkrimeve artistike, etimologjike dhe përkthimeve, Ulmar Kviku është marrë dhe miret edhe me probleme të leksikologjisë shqipe. Është redaktor i Fjalorit suedisht – shqip që u botua në vitin në Stockholm. Këto ishin disa nga punimet me rëndësi të tij kushtuar problemeve të kulturës shqiptare.

Relacionet e Ulmar Kvikut me Tiranën Zyrtare
Nuk më besohet se populli shqiptar ka pasur apo ka ndonjë mik të huaj më ortodoks se Ulmar Kvikun. Duke vështruar pengesat dhe shpifjet që iu kanëbërë atij nga politika zyrtare e Tiranës plot njëzet vjet me radhë, mundet lirisht të konstatohet se dashuria e tij sinqertë dhe i çiltërt ndaj kulturës dhe miqëve shqiptarë ka qenë më e fortë se sa uni personal. Këte nuk e shpreh nga admirimi që kam për te, por në bazë të argumenteve që të çojnë n’ atë konstatim.
Ftohja e politikës zyrtare të Tiranës kundrejt tij fillon nga mosdorëzimi i Ulmarit për t’ i mbrojtur lidhjet miqësore me familjen Mamaqi. Pastaj vjen insistimi i politikës zyrtare të Tiranës që ai të bëhet trumbetues i propagandës së Tiranës së atëhershme si dhe bashkpunimi i tij me revistën ”Koha Jonë” dhe ”Stinët e Jetës”, të cilat revista drejtopheshin nga kundërshtarët politik të Tiranes.
Në të vërtet Ulmar Kviku nuk ishte një prototip i idhëtareve të politikës moniste, të cilët Tirana Zyrtare i mbante pranë vetes për ta justifikuar shtypjen dhe dhunën; gjoja se edhe evropianët e adhuronin dhe e përkrahnin pushtetin pupullor në Shqipëri. Jo, ate me Kosovën e Shqipërinë e lidhnin tingujt e embël të muzikës shqiptare dhe jo ëndrrat sllavo – bizantine. Ai ishte mishëruar me ndjenjën dhe shpirtin e popullit shqiptar, jo me ideologjinë e importuar sllave.
Vlen te theksohet se këmbëngulja e Ulmarit për të mos i ndërprerë të gjitha kontaktet me Shqipërinë dhe miqët e tij, dy herë e detyron të bëj kompromis me politkën zyrtare, ndërpren marrëdhëniet me revistën “Koha Jonë” dhe me vonë me kryeredaktorin e atëhershëm të revistës “Stinet e Jetës”, Kosovë Rexhë Balën, që nga Tirana Zyrtare konsiderohej si reakcionar dhe antikomunist.
Për të gjithë mundin dhe simpatinë e tij të parezervë për kulturën dhe për popullin shqiptar, Ulmar Kviku shpërblehet në mënyrën më të poshtër nga ish pushtetmbajtësit e Shqipërisë. Shpërblimi i tij gjendet në errsirën e dosjeve të Sigurimit, me firmën ”spiun i shërbimit sekret anglez”. Këto të dhëna janë zbuluar tani nga vetë ish punëtorët e Sigurimit.
Sido që ka qenë në të kaluarën, Ulmar Kviku është dhe mbetet miku më i sinqertë i popullit shqiptar, i cili, më se katër dekada ua kushtoi miqësisë suedezo – shqiptare, kurse për ne, shqiptarët, vepra e tij mbetet gjithnjë urë e miqësisë shqiptaro – suedeze.
( Vazhdon )

Shkruan: Ramadan Rexhepi