SHPËRNDAJE

Nuhiu ka falënderuar Bunjakun për kohën e kaluar së bashku në Kombëtaren e Kosovës.

Sulmuesi i Kosovës, Atdhe Nuhiu është Futbollisti i radhës i Kombëtares së Kosovës që shkruan në rrjete sociale për të falënderuar trajnerin, Albert Bunjaku dhe tifozët për ciklin eliminator për Botërorin “Russia 2018”.

Sfida kundër Islandës ishte e fundit për Bunjakun në stolin e Kosovës dhe nuk ka mbetur pa u lavdëruar edhe nga sulmuesit shtatlartë, i cili thotë se falë Albertit është ky që është sot.

“Së pari dua të falënderoj të gjithë tifozët e kombëtares së Kosovës për mbështetjen e tyre gjatë ndeshjeve të kaluara. Për fat të keq, ne nuk arritëm objektivat tona, edhe pse në disa lojëra, potenciali ynë ishte i dukshëm”, shkroi në Facebook sulmuesi i Kosovës.

“Dëshiroj gjithashtu të falënderoj Albert Bunjakun. Ai jo vetëm që ka bërë gjëra të mëdha për Kosovën, por edhe për karrierën time: Ai ishte që më dha besimin dhe më bëri të mundur, të përfaqësoj shtetin tim. Faleminderit për gjithçka dhe shumë suksese në të ardhmen, Mister!”, vijon Nuhiu.