SHPËRNDAJE

Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka hedhur kritika të ashpra në drejtim të qeverisë së Aleksandër Vuçiqit, duke e akuzuar atë se ka dështuar sa i përket çështjes së zgjidhjes së problemit me Kosovën. Sipas Tadiqit, për këtë gjë dikush duhet të quhet “tradhtar”.

“Megjithatë për politikën katastrofale që ka zgjedhur kjo qeveri ndaj Kosovës, dikush duhet të mbajë përgjegjësi historike”, ka thënë Tadiq. Tadiqi thotë se Vuçiqi nuk i ka shfrytëzuar situatat për ta mbajtur atë që nuk ishte humbur në luftë.

“Për dorëzimin e asaj që nuk e kemi humbur me luftë, dikush duhet ta marrë emrin e ‘tradhtarit’”, ka shtuar ish-presidenti serb.

Ai, gjithashtu, ka folur edhe për akuzat që i kanë ardhur nga partia e Aleksandër Vuçiqit, të cilët e kanë quajtur edhe “ustash”.

“Gjatë fushatës zgjedhore ata janë munduar që politikën time ndaj Kosovës ta paraqesin si tradhti ndaj vendit, duke premtuar se me ardhjen e tyre në pushtet do të zhbëjnë gjithçka që ishte arritur sa i përket problemit të Kosovës, ndërsa prapa skenave ata ishin robëruar përpara Bashkësisë Ndërkombëtare”, ka thënë Tadiq. Sipas tij, tani që ka ardhur koha e dorëzimit të Kosovës, kanë filluar përsëri sulmet ndaj tij.