SHPËRNDAJE

Cristiano Ronaldo i ka bërë nderimet një fansi tepër të ri, i cili mbeti viktimë e tërmetit të fuqishëm që goditi Mexico Cityn muajin e kaluar, duke ftuar dhe takuar familjen e tij në Madrid.

Santiago Flores Mora ishte njëri prej 19 fëmijëve që u zhdukën nën rrënojat e shkollës fillore që u shemb në kryeqytetin e Meksikës, pas lëkundjeve sizmike që lanë të vdekur 358 persona në total.

Ai ishte një fans i çmendur i Realit të Madridit, e veçanërisht Cristiano Ronaldos, gjë që nëna e tij ia kishte shpjeguar përmes një letre emocionuese në “Twitter”, dy ditë pas tragjedisë dhe pikërisht ditën kur Santiago do të kishte mbushur 7 vjeç.

Në letrën në fjalë, nëna përshkruante se i biri kishte ëndërruar një takim me kapitenin e Portugalisë, e shtonte më tej se ndihej ekstremisht e keqardhur që këtë dëshirë nuk ia plotësoi teksa Santiago ishte gjallë, për shkak se nuk i kishte dhënë rëndësi “simpatisë së të birit për Ronaldon”.

Reali i mirëpriti prindërit dhe vëllain më të vogël të Santiagos, Leonardo, duke i bërë një tur në stadiumin “Santiago Bernabeu” fundjavën e kaluar, ndërsa presidenti i klubit, Florentino Perez i dhuroi një fanellë të klubit me numrin 7 të Cristianos, babait të djaloshit të ndjerë.

Vizita përfshinte edhe një takim me Ronaldon dhe lojtarët e tjerë të Realit. /presheva.com/