SHPËRNDAJE

Sot, ndryshe nga herët tjera, konferenca për media, në Bernë u mbajt në orët e paradites. Arsye për këtë konferencë ishte promovimi zyrtar i aplikacionit për ndjekje të gjurmëve të koronavirusit.

Në fillim të konferencës, Stefan Kuster nga BAG njoftoi numrat më të fundit të infeksioneve, të cilët kishin mbërritur në 52, nga 44 sa ishin dje. Kjo tregon një trend paksa në rritje, shkruan srf.ch. Po ashtu dje dy pacientë të rinj janë shtruar në spital.

Kuster thotë se shumë raste të reja po ndodhin brenda familjeve. Por edhe përmes hyrjes në Zvicër nga jashtë. Një rritje vërehet sidomos te rastet e hyrjes nga Serbia, ka thënë ai, transmeton albinfo. Kjo është dhe arsyeja pse Qeveria Federale po mendon të marrë “masa sanitare kufitare”.

Kuster nuk ka shpjeguar saktësisht se çfarë kuptimi konkret kanë këto masa. Kjo mund të shkojë nga kontrollet shëndetësore deri në karantinë pas hyrjes.

Sipas Kuster, ende ekzistojnë kufizime hyrëse për Serbinë, ku situata epidemiologjike është “e paqartë”, por hyrja e personave nga ai vend është e mundur në raste të jashtëzakonshme, përcjell albinfo.ch. Duke pasur parasysh sezonin e pushimeve, Kuster apelon që të respektohen masat mbrojtëse jashtë vendit dhe, nëse është e mundur, të vetizolohen pas kthimit në Zvicër.

Në përgjithësi, midis 15 dhe 20 për qind e infeksioneve të reja janë “importuar” – jo vetëm nga Serbia, por edhe nga vendet e tjera.