SHPËRNDAJE

Është i madh numri i njerëzve në gjithë botën që vuajnë nga psoriaza. Vetëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ky numër është afro tetë milionë, ndërsa të shumtë janë edhe personalitetet e famshme që vuajnë nga kjo gjendje.

Psoriaza është një gjendje kronike autoimune e lëkurës që shkaktohet nga aktiviteti i shtuar i sistemit imunitar. Qelizat e lëkurës rriten shumë shpejt dhe grumbullohen në lëkurë duke i shkaktuar ndryshimet tipike për këtë gjendje: njolla të kuqe të mbuluara me shtresa të bardha të lëkurës.
Këto ndryshime mund të paraqiten kudo në lëkurë, por më së shpeshti në bërryla dhe gjunjë, trup dhe rrënjë të flokëve. Psoriaza mund të jetë nga forma e lehtë (përfshin vetëm dy për qind të trupit), deri në formën e rëndë (që mbulon nga 10 deri në 80 për qind të sipërfaqes trupore).
Fatmirësisht, terapia dhe ndryshimet në stilin jetësor mund ta kontrollojnë këtë gjendje edhe në rastet më serioze.
Më poshtë, Telegrafi jua sjell emrat e 15 të famshmëve që vuajnë nga psoriaza, të cilët jo vetëm që i kanë mbijetuar kësaj gjendjeje, por ia kanë dalë të jenë triumfues:

Kim Kardashian

Ylli televiziv njoftoi se vuan nga psoriaza në vitin 2011, gjatë një episodi të “Keeping Up With the Kardashians”, asokohe ishte 30 vjeçare (psoriaza shfaqet më së shpeshti gjatë moshës 15-30 vjeçare).

Cara Delevingne

Gjatë promovimit të filmit “Suicide Squad”, në fotografitë e modeles së famshme ishin parë ndryshimet në lëkurën e saj – shenjat e psoriazës. Ajo ka treguar se ishte diagnostikuar me këtë gjendje në vitin 2013.

Liam Gallagher

Këngëtari britanik për herë të parë kishte folur për gjendjen e tij në vitin 2011 duke treguar se ka pasur probleme të mëdha me zokthin dhe luspat, në përjashtim të fytyrës së tij.

Jon Lovitz

Komiku dhe ish ylli i Saturday Night Live, në fillim kishte menduar se ishte skuqje, kurse më vonë e mësoi se vuante nga psoriaza. Ka pasur raste që ndryshimet e kanë mbuluar 75 për qind të trupit të tij.

LeAnn Rimes

Fituesja e dyfishtë e çmimit Grammy u diagnostikua me këtë gjendje kur ishte vetëm dyvjeçare. Në moshën gjashtëvjeçare, 80 për qind e trupit të saj ishte mbuluar nga lezionet.

Cyndi Lauper

Në vitet e fundit këngëtarja ka qenë shumë aktive për ngritjen e vetëdijes për njerëzit që jetojnë me psoriazë. Ajo është bashkuar me Fondacionin Kombëtar të Psoriazës dhe është pjesëmarrëse në shumë fushata lidhur me këtë gjendje.

Kris Jenner

Nëna e motrave të famshme të klanit Kardashian/Jenner ishte diagnostikuar me psoriazë në moshë 30 vjeçare (ashtu si edhe vajza e saj Kim).

La La Anthony

Shkrimtarja, aktorja dhe personaliteti televiziv, La La Anthony, kishte thënë se ka vuajtur nga psoriaza rreth një dekadë para se ta mësonte diagnozën. Edhe ajo është e angazhuar nga Fondacioni Kombëtar i Psoriazës për t’i inkurajuar të tjerët që kanë të njëjtën gjendje.

Katie Lowes

Në moshën 28-vjeçare, aktorja sapo ishte fejuar dhe kishte nënshkruar për të qenë pjesë e serialit “Scandal”. Ndërsa i gjithë ai stres, edhe pse i mirë, kishte një rezultat të papritur: Katie Lowes u diagnostikua me psoriazë.

CariDee English

Para se të bëhej yll në America’s Next Top Model në vitin 2006, CariDee English kishte zhvilluar një betejë të gjatë me psoriazën. E diagnostikuar që në moshën pesëvjeçare, ajo ka treguar se në një moment 70 për qind e trupit të saj ishte mbuluar nga ndryshimet e psoriazës.

Dara Torres

Notarja Dara Torres i ka fituar 12 medalje në pesë Lojëra të ndryshme Olimpike, ndërsa edhe ajo vuan nga psoriaza. Sportistja e kishte mësuar se klori në pishina i ndihmonte, edhe pse të tjerët thonë se substancat kimike në pishina janë irrituese për psoriazën.

Eli Roth

Regjisori Eli Roth është frymëzuar pikërisht nga gjendja e tij shëndetësore për xhirimin e filmit horror, “Cabin Fever”.

Stacy London

Gjendja e saj si e vogël kishte qenë aq e rëndë, saqë ishte detyruar t’i shkurtonte flokët dhe të mbante pantallona të gjata në muajt e nxehtë të verës.

Phil Michelson

Rreth 30 për qind e njerëzve me psoriazë zhvillojnë edhe artrit psoriatik, ndërsa golfisti Phil Michelson është njëri prej tyre.

Art Garfunkel

Njeriu që solli hitet klasike të të gjashtëdhjetave, “Bridge Over Troubled Water” e “Feelin’ Groovy”, po ashtu vuan nga psoriaza.