SHPËRNDAJE

 
më shkruan senuk të paska pëlqyer romani i Musarajt dhe se gjuha që paska përdorur qenka e dobët. Që ta them të drejtën, s’jam i gatshëm të pajtohem me ty, se Shefqeti, nga të gjithë allakët që Enveri ka futur në Lidhjen e Shkrimtarëvepër t’ i mbarsur ato ruzhat,dushkat e svetllanat e shqiptarizuara nga Mali i Zi,është gjithsesi më i merituari. Toskërishtja e tij, edhe kur na duket e ligshtë, është një shqipe e dalë nga krojet e Labërisë. Qyshdo që ta rrotullosh, ajo del më e qartë dhe më e mprehtë se gegërishtja e jonë e ngarkuar me lokalizma, turqizma e arkaizma si breshkat e ishujve Galapagos.
Ajo që dua të nënvizoj është kjo: Shefqet Musaraj është marksist dhe gjuha e tij, sado e shplarë që na duket,ka nëntekste ideologjike. I tërë arsenali që ka përdorur në ”Epopenë e Ballit Kombëtar” – se romanin e tij s’ e kam lexuar – është në shërbim të një hampe mafiozësh të cilët s’ kanë ideale më të larta se ta prishin Shqipërinë e Ismail Qemalit dhe ta zëvendësojnë me një Shqipëri Staliniste.I paisur me një dell të fortë poetik dhe i armatosur me mësimet Dushan Katilit, që i mësonte partizanët si duhej të ripeshin ”ballistët”e Mit’hat Frashërit,Shefqet Musaraj, edhe pse i ndërgjegjshëm për luftën e drejtë të ”Ballit Kombëtar”, e zbrazi tërë gjerdanin e plumbave që kishte kundër një shkrimtari, lingvisti e patrioti më largpamës që kanë patur shqiptarët.Sikur shokët e tij, edhe pse s’ e donin Mit’hatin , të mernin vetëm dhjetë përqind nga ”Dekalogu” i tij, Shqipëria do t’ ishte sot dy herë më e madhe dhe shqiptarët do t’ ishin kombi më i arsimuar në Ballkan.
Nejse, meqë hyra në këto ferra, po vazhdoj edhe pak. Idealja do t’ ishte që çdo vepër letrare, qoftë ajo dramë, tragjedi, novelë, tregim apo roman, ta pasqyrojë vetvetensiç bën Mona Liza e Leonrado da Vinçit. Mjerisht, kjo është në kundërshtim me misionin që ka arti bashkohor. Mos harro – i nderuar – se ne, majmunët më të mençur të rruzullit – përpos kokës, syve, veshëve, krahëve dhe këmbëve, kemi edhe një gjymtyrë të dhjetë, të cilën duhet ta furnizojmë rregullisht me verë, mish, frutae ëmbëlsira e tollumba. Pa prezencën e tyre s’ ka këngë, s’ ka valle, s’ ka raki rrushi e dekorata.
Të gjithë ne, që nga gjimnazistët e rinj e deri te kritikët e mëdhenj letrarë, e dimë se Homeri, ai plak që endej nëpër fshatrat e ishullit Kio, ishte krijues i madh. ( Të paktën, shumë më i madh se Shefqeti ynë, që u lind nja dymijë e tetëqind vjet më vonë).Mjerisht, edhe ai ishte njeri i gjallë dhe, përpos gjymtyrëve tjera, kishte një bark të cilin duhej ta mbushte me bukë. Dua të them se edhe Homeri, për të mbetur gjallë,duhej ta gjente publikun e përshtatshëm dhe ta shtronte krijimtarinë e tij sipas normave egzistuese. Në rastine tij, publiku përbëhej nga aristokratët, zonjate rënda e mbretërit e fuqishëm.Po ta analizojmë “Iliadën” me sy gjurmues, të siguroj se do gjejmë sëpaku nja shtatëdhjetë vende, kur Homeri, për hir të atyre që i falnin rroba dhe e ftonin nëpër daraka, i shtroi ngjarjet sipas kërkesave të publikut e jo sipas asaj që ndodhi pranë mureve të Trojës.
Sado qesharake që na duket, kam përshtypje se edhe sot, njëmijë e nëntëqind vjet pas ikjes së Jezu Krishtit, tendencioziteti është gjithënjë i pranishëm në faqet letrare. Ҫdo vepër që merret me problemet metafizike apo seksuale të të rinjëve,nga kritika marksiste konsiderohet si e pistë dhe e zvetnuar.Pak a shumë e njejta gjë ndodhë me kritikën ”borgjeze”. Mos gabo t’ i prekësh idhujt e kësaj tjetrës, se do të përfundosh si antikrisht, pedofil dhe i çmendur.
Kjo dëshmon që shoqëria njerëzore s’ ka ecur shumë përpara dhe gjendet gjithënjë në nivelin e asaj tjetrës, mesjetares, që donte ta piqte Galileo Galileun në zjarr. Ҫdo individ që s’ pajtohet me normat e saj, duhet të zhduket nga faqja e Dheut.Edhe sot, si në mesjetë, ka raste kur autori, për ta nxjerrë në pah një dukuri të prapë, duhet të armiqësohet me shoqërinë e tij.Rasti më i freskët i kësaj tendence është Pashku. Autori, që në romanin e tij “Oh” e përfaqson shtresën e arsimuar të popullit,bën çmos që t’ i nxjerrë përjashta mitet e legjendat me të cilat na kanë na kanë ndarë e përçarë armiqtë shekullorë.Paçka se ato s’ dalin aq lehtë dhe ne, lexuesit i tij, jemi goxha të ashpër. Antoni duhej të na jepte një vepër më të mirë, një vepër socrealiste, si ”Rrushi ka nisë me u pjekë” apo ”Karavani i bardhë.” Ne s’ tolerojmë kritikë, s’ duam eksperimente, se ashtu na ka edukuar sistemi.
Ҫeshtja e gjuhës është një çeshtje madhore. Një çeshtje e rëndësishme për çdo popull të qytetëruar. Këte e dinte më së miri Maksim Gorki, që ishte autodidakt dhe njëri nga shkrimtarët më të Rusisë Sovjetike.Duke u nisur nga vetëdija se shumica e e popullit ishin analfabetë dhe s’ e kuptonin gjuhën letrare, që deri n’ atë kohë kishte qenë privilegjë e aristokratëve e borgjezëve të shkolluar, ai, menjëherë pas Revolucionit të Tetorit,kërkoi me ngulm që Lidhja e Shkrimtarëve të merte qëndrim rreth këtij problemi: sido të shkruhej për masat e gjëra të popullit; në një gjuhë të lehtë e të kuptueshme, apo në një gjuhë moderne e të pakuptueshme për masat e gjëra?! Kjo çeshtje u diskutua me muaj dhe shumica e gjuhëtarëve e stilistëve ishin kundër një ”shfronësimi” të gjuhës letrare. Mjerisht, kjo ishte e domosdoshme për ta realizuar rendin e ri politiko-shoqëror. Kështu erdhi deri te një marrëveshje zyrtare që gjuha letrare të jetë e thjeshtë dhe e kuptueshme gjatë ”shkollimit të masave të gjëra të popullit”.Me kalimin e asaj faze, fjalori i veprave letrare duhej të begatohej dhe letërsia e re të ngjitej në sfera më të larta.
Unë s’ kam të dhëna se çfarë qëndrimesh ka marrë Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipërisë pas ”çkirimit” të vendit, por nga ata pak libra që kam lexuar, kam kuptuar se ne – shqiptarët e Kosovës – s’ kemi opcion tjetër pos të shkruajmë ashtu siç po shkruan Shefqet Musaraj dhe e tërë Shqipëria, sepse shqipja në të cilën është shkruar ”Lahuta e Malcís” nuk egziston më. Këtu po flitet se vetë Enver Hoxha paska ndërhyrë dhe paska kërkuar që toskërishtja ” të bëhet gjuhë e të gjithë shqiptarëve” por kjo s’ ka nevojë të jetë e vërtetë. Rrjedhimisht, sado e dobët të jetë gjuha që ka përdorur Shefqet Musaraj në romanin e tij ”Para agimit”, ne duhet ta tumirim, ta begatojmë dhe ta shndërrojmë gjuhën e tij në gjuhë të të gjithë shqiptarëve. Aq më tepër që ajo gjuhë nuk është e Shefqetit, Mehmetit apo Hysni Kapos, por gjuha e Naim Frashërit dhe Lazgush Poradecit.

17. Vargu i ditëve të zymta

Tani që po hyjmë në behar dhe detin e ka mbuluar një mjegull e trashë, të gjitha ditët janë të zymta e të ngjashme me njëra tjetrën. Madje edhe ajo shtresa e hollë e borës, që javën e kaluar ishte e nxirë, e kavërdisur nga rrotat e makinave, këto ditë është shndëruar në një shall të zymtë dhe ma kujton Palestinën, pushtimin dhe robërinë e popullit palesitnez.
Si lumë ata që kanë një shtëpi, një kuzhinë dhe një sobë ku mund të ziejnë kafe”,i them vetes. Ka keq e më keq. Ka njerëz që në këtë orë s’ kanë shtëpi dhe duhet të flenë përjashta. Ka njerëz, që duke mos e mbajtur veten, e kanë ngritur zërin kundër robërisë dhe gjenden në burgun e Nishit, Sremska Mitrovicës, Pozharevcit, Gradishkës e Goli Otokut. Ku s’ është katandisur shqiptari i ngratë për ato pak të drejta, që tjerëve nuk iu mungojnë! Qysh të gdhihesh, të dalësh në punë, të hash drekë, të hash darkë e të pish kafe, për pa e derdhur një lotë për ata që e kanë viktimosur veten për lirinë time dhe shqiptarëve tjerë?
Vargu i ditëve të mia është i ngjashëm me vrapin e hënës që bën në qiell. Edhe unë, njësoj si hëna, gdhihem në mëngjes, i laj sytë dhe, pasi e zbraz një tas me kafe, pa i rënë shumë në sy gruas time,mbyllem në dhomën e punës dhe shfletoj ”Fjalorin Anglisht – Shqip” të zotit Man, për ta gjetur ndonjë fjalë që deri sot s’ e kam ditur. E mashtroj veten se po bëj kushedi çfarë pune të rëndësishme, edhe pse e di që kjo s’ ka peshë në kandarin e atyre të Prishtinës apo Tiranës. Kjo është epoka e Evropës së ndarë nga Mongolia.
Herë pas here shkruaj edhe ndonjë përgjigje. Rëndomt, ajo që më lajmërohet rregullishtështë Marianne de Lorenzi, një luftëtare e paepur për të drejtat e njeriut, dhe kërkon t’ ia përkthej ndonjë shkresë që ia drejton Ministrisë së Brendshme lidhur me të burgosurit politik shqiptarë. Ajo e ka adaptuar Hydo Dobrunën dhe shpesh herë iu drejtohet organeve jugosllave që po e kripin me gënjeshtra. Ata thonë se Hydo Dobruna është i lirë dhe s’ ia dinë adresën; Mariana, n’ anën tjetër, është e sigurt që ai është në burg. Ca kohë më parë ajo ia kishte nisur një letër edhe Josip Broz Titos dhe i kishte shkruar në gjuhën anglishte.
Përndryshe, thuajse çdo pasdite, para se të dal në punë, po iu grah skijave. Jo për hir të qejfit, por për hir të zorit. Unë duhet të dal në ajr të pastër dhe ta forcoj trupin.
Në fillim e ndieja veten të bezdisur, se rrëzohesha dhe nuk e zotëroja teknikën,por tani mezi pres t’ i kaloj shkurret e para të një pishaku dhe të zhdukem në pyll. Sikur të mos ishte për orët e frengjishtes e rusishtes, unë s’ do kthehesha deri në mbrëmje, por përparësi aq të madhe s’ kanë as penzionerët, jo më një djalë i ri, që sapo ka dalë nga bankat e shkollës. Orët e mësimit i kam vonë, m’ ora shtatë e mbrëmjes, dhe sa herë që nisem për në shtëpi, autostradën e gjej pasqyrë.Kam frikë se një ditë mund të dal nga rruga dhe të katandisem në ndonjë hendek bashk me makinën që e kam marrë hua nga vjehrri.
Edhe pse po bëj çmos që të lodhem pak, s’ kam ndonjë gjum të hajrit. Me sa duket, kafeja që po pi me oficerët suedezëpo ma prish gjumin dhe, sapo e zë ndonjërin nga librat e zonjushës Durham, në shpirtin tim ndizet një yll i madh me dritë. Malli për vendlindjen, kurreshtja për ngjarjet që përshkruan autorja, si dhe dëshpërimi që ndiej kur mësoj mbi padrejtësitë që na janë bërë në të shkuarën,po ma rrisin tensionin e gjakut. Kot që po përpiqem ta gënjej veten se jam në Preshevë dhe po ngjitem Gurishtës përpjetë. Me përjashtim të evgjitëve të ngratë, që janë nomadë, ne jemi populli më i përndjekur i Evropës Juglindore.
Sot pasditë më ka ndodhur diçka e pazakonshme: erdhën të më vizitojnë Veziri, Lefteri dhe Tulla. Ata s’ më kishin paralajmëruar dhe unë, duke qenë se më prisnin tri orë mësimi të gjuhës frengjishte, sëpari iu dhash kafe në fshat,e pastaj – bashkarisht – dolëm në Söderhamn.
Nëse s’ gabohem, Lefterin e kam përmendur diku, në faqet e para të kësaj fletore. Vezir Brumbullin, poashtu. Veziri është nga fshatrat e Gostivarit dhe ka ardhur pas nesh.Do të shkonin edhe nja dhjetë muaj a një motmot deri sa të vinte një shqiptar i katërt.Sidoqoftë, ky i katërti, që erdhi vetë i pesti,s’ ishte ”politikan”, por qytetar i urtë i Jugosllavisë Federative. Tulla, siç e thërriste Veziri,vinte i vogël dhe tharrtë nga shtati. Ai ishte i martuar, kishte dy fëmij dhe sapo e kishte filluar karrierën e kurbetqarit.Ai s’ ishte analfabet, se gjoja kishte mbaruar një shkollë bujqësore,por pak para se ta nxirnin nga puna, e kishte zbrazur arkën e kooperativës. Veziri dinte shumë, sepse gjithmonë i fliste me përbuzje të hapur, por Tulla s’ ia kthente fjalën dhe tërë kohën shtirej baballëk, i dashur. Ai i kishte nuhatur ca gjëra dhe, thuajse menjëherë, i kishte vënë vetes një qëllim. Kjo dëshmon se Veziri ishte tepër dritëshkurtëpër ta kuptuar që Jetullahu ishte hileqar e gjysmë. Dhe Tulla kishte përparësi, se pak me lekët e Mirëqenies Sociale, pak me lekët që merte si shtesa, shumë shpejt u shndërruar në një faktor të papritur ekonomik. Është e vërtet se Veziri bënte qejf, bridhte natën nëpër disko, por kur vinte e njëzet e shtata ditë e muajit, kuleta e tij ishte e thatë, ndërsa kuleta e Tullës ishte plot.Papandehur Tulla bleu makinë dhe mori shtëpi më të madhe. Ai s’ dëftonte qysh i mblidhte lekët, por lavdërohej se Hasria, zonja e tij, ishte jashtzakonisht kursimtare.
Fjala ”dispens” – që në gjuhën suedishte është kërkesë për t’u çliruar nga obligimet – ishte e panjohur për neveqë kishin studjuar në Prishtinë, Shkup apo Pragë. Ne kishim mbaruar shkollat gjimnaziale dhe ishim regjistruar në Universitet në bazë të lëndëve që kishim studjuar.Shumica, madje, kishim edhe indekset me vedi dhe provimet që kishim dhënë.
Paçka se Tulla s’kishte të drejtë studimi dhe, për ta futur një këmbë diku, duhej të kërkonte dispens për t’ u regjistruar.Ai, duke pyetur poshtë e përpjetë,ishte njohur me një lektor bullgar dhe ky, në bisedë e sipër, e kishte njoftuar që Tulla mundej të kërkonte ”dispense” dhe t’ i ndiqte orët e gjuhës bullgarishte. Kjo i jepte të drejtë të hynte në provime dhe, nëse ishte i zoti, mundej të merte një note kaluese. Për çka e kishte fjalën, vallë, Bullgari? Ai e kishte fjalën për ca studime të rregullta, të cilat Tulla duhej t’ i ndiqte si të gjithë studentët e Uppsalës.
Në fillim, ai s’ e mori seriozisht. Para se të paraqitej në ligjëratat e lektorit bullgar, Tulla duhej t’ i ndiqte dy kurse të rëndësishme: një kurs të fonetikës suedeze dhe një tjetër të vetë suedishtes. Përpos kësaj, ai kishte edhe një obligim të tretë: dy herë në javë, ditën e hënë e ditën e mërkurë, duhej ta shoqëronte lektorin bullgar deri në Stockholm.
Atëbotë, kur Tulla e ndiqte kursin e fonetikës, isha duke e ndjekur një kurs që më specializonte të përktheja drejtpërdrejt nga rusishtja në suedishte dhe anasjelltas. Isha thuajse tërë kohën te shtëpia, ngaqë Nina, ime shoqe, bënte praktikë në Halsberg. Herë pas here, pasi i mbaroja ushtrimet, zbrisja edhe deri në qendër e pija kafe me Lefterin e Jetullahun. Ҫuditërisht, edhe pse lektori bullgar e kishte futur në lojë, ai s’ ishte i lumtur. Distanca Stockholm – Uppsalë ishte e madhe, makina e Jetullahut donte benzinë, lektori donte dreka, donte darka…
” Hajt se s’ ka mbetur shumë,” i thash. ” Shumë shpejt do hyjsh në provime dhe do t’ ia marësh hakun. Njëra dorë e lanë tjetrën.”
” Ke të drejtë,” më tha.
Një ditë, deri sa po e ngrohja gjellën, më lajmërohet aidhe më pyet nëse jam i lirë.
” Jam, si s’ jam,” i thesh. “ Ҫ’ ka mund të bëj për zotrote?”
” Eh, të mi shpjegosh disa gjona,” tha ai. ” Ai qeni, lektori suedez, më bëri horr para tjerëve.Ama ça të boj, i ngrati, qi ato s’ i kam mësuar në shkollë.”
” Urdhëro e hajde menjëherë,” i them.
Kështu filloi njohja ynë. Ne ishim takuar edhe më parë, kishim pirë kafe, unë e dija që ishte kushëri i Vezir Brumbullit, po se ç’ bënte dhe si e mbante familjen, nuk e dija. Për të qenë e keqja më e madhe, isha i sigurtë që s’ do ma dëftonte të drejtën.
Kësisoj, pa kaluar as njëzet minuta, ai e parkoi makinën pranë vilës ku jetoja dhe i ra ziles.Ishte i njejti Jetullah që e kisha njohur në qytet por, përpos çelsit të makinës, kishte edhe një çante të madhe, të cilën e kishte mbushur me lloj lloj dosjesh. Njëra prej tyre ishte plot me ushtrime sintaktike.
“ Ani ç’ kemi,” e pyeta. “ Ҫa po thonë studimet?”
” Shumë mirë, be dajë, shumë mirë,” tha ai, pafundësisht i kënaqur me veten.“ Nëse e ke fjalën përprovimet e bullgarishtes, ato i kam në xhep. Ai qeni Bullgarisë s’ ka çare pa m’ i dhonë poenat, se dy herë në javë po e çoj në Stockholm. Ama me suedishten e kam punën berbatë. O, vëlla! Ҫa osht, bre, Subjekti? Dhe ça osht Predikati? A beson që ata subjekta e predikata, m’ i luajtën mendtë? Emra s’ janë… Mbiemra s’ janë… Ҫka dreqin janë?”
Më erdhi keq për te dhe bëra çmos që t’ ia shpjegojase gjuhët kanë fonetikë, gramatikëe sintaksë. Rrjedhimisht, gramatika është ajo që merret me pjesët e ligjëratës, ndërsa sintaksa ajo që merret me subjektin, predikatin, fjalitë e periudhat. Mjerisht, ai me kokëfortësinë e njeriut s’ lëshon pe,sa herë që e ndeznim ndonjë cigare, gjithnjë me jepte të kuptoja ses’ kishte kuptuar gjë.
Më në fund, kur e pa që u lodha, e mbylli çantën dhe iku te shtëpia.
Kam dëgjuar e po dëgjoj lloj lloj anegdotash mbi përpjekjet e tij për ta marrë një diplomë. Vojo Stankovski, një student nga Maqedonia, më tha njëherë se Jetullahu, kur e kishteparë re që lektori bullgar s’donte t’ ia jepte notën kaluese, aty për aty ia kishte kujtuar se po t’ i mblidhte lekët që kishte harxhuar duke e shoqëruar deri në Stockholm dhe anasjelltas, do ta blente një katërdhomësh në midis të Uppsalës. Se sa ishin – apo nuk ishin – të vërteta ato që fliteshin,nuk e di, porkam përshtypje se Tulla, edhe atëherë kur shtiret xhaferr, nuk është aq i trashë sa mentojnë Veziri e Lefteri.
Ata qëndruan tri orë në Söderhamn. Dolëm deri në fshatin Sandarne, hëngrëm drekë në Stadshotel dhe, pak para se të ikja në punë,ua dhash edhe nga një kafe.Pesë minuta më vonë qyteti m’ u duk dyfish më i trishtë seç ishte, sepse ata që ma zbukuruan ditën ikën drejt Uppsalës, ndërsa unë kam mbetur këtu.
Ndiej një pikëllim të madh në shpirt.Ku ta dijsh se ç’po ndodhë me mua? Ndoshta duhej të rrija n’ Uppsalë. Duhej ta dëgjoja Profesorin Gunarsson dhe të regjistrohesha për studime më të larta. Mua nuk mëmungonte gjë. Isha kurreshtar, zotëroja disa gjuhë dhe, me dokumentacionin që gjendej nëpër arkivat suedeze, mundesha t’ i shërbeja edhe vetes, edhe popullit tim. Fundja, s’ përmbysej bota që Nina, ime shoqe, punonte këtu dhe vinte çdo javë te shtëpia.Jo, tani është vonë. Unë duhetta harroj Uppsalën, duhet t’ i harroj studimet postdiplomike dhe duhet t’ i harroj miqët shqiptarë. Unë duhetta ngushlloja veten me diçka tjetër.
Dhe për t’ iu shmangur pikëllimit momental, e kam hapur vëllimin e parë të ”veprave” të Enverit e lexova ca faqe. Enveri shkruan se është besnik i marksizëm – leninizmit, por mua s’ më duket që e ka njëmend. Sikur të thonte që Mao Ce Duni është besnik i devotshëm i marksizëm – leninizmit, do të pajtohesha me të për arsyen e thjeshtë se Mao Ce Duni është poet i madh dhe, pa marrë parasysh mëkatet që ka bërë, në dorë të parë është kinez, pastaj marksist – leninist. Në njërin nga librat e tij që qarkullonin nëpër Uppsalë, shkruan:
“Është e drejtë e çdo njeriu të pakënaqur të bëjë kryengritje. Kryengritja kundër padrejtësisë është e arsyeshme.”
Pyes veten:
Të gjithë shqiptarët që jetojnë në Jugosllavi janë të pakënaqur. Ata kanë qenë të pakënaqur para Luftës së Dytë Botërore, ishin të pakënaqur gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe janë të pakënaqur edhe sot, njëzet e katër vjet pas Luftës së Dytë Botërore. Jugosllavia e Josip Broz Titos ika shkuar me shpatë e me zjarr trojet e tyre. Më mijëra gra e burra e fëmij janë masakruargjatë luftës. A s’ është e drejtë që po i kërkojnë të drejtat e tyre?

18. Ҫlirimi i Tolstoit

Këto ditë po gurron. Bora është shndërruar në baltë, ujërat po nxitojnë drejt lumit dhe toka e mërdhirë suedeze përsëri po na shikon me sytë e saj ngjyrë ulkonje. Ka dy ditë që jam mbyllur brënda dhe, me përjashtim të bibliotekës, nuk po vete askund.
Këtë herë po lexoj me një kurreshtje të re, krejtësisht i ndërgjegjshëm që veprimi im nuk është në shërbim të ndonjë provimi apo ndonjë eseu që duhet t’ ia dorëzoj zotit Gunnarsson. Po lexoj sepse përjashta ka ndodhur përmbytja dhe unë, në mungesë të ndonjë pune më të hareshme, po e ngushlloj veten me një studim të gjatë mbi ”çlirimin” e Tolstoit. Bunjini paskësh qenë shok i ngushtë i njërit nga djemt e Lev Tolstoit dhe shpesh here paska qenë mysafir i tyre.
Për Tolstoin janë shkruar shumë artikuj. Me qindëra njerëz, gra e burra, pleq e të rinj, shkrimtarë, kritikë e lexues të tërë botës, e kanë lexuar kryeveprën e tij ”Lufta dhe Paqa” dhe, në shenjë admirimi, kanë shkruar për mbresat e tyre. Po atë veprim e kanë bërë edhe dy penat më të fuqishme të letërsisë ruse: Maksim Goirkij dhe Ivan Bunini. Ҫuditërisht, mbresat që ka lënë Bunini më duken shumë të arsyeshme.
Sikur Lev Tolstoitë mos i kishte shkruar romanet ”Ana Karenina” e ”Lufta dhe Paqa” dhe sikur brendia e tyre të mos përdorej ngaarti filmik, ne s’ do ta konsideronim më të madh se Fishtën, Kërlezhën, Manin apo Heminguejin. As që do na shkonte ndër mend se Tolstoi ka shkruar edhe rrëfime tjerasi ”Haxhi Murati”, ”Mbretëria e Zotit”dhe ”Ringjallja”. Me pak fjalë: do të besonim që Plaku nga Jasna Polana ishte vërtet i sëmurë dhe veprat e tij,ku pasqyrohen mëdyshjet e tij fetare, ishin të dala nga mëngët e këmishës.Paçka se shkrimtari i madh, edhe atëherë kur çoi dorë nga familja, nga pasuria private e nga autorsia, vazhdoi të fliste mbi paqën, urtinë dhe kodet e shëndosha familjare. Ashtu bëri edhe atë natë kur hipi në tren dhe – njësoj si Buda – iku drejt vdekjes.
Një ditë, kur të disponoj me më shumë kohë, do të përpiqem t’ i shtroj jo vetëm reflektimet e Buninit mbi ”arratinë” e Tolstoit, por edhe ato të Gorkit. Sa për sonte, po konstatoj se rrëfimi, që nga koha kur të parët tonë shkruanin letra në pllaka të argjilit dhe pastaj i piqnin në zjarr, nuk ka qenë shpikje e rastësishme. Ai u lind, u rrit dhe u shpërnda nëpër botë bashk me Njeriun. Njeriu e shpiku dhe e përdori për ta korrigjuar vetveten dhe të tjerët.
Lev Tolsoj u lind në vitin 1828. Si të gjithë aristokratët, edhe ai u regjistrua në Universitetin e Kazanit dhe vendosi të studjonte gjuhët orientale dhe drejtësinë. Ҫuditërisht,profesorët e tij konstatuan se aristokrati i ri s’ishte i prirur të studjonte.
Pak kohë më vonë, ai kthehet në Jasnaja Poljana,pastaj bëhet oficer dhe shërbenm në Kavkaz dhe, pas një qëndrimi të shkurtër në Moskë e Petersburg, ikën për në Francë. Në Paris ai njihet me shkrimtarin Viktor Hugo,që sapo e kishte pëfunduar romanin”Les Miserables”, dhe ndahet prej tij me përshtypjet më të mira.Ai, edhe kur do kthehej në Rusi, do të fliste me admirim për Hugon.
Duke kaluar nëpër Bruksel, Tolstoi do të njihej edhe me një françez tjetër. Ai ishte Pierre Joseph Proudhon, filozof e anarchist, dhe – përpos veprave tjera – kishte edhe shkruar një ese të gjatë me titullin ” Lufta dhe Paqa”.
Pas njohjes me te, Tolstoi do të shkruante:
” Është shumë e vërtetë që shteti është një konspiracion i ndërtuar jo vetëm për t’ i shfrytëzuar por – para së gjithash – për t’ i korruptuar shtetasit e vet.”
Kështu zuri fill “Lufta dhe Paqja”. Titullin e tij autori e huazoi nga një autor tjetër dhe mësimet e tij provoi t’ i vente në jetë në shkollat që do të hapte vetë, si njeri privat.
Sipas dijenisë time, asnjëri nga artikujt e lartpërmendur nuk është përkthyer në gjuhën shqipe. Ky është një mëkatë. Janë përkthyer me qindra, me mijëra faqe, të veprave të Josif Visarionoviç Stalinit, por as një faqe nga ato që ka thënë Gorki dhe Bunini. Letërsia e pasqyron ecjen tonë mbi Rruzullin e Tokës dhe nuk do të dijë për përkatësi fetare, kombëtare apo gjini të atyre që e ushtrojnë.

19. Ku gjendet Ademi?

Nga të gjithë njerëzit që kam lënë në Preshevë, ai është më i miri, më i sjellshmi, më fisniku. Rexhep Ismajli. Pa letrate tij dhe kontaktet që jam duke mbajtur me organizatën Amnesty International, do t’ isha si Robinson Kruso apo një i burgosur. Krejtësisht i izoluar nga bota.Të burgosurit,madje, janë më mirë, se kanë njëri tjetrin dhe në kontaktet e përditshme mësojnë diçka.Unë s’ mundem të mësoj gjë pa buletinët që m’ i dërgojnë Eva Moberg, Paul Rimmerfors dhe Cecilia Ekholm. Edhe Marianne de Lorenzi më shkruan. Atë çast që mëson diçka mbi të burgosurit politik shqiptarë, ajo, pa humbur shumë kohë, më njofton telefon ose me letër.
Gjendja e të burgosurve shqiptarë më ka interesuar nga koha kur isha në Prishtinë. Mjerisht gjatë kohës që isha “detar”,s’ mundesha të mësoja gjë mbi të burgosurit politikë, se gjithnjë ishim në lëvizje. U desht të vija në Suedi, te regjistrohesha në Fakultetin Filozofik dhe të mësoja që Ademi është dënuar me 15 vjet burg. Unë e mbaj mend shumë mirë Ademin, Ademi mbase më ka harruar.
Njeri nga shqiptarët e parë që e adoptuan ata tëStockholmit ishte Hilmiu, Hilmi Rakovica. Kjo më kujtohet mirë, se ishte behar dhe unë qesh nisur në një ligjëratë të Profesorit Tripućko, kur postjeri ma dorëzoi një letër të cilën duhej ta përktheja në serbokroatishte.Aktivistët e organizatës Amnesty International donin të dinin nëse Hilmiuishte gjithnjë në burg dhe cila ishte adresa e tij. Ata ishin intelektualë, merreshin me Të Drejtat e Njeriut dhe donin të dinin nëso këto aplikoheshin edhe kundrejt të burgosurve politikë.
Kështu filloi. Pak nga pak dhe, nga shkresat që duhej të përktheja në gjuhën serbishte, do të mësoja se jo vetëm Adem Demaçi, kryetari i organizatës ”Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”, po dhe dhjetra e dhjetra të tjerë ishin katandisur në birucat e JugosllavisëFederative. Ca prej tyre i njihja, i kisha takuar në korzon e Prishtinës, të tjerët, shumicën, jo. Megjithate, duke i përkthyer shkresat që gazetarët, shkrimtarët e publicistët e ndryshëm ia drejtonin Josip Brozit apo Ministrisë së Brendshme, unë – pak nga pak – do familjarizohesha me Qerim Përzhokun, Muharrem Buzukun, Xhafer Mahmutxhikun, Sabri Novosellën, Azem Zeqirin, Ahmet Haxhiun, Selatin Novosellën, Enver Mahmutin, Fazli Graiçevcin, Hydo Dobrunën, Abdyl Lahun, Shefki Muçajn, Shefqet Jasharin, Shaban Kelmendin, Abdul Xhukën, Hasan Hasanin, Nijazi Malokun, Hasan Polluzhën e shumë tjerëve, por që as tani s’ e di çfarë krime kanë bërë.
Nga sa po kuptoj, proceset që zhvillohen në Jugosllavi dallojnë shumë nga proceset e këtushme.Këtu s’ trajtohesh fajtor deri sa të mos dëshmohet me gjyq.Ke netë fajsojnë vetëm e vetëm se je shqiptar. Ke ne të fajsojnë vetëm e vetëm pse flet shqip. Ke ne të gjykojnë e dënojnë me dyer të mbyllura dhe, me përjashtim të ndonjë gazetari që shkon për ta mbushur detyrën,nuk lejohet askush të hyj brenda. Të paktën kështu më ka thënë Zeneli, kur e nxorën zotëri Aliun në gjyq dhe e denuan me tetë vjet burg.
“ Ҫeshtja shqiptare” s’ është e panjohur në Suedi. Përkundrazi, vetë numri i shqiptarëve të arrestuar e dënuar në Kosovë po dëshmon qartë mbi shtypjen që po ushtrohet në Kosovë. Kjo shtypje nuk është e re. Ajo po ecën në vazhdën e shtypjes dhe masakrave që u bënë nga brigadat partizane kur u shua Kryengritja e Drenicës.
Sidoqoftë, falë punës që ka bërë Qendra e Londrës, thuajse të gjitha degët e organizatës Amnesty International, pa i përjashtuar degët e shteteve skandinave, ka tri vjet që po mblidhen të dhëna mbi të burgosurit politikë shqiptarë. Jo vetëm për ata që po vuajnë në Jugosllavi, po dhe për ata që po vuajnë në Shqipëri. Mjerisht, çeshtja e të burgosurve politikë në Shqipëri është mister i madh. Të gjitha përpjekjet që janë bërë deri sot për të mësuar diçka mbi egzistencën e tyre kanë dështuar.Unë, bashk me zonjat Eva Moberg e Margareta Ekström, zotin Paul Rimmerfors dhe gazetarët Gunesh e Barbro Karabuda kemi dërguar një varg letrash në adresën e Këshillit Krahinor, me anë të të cilave ua kemi kujtuar organeve se dënimet që po shqiptohen janë në kundërshtim me Kartën e OKB-s për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, por atyre s’ iu palla për shkresat tona. Përgjigjet e tyre janë të shkurtëra dhe përbuzëse. Thuajse të gjitha, si në rastin e Hilmi Rakovicës, janë identike: ” Hilmi Rakovica është liruar nga burgu. Adresa e tij na është e panjohur.”
Ku gjendet, atëherë, Adem Demaçi? Ku gjendet Ramadan Shala? Ku gjenden të burgosurit tjerë politikë shqiptarë?
Tani që kam ikur nga Uppsala, kontaktet e mia janë lënduar keq. S’ kam mundësi tjera komunikimi pos me letra.
Ajo që gjithmonë më shkruan mbi të burgosurit shqiptarë është Marianne de Lorenzi. Marianna është nga Kopenhaga dhe ka qenë e martuar me një italian. Ajo vazhdon të merret me fatin e të burgosurve kosovarë dhe shpesh herë më lutet t’ ia përkthej ndonjë letër që ua drejton atyre të Punëve të Brendshme. Është një zonjë e shkëlqyeshme dhe misionin e saj e ka marrë me sinqeritet të madh. Unë e dua dhe e respektoj më shumë se një motër, sepse po punon për një çeshtje të drejtë, një çeshtje humane. Po konstatoj me keqardhje se Jugosllavia e ”shokut” Tito ka aq shumë kontakte me komunistët e këtushëm socialdemokratët, sa që fare s’ brengoset për protestat e ca ”të çmendurve” suedezë apo gjermanë.
Pa marrë parasysh ate që shënova më lart, vazhdoj ta shfletoj shtypin e përditshëm, veçanërisht gazetën ”Dagens Nyheter”, me shpresa se do të mësoj diçka të re mbi të burgopsurit tonë politikë. Po i shfletoj edhe librat që kam gjetur në Bibliotekën Lokale me shpresa se një ditë do ta korrigjoj një kapitull të ”Udhëkryqit” që ka të bëjë me ndjekjen intelektualëve shqiptarë.
Që tani kam filluar ta kuptoj se disa nga skenat që kam ndërtuar në romanin ”Udhëkryqi” janë soc-realiste, por ky është opcioni i vetëm me të cilin kemi qenë në kontakt ne, ”shkrimtarët” e Kosovës. Fundja, ç’ është ”Udhëkryqi”, mos një mirënjohje që ua kam kushtuar atyre që po vuajnë për ne? Një poemë kushtuar asaj rinie që po rritet në robëri dhe nuk po përgjunjet para shtypjes.
Unë e di që kjo mënyrë e të shkruarit nuk përputhet me ambicjet që kisha ca vite më parë, por – përderisa vendlindja ynë është e pushtuar, ne kemi nevojë për romantizëm revolucionar. Pa marrë parasysh botëkuptimet e të burgosurit politik shqiptar, vuajtjet e tij s’ janë veçse një shkelje flagrante e të drejtave dhe lirive të tij. Vuajtjet e Skender Kadriut, Limon Stanecit, Ali Aliut, Kadri Halimit e Adem Demaçit s’ janë veçse padrejtësi. Vuajtjet që kam derdhur në faqet e “Udhëkryqit” janë në funkcion të së vërtetës. Unë s’i kam shpikur, por i kam shkruar ashtu si m’ i kanë thënë ata që ishin në Idrizove, në Nish, në Sremska Mitrovicë dhe në Pozharevc.
Momentalisht nuk jam i prirurtë bëj ndryshime në tekst, por më vonë, pasi ta mbaroj “Zonjushës Zhulí” ka mundësi të bëj ca përmirsime gjuhësore dhe t’ i shlyej përshkrimet e gjata. Dua që ”Strofulli i nepërkave” të ketë petkun e dramave, jo rrëfimeve.
Dje pasdite, duke folur me zonjën Cecilia Eklund, mora vesh se të gjithë ata që kanë shkruar e kanë pyetur për Ademin kanë marrë të njejtën përgjigje:” Ka dalë nga burgu. Adresa e tij na është e panjohur.”
Unë e di – dhe të gjithë shqiptarët e dinë – se ai është i dënuar me 15 vjet burg. Ajo që s’ e dimë është emrin e burgut ku po dergjet Ademi, por po kam shpresa se Xhemalia, e shoqja e Ademit, do na lajmërohet një ditë. Makar me dy tre rreshta.

20. Rrugëtimi nëpër terr

Më në fund, erdhi dimri. Iku dhe u kthye prapa. Një dimër i bardhë, një dimër i mprehtë, një dimër i shkëlqyeshëm për t’ i veshur skijat e për të ikur në mal.Mjerisht,s’ kam dëshirë për asgjë. Po endiej veten të lodhur nga kujtimet e moçme. Ka ca ditë që po vuaj nga ftoma dhe po mjekohem me nga një gotë visky dhe çaj.
Tani që e kam zënë lapsin me dorë dhe po përpiqem të depërtoj në tekstin e ”Strofullit të nepërkave”, po e shoh që ende s’ kam shumë ”takatë” dhe bëj mirë të vazhdoj me Strindbergun, deri sa të shlirohem nga kjo gjendje. Përndryshe, po e studjoj tekstin, po bëj analiza, po fshij, po e shkruaj ndonjë fjali të re, por s’ po guxoj ta quaj punë krijuese,punë estetike. Kjo pjesë e ”Udhëkryqit” është shkruar nja shtat a tetë vjet më parë dhe zien nga një retorikë e mërzitshme politike që na ka imponuar koha. Po e gënjej veten se një gjuhë më e shkurtër do ta gjallëronte rekstin, por as kjo s’ është e sigurtë. Gjyqi, si çdo dukuri tjetër e Diktaturës së Proletariatit, është proçes i mërzitshëm, me aktakuza, mbrojtje, dëshmitarë, fjalime, etjera, etjera. Duhet të bëj shkurtime radikale, përndryshe kapitulli do të vuaj nga një frazeologji e panevojshme.
As mbrëmë s’kisha gjumë.Përpjekjet e mia për ta gjetur Unin janë të lidhura me përpjekjet e mia për ta gjetur Shqipërinë. Ku është Shqipëria ëndrrave tona, o i Madhi Zot? Ku është Shqipëria e Shqiptarëve? Përse duhen disa burra si Nexhat Peshkëpia, Ernest Koliqi, Tajar Zavalani e Abaz Kupi të jetojnë larg atdheut të tyre? Nëse kanë bërë ndonjë krim, ata duhet të dalin para drejtësisë dhe të përgjigjen për gabimet e tyre, por fajshmëria e tyre s’ guxon të jetë në hyqmin e ca minoritarëve sllavë që i therrnin bijt e shqiptarkave si qëngja e keca.
Kjo që s’ kam gjumë është – për të mirë. Po më jep të kuptoj se ka ardhur koha të shkruaj. Të shkruaj natë e ditë. Të shkruaj çdo kohë që jam i lirë. Të shkruaj tregime, novela, romane, komedi e drama. Jo poezi… Poezia që s’ këndohet më duket e kotë, spekullative. Për ate s’ e dua Jevtushenkon. E dua Okuxhavën. Vaso Pasha ishte patriot i madh, por mua më pëlqen Naimi.Unë duhet të vazhdoj me prozë sepse n’ atë lëmi mund të mësoj diçka, të shkruaj pak më mirë…Ka mundësi që një ditë të ulem e të shkruaj edhe për këtë fshat të parëndësishëm të Norlandës Jugore. Shqiptari, ai që e do atdheun e tij, duhet të mësojë nga rasti im sekurbeti është një vegim i gjatë. Një vegim i panevojshëm. Shqiptari, cilido qoftë ai, është vërtet i shtypur dhe keqtrajtuar, por fqinjët që ka rreth e përqark e mbrojnë nga përbuzja e të huajve. Gjuha që ai flet në mërgim i përngjanë eshkës së thatë.Këtu mërgimtari është ”kokëzi”, ”ausländer”, dhe është i detyruar të flasë suedisht apo gjermanisht – me theks shqiptar. Ai flet shqip siç kanë folur të parët dhe s’ mund të bëhet kurrë zviceran, gjerman apo suedez i vërtetë.
Këto ditë kam menduar shumë për jetën tim ati.Im atë ka qenë njeri i çuditshëm. Ai s’ na donte neve. S’ e donte as nënën, gruan e fëmijve të tij. Ai i donte trëndafilat, gështenjat, hurmat dhe frutat egzotike. Më së shumti i donte arsimtarët.
Një herë, kjo ka ndodhur nja gjashtë vjet më parë, e kam shkruar një tregim për te. E shkrova një të djelë dhe ia dhash zotëri Vehapit. Vehap Shita ka qenë një fisnik i vërtetë. Ai ma botoi, por unë, si shumë gjëra tjera, e kam humbur… Dua të shkruaj edhe për vajzat që kam dashur… I doja unë, i respektoja, vetëm si motra, sepse e dija që më priste një rrugë e gjatë…Shumë më e gjatë se ato që shihen në filxhanat e kafes… Dua të shkruaj edhe për ato bisedat e gjata, kur pushtetarët lokalë më mësonin që duhej t’ i shmangesha Karadakut, jeta në Karadak ishte e vështirë, e rrezikshme… Dua të shkruaj për detarët e Gjermanisë, për ato birucat ku ata shkonin e gjuanin femra… Dua të shkruaj për detin… Për limanin e Kopenhagës, rrugët e Amsterdamit, bashkinë e qytetit Oslo, gejzerët e Islandës… Ehe…
Ka ditë që po përpiqem ta gjej atë perin e kuq, që i pajton aspektet e ndryshme të jetës, por nuk kam pasur sukses.Sado që po e godas mendjen me grushta dhe po përpiqem ta gjej oborrin e vendlindjes time, po më dalin përpara disa bjeshkë të larta sa qielli dhe unë, kundër dëshirës, kthehem në krahun tjetër dhe i dorëzohem gjumit.
Ata zbritën nga malet…Askush, as axha Arif, që ishte më trimi i atij bajraku, nuk e dinte rrugën që i solli në Preshevë dhe, më vonë,i ndau në dy degë: ca prej tyre lëshuan rrënjë në Bilaç dhe i shërbyen Mbretit si çaushë, të tjerëtikën më në jug. Ne, pasardhësit e tyre, duhej të bënim çmos për ta mësuar rrugën e tyre,pos’ kemi kohë. Merremi me llafe, me përralla e jo me qëllimet e të Madhit Zot, që na mbolli n’ atë pjesë të Dardanisë.
Atae konsideronin veten krasniqas dhe dhjetë vjet pas Luftës së Dytë Botërore, gjegjësisht në vitin 1954, u shprishën definitivisht nëpër botë. Një mbrëmje, para se të iknin më tutje, dejt Dardanisë që ishte në Lidje, erdhi axha Met dhe gjithë natën bisedoi me tim atë. Në mëngjes, pasi na puthi të gjithëve, e porosity tim atë:
“ Mos harro t’ u dëftosh fëmijve se jemi gjak dhe, qyshdo të vij puna, s’ bën të martohen me njëri tjetrin.”
Ata s’ ishin të gjatë. Shumica ishin të zeshkët, të bukur e të sjellshëm, pornë mesin e tyre kishte edhe ndonjë leshkuq.Sipas axhës Arif, që ishte dhe kryetar fshati, Sllupçani ishte vend ideal për natyrën e tyre. Në krahasim me fshatrat tjera, ai ishte i pajisur me dy gjëra të rëndësishme për anëtarët e atij bajraku: arat ishin pjellore dhe Karadaku vigjëlonte mbi fshat. Përpos që ishin bujqër, ata ishin edhe blegtorë.
Njeri nga të parët tanëquhej Kurt. Se cilat ishin shkaqet që e detyruan të vinte në Bilaç mund të merret me mend. Edhe mirëditasit, që ishin katolikë të devotshëm dhe s’ e donin Turkun, shkonin deri në Janinë për të gjetur punë.Halli të çon në derë të armikut.
Edhe Kurteshi që – s’ ishte i prirur të merrej me bujqësi – lëshoi rrënjë në Bilaç. Më vonë, me rrogën që merte nga qeveria, ai e bleu shpatin që kemi edhe sot, dhe ndërtoi një shtëpi.Ishte ajo një shtëpi e madhe, dykatëshe, dhe gjendej përballë atyre të agës Durak.
Kurteshi e donte shkollën. Ai e dergoi të birin, Osman Kurtin, që të mësonte në Shkup. Ai e mbaroi medresenë në Shkup dhe vazhdoi në Stamboll. Edhe Osmani u kthye në vendlindje dhe shërbeu në Bilaç.Ishte një burrë i urtë, i mençur dhe paqësor. E donte punën dhe mbahej mirë me fqinjët e tij preshevarë.( Në agun e viteve të 60-ta, kur e mbarova Normalen e fillovatë punoj në Preshevë, gjeta nën çatinë e shtëpisë tonënjë dyzinë sharrash, thikash, darash e veglash të tjera që gjyshi kishte përdorur në kohën e lire. I frymëzuar nga librat që lexonte dhe shpresat që një ditë edhe shqiptarët do ta qeverisnin veten, ai i dërgon edhe dy djemët e tij – Daliun e Rexhepin – në Stamboll. Si njëri, ashtu dhe tjetri, u detyruan t’ i ndërprisnin studimet për shkak të karakterit të keq dhe fodullëkut të tepruar.
Rexhepi, djali i madh, ishte shumë krenar.Një ditë, deri sa po kthehej nga xhamia, e ofendon një i panjohur dhe ka, pa një – pa dy, e nxjerr koburen dhe e lë me trëndafile në ballë. Kësisoji, nga studenti i një shkolle të dëgjuar, im gjysh përfundon si vrasës dhe arratiset në drejtim të Anamoravës. Atje dikunjihet me gjyshen dhe e merr për grua. Im atë, që kurrë s’ e ka takuar të jatin, thonte se gjyshi ishte i pashëm dhe shumë i dhënë pas muzikës. Mjerisht, sa herë që vinte nga malet dhe s’ e gjente gruan te shtëpia, e qëllonte me çka i qëllonte në dorë dhe, sikur të mos ndërhynte Daliu, do ta vriste gjyshen në vend. Edhe Daliu i kishte ndërprerë studimet.
Im gjysh u katandis keq. Me t’ u ngritur populli në kryengritje, ai bëri çmos që t’ u gjente armë. Kishte miq në të dyja anët e kufirit dhe nuk e kurseu veten për Shqipëri. Me të dëgjuar thirrjen e Idriz Seferit, ai iku nga zona kufitare dhe mori pjesë në pushtimin e Shkupit. Mjerisht, shqiptarët u ndanë në dy parti dhe gjyshi, bashk me shumë shqiptarë tjerë, u kthye në vendin e punës.
Pastaj vjen Lufta e Parë Balkanike. Im gjysh, si shumë të tjerë, iu bashkangjit forcave turke, por ato pësuan një disfatë të rëndë në Betejën e Kumanovës. Prapa bashibozukëve turq u nisën me qindra e mijëra shqiptarë.Ata s’ iknin vullnetarisht, por i ndiqte ushtria ngadhnjimtare serbe, e cila, sapo hynte në një fshat, i nxirrte burrat mënjanë dhe i pushkatonte në vend, ndërsa gratë dhe vajzat ua lente ushtarëve të saj.Të gjitha këto ndodhnin në një kohë kur im atë s’ kishte as dhëmbë dhe rronte nga gjiri i së jëmës.
Këtij fati s’ i shpëtuan as tjerët. Gjyshja, me djalin e saj të vogël, u nis drejt Shkupit. Rrugës iu bashkuan edhe kushërinjtë tjerë nga Sllupçani, Lipkova, Kumanova, Mateçie fshatrat tjera dhe, pas shumë peripecish,arritën në Selanik. Mjerisht, përpjekja e tyre ishte e kotë, sepse forcat e armatosura greke kishin mbërritur para tyre dhe e kishte zaptuar limanin.
Kësisoji, refugjatët shqiptarë u detyruan edhe një herë ta shkilnin rrugën që kishin bërë ca kohë më parë. Ata ishin të lodhur, të uritur, të plaçkitur e të poshtruar për vdekje. Rrugës, thuajse në çdo hap,i ndalonte Ushtria Serbe dhe, pasi i bastiste e e ofendonte të gjithë me radhë, i urdhëronte të shkonin drejt Shqipërisë. Me sa duket, gjyshen e shpëtoi rastësia; përndryshe, ajo – bashk me djalin e saj – do të përfundonte ne ndonjë hendek të panjohur.Kështu përfundon ai kapitull i familjes tonë.
Pak muaj më vomë, familjarët e të vrarit nga gjyshi, e vrasin xha Daliun dhe shtëpia e Osman Kurtit mbetet pa asnjë burrë. Im atë kishte ca kushërinj, por ishte tepër i vogël për t’ i gjetur. Se mos ishte si sot? Skamja, varfëria dhe malli që kishte për të jatin, të cilin s’ donte ta dinte për të vdekur, e ndoqën deri në vdekje. Ai ishte i sigurtë se, sikur të jetonte Gjyshi, ai nuk do të mbetej qorr dhe i pashkollë. Ate e mundonte diçka që unë – si fëmijë – s’ isha në gjendje ta kuptoja…
Tani që po e kujtoj atë kohë, ku s’ më vete mendja e lodhur. Mos po na ndjek, vallë, mallkimi i ndonjë nëne?Edhe kjo është e mundur. Sikur të dinte Gjyshi sa di unë, do t’ ishte pak më pak krenar dhe më i përmbajtur. Ai nuk duhej ta vriste vëllanë e tij. Edhe nëqoftë se e kishte ofenduar. Vdekë për vdekë, duhej të vdiste duke e mbrojtur vendin e tij, e ju duke iu bashkangjitur Ushtrisë Turke, që iku drejt Azisë dhe i la shqiptarët me gisht në gojë…

21. Kërcënimi teatral

Në fillim, deri sa po zieja kafe, s’ pash asnjë ndryshim. Isha gdhirë vonë dhe prore s’ më kishte dalë gjumi. Pastaj, pasi e mbusha tasin dhe u ula pranë dritares, pash se, deri sa po fleja si qëngj, i Madhi Zot kishte zbritur nga qielli dhe e kishte veshur fshatinme rroba të bardha.Gjithçka, që nga baloshet e larta, tani të veshura me okita, e deri te postaqja e trashë e limanit, kishte veshur një kostum të pambuktë, i gëzofi i një foke të larë në ujë deti. Këtë pamje, që mund të matet me cilëndo pikturë të artit botëror, s’ e bën dot njeri tjetër pos atij që ka krijuar detëra e oqeane.
E hapa dritaren dhe e mora një kadro.
Këto ditë kemi patur mot të çuditshëm. Njëherë na mbytën shirat, pastaj moti filloi të ftohet, tokën e mbërtheu acari dhe qielli, që deri javën e kaluar ishte i zymtë, tani filloi të vishet me yje.Fatlumnisht, shtëpia ka ngrohje qendrore dhe s’ kam nevojë ta ndez stufën.Nina, ime shoqe, ka ikur te të sajët dhe unë kam mbetur vetëm, me ata pak libra që kam huazuar në Bibliotekën lokale. S’ kam të ngutur, se e di që janë të pakët ata shqiptarë që kanë dëgjuar për Strindbergun, dhe kurdo që ta mbaroj “Zonjushën Zhulí”, ate s’ do ta botojë asnjë revistë që botohet në gjuhën shqipe.
Pamja që kam para sysh ma kujton shtëpinë tonëpërdhese dhe oborrin e veshur me lloj lloj pemësh që pat mbjellë e shartuar im atë. Kishim arra, mëna, dardha turke, dardha erëbasme, qershi, mushmolla e hardhi rrushi. Sapo kishte mbaruar lufta dhe unë strukesha në një qoshe të dhomës e kopjoja ca faqe të një libri që ma kishte falur zotëri Lutfiu. Përjashta kishte rënë një bore e trashë dhe kopshti dukej si një princ i dalë nga përrallat.
Papandehur im atë veshi xhupin e trashë dhe doli përjashta. Brenda zjarri shkonte çurllamë dhe vëllezërit e mi ziheshin me njëri tjetrin. Deri sa ne, të vegjlit, po ziheshim, im atë u kthye prapa dhe ia zgjati nënës një dru të njomë arre, një dru të njomë rrushi dhe një ftua që e kishte ruajtur në raft.
” Hidhi brënda,” i tha nënës.
Për pa kaluar as dhjetë minuta, shtëpia u vesh me një aromë të fortë arre, rrushi dhe ftoi të djegur.
“ Hajt, dilni përjashta,” tha ai. “Po mos e leni asnjë pemë pa e prerë.”
Dhe unë e vëllezërit e mi, të armatosur me sëpata, dolëm përjashta dhe gjoja mateshim t’ i presim mollat, dardhat, qershitë, mënat e mushmollat e veshura me borë.
“ Qysh po thoni, ta pres?” i pyesja vëllezërit.
” Mos, mos,” thërrisnin ata. ” Mos gabo ta presësh, se sivjet do bëj shumë bereqet.”
Kështu bënim çdo vit, deri sa u rritëm dhe e harruam atë zakon të moçem, të cilin, s’ di kush ia kishte mësuar babait.

Jusne, 1969
( Fragmente të nxjerrë nga veprat ” Reflektime të pathëna të një shkrimtari” dhe ” Të regjura në llumin e kafesë”)

Shkruan: Ramadan Rexhepi