SHPËRNDAJE

Deputetët e PD dhe LSI kanë bllokuar foltoren e Kuvendit pas fjalimit të Lulzim Bashës, për të pezulluar punimet e seancës, deri në përjashtimin e kryeministrit Edi Rama nga punimet.

Basha foli për protestën në Kukës, arrestimin e 11 kuksianëve për aktet në “Rrugën e Kombit” si dhe për fyerjet e Ramës, sipas tij, gjatë seancës dy javë më parë.

“Ky parlament nuk do të vazhdojë asnjë sekond pa e nxjerrë nga salla kryeministrin Rama. Ndale seancën menjëherë. Përjashtoje! Nuk ka për të pasur procedim normal pa larguar njeriun që ka ofenduar të gjithë shqiptarët”, u shpreh kryetari i PD, Lulzim Basha. “Arrestimi i 11 kuksianëve është turp, mos i harroni ata. Indiferenca, heshtja, frika hezitimi ynë janë fuqia e plaçkitësve si Edi Rama”.

Pas fjalimit të Bashës, deputetët e opozitës rrethuan foltoren. Në këtë moment, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ndërpreu punimet e seancës parlamentare, duke u shprehur se do rinisin pasi të Kuvend të jetë vendosur rregulli.