SHPËRNDAJE

Përpjekja për të hyrë ilegalisht në Angli për një jetë më të mirë, ka shkaktuar vdekjen e dy të rinjve shqiptarë.

Një djalë dhe në vajzë kanë humbur jetën në mënyrë tragjike teksa kamioni me të cilin po udhëtonin në mënyrë të fshehur është shkrumbuar nga flakët.

Nga dyshimet e para, mësohet se zjarri është shkaktuar nga hedhja e një cigareje në mënyrë të pakujdesshme, gjë që solli edhe tragjedinë.

Lajmi i njoftuar nga mediet franceze, përmes fotove dhe videove, ka tronditur opinionin publik vendas. Ngjarja ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje në kufirin mes Francës e Anglisë dhe pavarësisht se kamioni është përfshirë tërësisht nga flakët, viktimat janë identifikuar si shqiptarë.

Bëhet fjalë për 25-vjeçaren Erinda Kacorri, e cila është me origjinë nga Rrësheni. Ajo ndodhej në kamion së bashku me djalin e dajës së të fejuarit, dhe do të kalonte në mënyrë ilegale drejt Anglisë për t’u bashkuar me të fejuarin e saj, një i ri me origjinë nga Tropoja.

Sipas mediave, kamioni drejtohej nga një shtetas polak dhe se ishte nisur nga Polonia, ndërsa u përfshi nga flakët në terminalin e trageteve pranë Dunkirk.

Dy viktimat e shënuara janë të fundit në listën në rritje të azilkërkuesve që humbin jetën në kërkim të një jete më të mirë në Evropë. /gazeta-Shqip.com/