SHPËRNDAJE

Termi islam përdoret në dy kuptime: atë të përgjithshëm dhe të veçantë.

Islam në kuptimin e përgjithshëm nënkupton t’i dorëzohesh vetëm Allahut, që ngërthen adhurimin dhe nënshtrimin ndaj Tij.
Të gjithë ata që besojnë në Allahun Një dhe e adhurojnë Atë me sheriat të saktë, jo të abroguar, quhen mysliman.

Ibn Tejmije në librin “Tedmurijje”, thotë: “Kjo fe është feja islame, Allahu nuk pranon fe tjetër pos tij, as nga të parët, as nga të fundit dhe se të gjithë pejgamberët e Allahut ishin në fenë Islame.”

Allahu thotë:

“Lexoju atyre ngjarjen e Nuhut, kur i tha popullit të vet: “O populli im, nëse u vjen rëndë qëndrimi im më mesin tuaj, përkujtimet e mia me ajetet e All-llahut, e unë iu kam mbështetur vetëm All-llahut, ju vendosni për qëllimin tuaj, thirrni në ndihmë edhe zotat tuaj, e mos e mbani fshehtë, dhe zbatoni atë kundër meje e mos pritni.
E nëse prapësoheni (nga mësimet e mia), unë nuk u kërkoj ndonjë shpërblim, se shpërblimi im është vetëm prej Allahut. Unë jam i urdhëruar të jam njëri prej myslimanëve.” Junus 71-72.

Allahu thotë:

“E Ibrahimi i porositi bijtë e tij me këtë (fe), e edhe Jakubi, (u thanë) “O bijtë e mi, All-llahu ua zgjodhi fenë (islame) juve, pra mos vdisni ndryshe, por vetëm duke qenë myslimanë!” Bekare: 132.

Allahu thotë:

“Dhe kur i frymëzova Havarijjunët (i urdhërova): “Të më besoni Mua dhe të dërguarin Tim!” E ata thanë: “Ne besuam, e ti dëshmo se ne jemi myslimanë”. Maide: 111.

Të gjithë pejgamberët e dërguar janë mysliman dhe pasuesit e tyre të fesë së saktë pa u ndryshuar nga dora e njerëzve janë mysliman.

Sot kur përmendet Islami ka për qëllim sheriatin e Muhamedit, alejhi selam, ndërsa Islami në kuptimin e përgjithshëm nënkupton çdo sheriat me të cilin ka ardhur një pejgamber prej pejgamberëve të Allahut tek populli i tij.

Islami me të cilin ka ardhur Muhamedi, alejhi selam, është vazhdim i fesë së Allahut që ka legjitimuar për njerëzit nga koha e lashtë dhe abrogues i feve të mëparshme, kështu që pas ardhjes së pejgamberit, sal-Allahu alejhi ve selam, nuk pranohet nga askush asnjë fe.

Besimtarët nga pasuesit e pejgamberëve të mëparshëm që të gjithë janë mysliman në kuptimin e përgjithshëm, do të futen në xhenet me islamin e tyre, e nëse ndonjëri e arrin pejgamberllëkun e Muhamedit, alejhi selam, nuk pranohet nga ai pos pasimi i tij.

Allahu na ka lajmëruar se feja e pranuar te Ai është Islami dhe s’ka të dërguar që është dërguar tek populli i vet e të mos i ketë thirruar ata në njëshmërinë e Allahut.

Pra, pejgamberët janë vëllezër nga një baba, domethënë kishin nje fe e ajo është Islami, ndërsa dallimi mes tyre ishte në dispozita, si: namazi, zeqati, etj.

Muhamedi sal-Allahu alejhi ve selam ka thënë: “Unë jam personi më i afërt me Isain, të birin e Merjemes, në dynja dhe në ahiret, sepse pejgamberët janë vëllezër të një familje me nëna të ndryshme, por feja e tyre është një.” (Buhariu)

Ka thënë Muhamedi sal-lAlahu alejhi ue sel-lem: “Të gjithë profetët janë vëllezër.” Buhariu dhe Muslimi.

E gjithë kjo përmbledhje pasi shumë prej njerëzve mendojnë se mysliman quhet vetëm ai që pason Islamin pas ardhjes së Muhamedit sal-Allahu alejhi ve selem e që në realitet edhe pasuesit e pejgamberëve të mëparshëm quhen mysliman duke u argumentuar me ajetet e lartëpërmendura.

Përmblodhi dhe përktheu: hoxhë Valdet Kamberi