SHPËRNDAJE

Përplasja mes kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj dhe presidentit të vendit, Hashim Thaçi ka vazhduar edhe në Shqipëri, aty ku u mbajt Samitin e Brdo-Brjiunit. Thaçi ka vazhduar ta mbështes idenë për korrigjimin e kufijve, ku sipas tij do të ndodhte korrigjimi i padrejtësive historike.

Por Haradinaj idenë e Thaçit e quan kthim në të kaluarën, ku do të rikthente tragjedi përsëri në Ballkan.

 

“Hashim Thaçi: Vazhdimisht e theksoj që duhet të ndodhë korrigjimi i padrejtësive historike që Presheva, Medvegja dhe Bujanovac t’i bashkëngjiten territorit të Kosovës në një proces që do t’i përshpejtohet e ardhmja evropiane Serbisë. Ndërsa në procesin që është zhvilluar në kuadër të angazhimeve të BE-së, mund të them se çdo herë ajo që na ka dhënë shpresë dhe besim për vendimmarrje ka qenë informimi, transparenca dhe mbështetja e plotë për këtë proces”, deklaroi Thaçi.

Ai tha po ashtu se ka qenë i shqetësuar kur ka kuptuar se me SHBA-në nuk kishte pasur komunikim.

“Unë kam qenë i tmerruar kur u informova se për Samitin e Berlinit nuk ka pasur informim dhe komunikim me SHBA-të. Aty ku nuk janë SHBA-të nuk ka sukses, nuk ka progres, nuk ka siguri as për dialog, as për negociata dhe as për ndonjë implementim”, ka deklaruar ai.

I pyetur për kundërshtimin që Haradinaj po i bënë idesë së Thaçit për korrigjim, ai ka thënë se nuk është i shqetësuar për zërat që janë kundër tij.

“Hashim Thaçi: Unë mbështes dhe angazhohem fuqishëm që Presheva, Medvegja dhe Bujanovci t’i bashkohen territorit të Republikës së Kosovës. Nuk jam i shqetësuar fare për zërat refuzues- është një e drejtë historike dhe legjitime që duhet shtyrë përpara. Askush nga politika shqiptare, qoftë në Prishtinë apo në Tiranë, nuk duhet të jetë i shqetësuar pavarësisht ndonjë deficiti patriotik që mund ta ketë ndokush në këtë tranzicion 30 vjeçar të Shqipërisë dhe deficit kombëtar. Ajo që theksoj është se nuk komentoj takime të mbyllura dhe nuk përgojoj njerëz dhe takime”, ka deklaruar Thaçi.

Lidhur me kundërshtimet e shpeshtuar mes presidentit dhe kryeministrit, Thaçi e quan si shëndet të demokracisë.

“Ne kemi pasur qëndrime shumë të qarta dhe unike sa i takon tarifës të ardhmes europiane dhe liberalizimit të vizave, ndërsa opinionet e ndryshme janë shëndeti i demokracisë”, ka deklaruar Thaçi në intervistë për ORA.