SHPËRNDAJE

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka thënë se qytetarët e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë janë duke pritur që të themelohen institucionet. Prandaj, sipas tij, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje duhet të pranojë ose refuzojë të themelojë Qeverinë e re bazuar në rezultatet e 6 tetorit.

Pas takimit me ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, Hashim Thaçi tha se është në vullnetin e spektrit politik që ta përmbyll me sukses procesin e 6 tetorit.

Thaçi mes tjerash tha se i mbetet kryetarit të partisë që doli e para në zgjedhjet e 6 tetorit që ta bëjë hapin, ndryshe duhet ta deklarojë refuzimin si mandatar për udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës.

“Koha po kalon… Unë duke menduar që do ta pranon, sepse është një rregull i pashkruar…, e kam nënshkruar atë ditë nominimin e zotit Kurti si kandidat për kryeministër të ardhshëm të Qeverisë së Kosovës. Ai nominim i nënshkrimi tim është ende në tavolinën time të punës këtu. Shpresoj që nuk kalon kohë të gjatë dhe zoti Kurti që të reflekton në kuptimin e pranimit të nominimit, në rrethana të tjera duhet ta deklarojë refuzimin”, ka thënë Thaçi.

Për këtë ai u shpreh i bindur që do të respektojë Kushtetutën e Kosovës, dhe ligjet.

“Në çdo veprim timin do ta respektoj në tërësi kushtetutën dhe ligjet. Respektoj shumë opinionet e ekspertëve por unë nuk shkel as kushtetutë as ligj”, u shpreh ai.