SHPËRNDAJE

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Uashington ka zhvilluar një takim me John Boltonin, Këshilltarin për Siguri Kombëtare të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Në këtë takim është biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve, për perspektiven euroatlantike dhe për domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si parakusht për paqe dhe stabilitet afatgjatë në rajon.

Presidenti Thaçi e ka falënderuar këshilltarin John Bolton për mbështetjen që presidenti Trump po i jep Kosovës në të gjitha fushat.

Nga ana tjetër, Këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit Trump e ka siguruar Presidentin e Kosovës se Shtëpia e Bardhë dhe administrata Trump e mbështetë fuqishëm arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një postim në Facebook, Thaçi ka shkruar se “edhe sot në Shtëpinë e Bardhë mora mbështetjen e plotë nga administrata e presidentit Trump, për të shfrytëzuar këtë mundësi të papërsëritshme dhe për të arritur një marrëveshje që siguron njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB”.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin Kosovën në rrugëtimin e pandalshëm euroatlantik dhe janë të përkushtuara për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht obliguese ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Edhe sot në Shtëpinë e Bardhë mora mbështetjen e plotë nga administrata e presidentit Trump, për të shfrytëzuar këtë mundësi të papërsëritshme dhe për të arritur një marrëveshje që siguron njohjen reciproke dhe anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB. Përkrahja SHBA-së, Kosovës i ka sjellë gjithmonë suksese. Prandaj duhet ta çmojmë këtë mbështetje edhe në këtë fazë përfundimtare të procesit të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka shkruar Thaçi.

Gjatë ditës, presidenti Thaçi pritet të takojë edhe përfaqësues të shumtë amerikanë në Kongres, Senat dhe institucione të tjera.