SHPËRNDAJE

Javën e ardhshme do t’u jepet start përpjekjeve për të ngritur disa trupa shtetërorë, me mandat për të qenë në funksion të fazës përfundimtare të dialogut me Serbinë. Në krye të tyre do të jetë presidenti Hashim Thaçi, ani se kundërshtohet fort nga opozita.

Vetë kreu i shtetit të premten ka dhënë kumtin se, brenda pak ditësh, lidershipi i vendit do të flasë për ekipin negociues të Kosovës dhe për mekanizma mbështetës të tij.

“Gjatë fillimit të javës së ardhshme, unë pres që me liderët dhe bartësit e institucioneve – kryeministrin, kryeparlamentarin, gjithashtu liderët politikë të partnerëve të koalicionit, por edhe të partnerëve të tjerë opozitarë – të ulemi për të konkretizuar themelimin e ekipit negociator të Kosovës, pastaj të një ekipi strategjik, por edhe të komisioneve të përbashkëta që do të punojnë për çështje që do të hapen në këto takime, në këtë dialog dhe në këto negociata”, ka thënë presidenti Thaçi, gjatë informimit të kabinetit qeveritar rreth fazës finale të dialogut me Serbinë.