SHPËRNDAJE

sidenti Thaçi në një intervistë për “Süddeutsche Zeitung” ka folur për luftën, intervenimin e NATO-s dhe për raportet e tij me presidentin serb 20 vjet pas luftës, kur asokohe ishte Ministër i Informacionit i Sllobodan Millosheviqit, derisa Thaçi udhëheqës i UÇK-së.

Për “Süddeutsche Zeitung”, Thaçi ka thënë se kjo është një marrëdhënie e vështirë, por është e nevojshme të kemi një kanal të hapur të komunikimit.

“Sepse është pikërisht ky dialog, i cili ka parandaluar shumë gjëra të shëmtuara që mund të kishin ndodhur mes dy vendeve tona. Por, nuk ndjej asnjë kënaqësi për ta bërë këtë.

“Të dy e dimë prej nga jemi. Por, kjo nuk është një pengesë për ne që të punojmë për paqe”.

Kjo është intervista e plotë e Thaçit për “Süddeutsche Zeitung”:

Süddeutsche Zeitung: A ju kujtohet ku ishit më 24 mars 1999 – në kohën kur filluan bombardimet e NATO-s ndaj Serbisë?

Hashim Thaçi: Isha në male, në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës. Ne ishim njoftuar paraprakisht nga NATO-ja, që atë ditë do të fillonte bombardimet.

Süddeutsche Zeitung: Pas 20 vjetëve, sa e madhe është mirënjohja për Perëndimin?

Hashim Thaçi: Ne do të jemi përgjithmonë mirënjohës. Pa ndërhyrjen ushtarake, shqiptarët sot nuk do të ekzistonin në Kosovë dhe bombardimet ndaluan spastrimin etnik.

Süddeutsche Zeitung: Paqe të vërtetë nuk ka as pas 20 vjetësh. Për të marrë një ulëse në Kombet e Bashkuara dhe mundësinë për t’u bërë anëtare e BE-së, duhet të arrini një marrëveshje, me anë të së cilës, Serbia e njeh Kosovën si shtet të pavarur. A mundet të ketë kjo ende sukses?

Hashim Thaçi: Nuk ka alternativë. Një marrëveshjeje paqeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mund të jetë po aq e suksesshme sa ishte marrëveshja ndërmjet Gjermanisë dhe Francës. Në anën tjetër, Status Quo-ja, në realitet do të thotë regres të vazhdueshëm, sepse ajo destabilizon rajonin.

Süddeutsche Zeitung: A keni mbështetje të mjaftueshme brenda vendit për të bërë kompromise me serbët?

Hashim Thaçi: Më shumë se 70 për qind e kosovarëve mbështesin dialogun me Serbinë.

Süddeutsche Zeitung: A mund të jenë ndryshimet e kufijve pjesë e kësaj marrëveshjeje?

Hashim Thaçi: Ne synojmë një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila përfundimisht do të zgjidhë të gjitha çështjet e hapura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, deri tani asgjë nuk është në tavolinën e bisedimeve, nuk ka harta. Kjo temë është bërë e madhe dhe ekzagjeruar nga mediat.

Süddeutsche Zeitung: Por, jo vetëm mediat po flasin për të. Një mbështetje e tillë së fundmi ekziston edhe nga Brukseli dhe Uashingtoni…

Hashim Thaçi: Unë kam folur drejtpërdrejt me presidentin Trump. Mesazhi i tij për të dyja palët është i qartë: përfitoni nga momentumi, lëvizni përpara dhe mos lejoni që tragjeditë e së kaluarës të përsëriten.

Süddeutsche Zeitung: A i keni vendosur shpresat krejtësisht tek SHBA-ja?

Hashim Thaçi: Nga e kaluara ne e dimë se BE-ja asnjëherë nuk ka qenë në gjendje që t’i zgjidhë gjërat vetëm.

Süddeutsche Zeitung: A vlen kjo edhe sot?

Hashim Thaçi: Për të qenë i sinqertë, sot edhe më pak.

Süddeutsche Zeitung: A nuk janë korrigjimet e kufijve në Ballkan shumë të rrezikshme?

Hashim Thaçi: Të gjitha shtetet e Ballkanit kanë çështje të hapura kufitare, nga Sllovenia dhe Kroacia deri në Maqedoninë Veriore. Vetëm vitin e kaluar, pas tre viteve dramë, e kaluam një mosmarrëveshje kufitare me Malin e Zi. Por, për çështje të tilla duhet të tregojmë kujdes të veçantë.

Süddeutsche Zeitung: Sipas mendimit tuaj, si mund te duket një korrigjim i kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Hashim Thaçi: Për ne është e qartë, Kosova gjithsesi do të mbetet një shtet shumetnik dhe nuk do të ketë kufij përgjatë vijave etnike.

Süddeutsche Zeitung: Cila është marrëdhënia juaj personale me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq? Qysh në luftë, 20 vjet më parë, të dy ju qëndruat në pozita të rëndësishme. Ai si Ministër i Informacionit i Sllobodan Millosheviqit, ju si udhëheqës i UÇK-së. Sot vazhdimisht takoheni dhe detyroheni të negocioni…

Hashim Thaçi: Është një marrëdhënie e vështirë, por është e nevojshme të kemi një kanal të hapur të komunikimit. Sepse është pikërisht ky dialog, i cili ka parandaluar shumë gjëra të shëmtuara që mund të kishin ndodhur mes dy vendeve tona. Por, nuk ndjej asnjë kënaqësi për ta bërë këtë. Të dy e dimë prej nga jemi. Por, kjo nuk është një pengesë për ne që të punojmë për paqe.

Süddeutsche Zeitung: A flisni për atë që ndodhi 20 vjet më parë?

Hashim Thaçi: Ai ka humbur, unë kam fituar. Por, unë nuk dua të ngarkojë diskutimet me të kaluarën.

Süddeutsche Zeitung: Ende ka akuza kundër jush personalisht nga ditët e luftës. Një raport nga Këshilli i Evropës ju akuzon për përfshirje në vrasje dhe trafikim të organeve. Kohët e fundit, një gjykatë speciale ndërkombëtare ka filluar punën në Hagë për të hetuar krimet e luftës të kosovarëve. A keni frikë nga gjykata?

Hashim Thaçi: Këto pretendime monstruoze janë konstruktuar në Serbi. Por nëse thirrem, do të shkojë. Është e rëndësishme për ne që e vërteta del në dritë.

Süddeutsche Zeitung: Sa është i rëndësishëm përpunimi i së kaluarës?

Hashim Thaçi: Kjo është e rëndësishme, por ne nuk mund të mbetemi peng i së kaluarës sonë. Jam i bindur se tani është momenti i duhur për paqe.

Süddeutsche Zeitung: Pse tani?

Hashim Thaçi: Për herë të parë në Serbi ne kemi një bashkëbisedues, i cili është i gatshëm të ulet me ne dhe të diskutojmë të gjitha çështjet, duke përfshirë njohjen e Kosovës. Dhe pas shumë vitesh të neglizhencës, tani përsëri ka një vëmendje të madhe për ne në BE dhe SHBA. Nëse e humbasim atë tani, rrezikojmë të humbim dekada.

Süddeutsche Zeitung: Ka zëra se një marrëveshje mund të nënshkruhet në Uashington në qershor?

Hashim Thaçi: Janë përsëri spekulime mediatike, nuk ka asgjë të vërtetë. Por, unë dua të bëj gjithçka për të siguruar që një marrëveshje e tillë të bekohet në Shtëpinë e Bardhë.

Süddeutsche Zeitung: Në vitin 2019?

Hashim Thaçi: Pse jo.

Süddeutsche Zeitung: Vizioni juaj për Kosovën në 20 vjetët e ardhshme?

Hashim Thaçi: Anëtar i NATO-s dhe BE-së. Një rajon i tërë që jeton sipas standardeve evropiane. Me kufij të hapur. Gjërat për të cilat sot po debatojmë, do të duken qesharake.