SHPËRNDAJE

​Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se Kosova ka përmbyllur me sukses mbikëqyrjen ndërkombëtare të pavarësisë, dhe se pret që, në fund të procesit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, shteti ynë të bëhet anëtar i Kombeve të Bashkuara.

Thaçi, në një intervistë për televizionin serb N1, tha se shpreson dhe beson se viti 2018 do të jetë viti i një marrëveshjeje historike midis Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane.

“Kjo marrëveshje do të çojë në një normalizim të plotë të marrëdhënieve tona dhe njëherësh në pajtimin e popujve tanë. Paqja mes Kosovës dhe Serbisë do të thotë paqe për Ballkanin Perëndimor. Paqja është gjithashtu një mesazh për evropianizimin e të gjithë hapësirës në të cilën jetojmë. Shpresoj se do të jetë një marrëveshje e standardeve dhe modelit evropian. Bashkimi Evropian tani duhet të marrë rolin e tij aktiv, dinamik dhe udhëheqës, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Është momenti dhe lidershipi i duhur për arritjen e marrëveshjes që ka munguar në njëqind vjetët e fundit dhe që do ta hapë perspektivën për brezat e ardhshme”, ka thënë Thaçi, transmeton Kosovapress.

Kreu i shtetit theksoi se nëse ka vullnet të mirë, nëse tregojmë përgjegjësi të lartë shtetërore dhe historike për t’u orientuar drejt së ardhmes, pres që do të ketë vullnet të ndërsjellë për njohjen e dyanshme.

“Kosova është gati, por një gjë është e sigurt: as Serbia dhe as Kosova nuk do të kenë një të ardhme evropiane pa një marrëveshje të përbashkët dhe njohje të dyanshme. Pra, as Serbia nuk mund të bëhet pjesë e familjes evropiane pa njohjen e Kosovës. Prandaj, sa më parë ta bëjë Serbia këtë, aq më mirë do të jetë për vetë Serbinë”, u shpreh Thaçi.